Transporti Ajror Civil në Shqipëri shënon fillimet e tij në nëntorin e vitit 1924, kur u nënshkrua Marrëveshja Qeveritare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Ajrore Gjermane “Lufthansa”. Në bazë të kësaj marrëveshje konçensionare, 10 vjeçare, u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”. Në pranverën e vitit 1925, mbasi u ndërtua një fushë me bar 400 200 m në Tiranë ( në zonën e shallvareve), në këtë pistë të gjelbër filluan fluturimet e para ajrore të brendshme me destinacion Shkodrën e Vlorën.

Në gusht 1927 shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë, e cila zgjeroi fluturimet dhe në qytetet e tjera në drejtim të Elbasanit, Korçës, Peshkopisë e Gjirokastrës dhe u hapën linja ndërkombëtare me Romën, Milanon, Selanikun, Sofjen, Beogradin, Podgoricën.

Në vitin 1934 filluan punimet për ndërtimin e Aeroportit të Tiranës ( Laprakë ), të cilat përfunduan në fund të vitit 1935. Ky aeroport , i cili mori emërtimin zyrtar Aeroporti i Tiranës, u ndërtua sipas parametrave optimalë teknologjikë të kohës, me pistë asfalto-betoni me dimensione 1200 400 m, shoqëruar me pajisje teknike e ndërtesa të përshtatshme. Në vitin 1955-1957, u ndërtua Aeroporti i Rinasit, për qëllime ushtarake, i cili më vonë iu kalua nën administrim Ministrisë së Transporteve.

Më 25 janar 1957, u krijua “ Ndërmarrja Shtetërore e Transportit Ajror me Jashtë (Albtransport) , me qendër në Tiranë. Shoqëritë Ajrore që kanë operuar deri në vitin 1960 kanë qenë Aeroflot, Jat, Malev, Tarom e Interflug. Në vitet 1960-1978 ndodhën ndërprerje të disa linjave ajrore si pasojë e ndikimit të politikës, pra për rrjedhojë u ul fluksi i fluturimeve dhe i pasagjerëve.

Në vitet 1980-1990, u bënë disa investime në Aeroport për plotësimin e kërkesave të çastit dhe jo investime me vlefshmëri në afate kohore të gjata.

Gjatë viteve 1989, 1991 si rrjedhojë e ndryshimeve politike në vendet lindore, u bë aderimi i Republikës së Shqipërisë në ICAO ( Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil), u hap hapësira ajrore e Republikës, u përcaktuan detyrat e Kontrollit të Trafikut Ajror.

Si premisë të këtyre zhvillimeve u krijuan kushtet e ndarjes së aktivitetit të kontrollit të trafikut ajror nga Albtransporti. Po në këto vite u lidhën disa Marrëveshje Qeveritare të Transportit Ajror Civil me Bullgarinë, R.F. Gjermane, Slloveninë, Italinë, Rusinë, Austrinë, Maqedoninë etj.

Në fillim të vitit 1992 nga Albtransporti u shkëput aktiviteti i kontrollit të trafikut ajror dhe u krijua Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror (ANTA) si ndërmarrje më vehte.

Për të përballuar zhvillimin që kërkonte koha, u ngrit Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DPAC) më 3 Shkurt 1991.

Burimet

Redakto

Drejtoria e Pergjithshme e Aviacionit Civil