Tuni Papuçiu
Tuni Papuçiu ka lindur më 23 mars 1922 në qytetin e Fierit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen dhe studimet e larta në Tiranë. Që nga shtatori i vitit 1943 e deri në çlirimin e Shqipërisë, ishte inkuadruar në Zonën e Parë Operative të Vlorës. Menjëherë pas çlirimit, iu përkushtua gazetarisë. Nxori dhe drejtoi në Sevaster të Vlorës gazetën "Përpjekja e rinisë". Veprimtarinë gazetareske e vijoi në Tiranë në gazetën "Sporti" (1945), si kryeredaktor i saj, duke qenë përkrah Andon Mazrekut në Ballkaniadën e vitit 1946. Më pas, deri në 1959 punoi natën "si i freskët" në gazetë. Që prej vitit 1959 deri sa u nda nga jeta, drejtoi të përdyjavshmen letrare dhe artistike të ilustruar, revistën "Fatosi". Vdiq papritmas në Shkodër, më 3 qershor 1975. Një rruge në qytetin e tij të lindjes, Fieri, i është vënë emri i tij. Është dekoruar disa herë për veprimtarinë e tij letrare dhe publicistike. Trashëgimia publicistike dhe letrare e Tuni Papuçiut është në koleksionet e medias së shkruar të viteve 40-70, si dhe në botimet letrare për shkollat. Ndërsa disa prej krijimeve të tij letrare për fëmijë janë botuar ndër të tjera tek vëllimet "Midis shelgjesh buzë lumit", "Një sirtar i veçantë", "Supa dhe karamelet" etj. Krijimet e tij përmbajnë vjersha, tregime, skeçe, gazmore, pjesë teatrale, tekste këngësh për fëmijë dhe qindra e qindra artikuj në shtypin shqiptar. Për vite me radhë, në Festivalet mbarëkombëtare të Këngës për Fëmijë, organizuar në Shkodër, ka fituar çmimet e para për tekstet e këngëve, të kompozuara nga autorë të tillë si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, etj Veprimtaria e tij letrare është përfshirë edhe në Fjalorin enciklopedik "Gazetarë dhe publicistë shqiptarë", hartuar nga prof. dr. Hamit Boriçi dhe botuar nga "Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV), "Figura të shquara të rrethit të Fierit", si dhe tek "Lexikon" me titull "Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë" (1872-1995) hartuar nga prof. Odhise K. Grillo.