Turizmi në Tiranë
Monumentet e Kulturës
RedaktoURA E TABAKËVE
RedaktoMe lindjen e Tiranës si qendër qytetare më 1614, u vu re një zhvillim i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë. E ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare, Tirana fitoi vit pas këtij viti rëndësinë dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve rreth saj, të cilët vit pas viti rritën popullimin e qytetit.
Përveç rrugës Egnatia, e përmendur në lashtësi e që kalonte në pjesën perëndimore të Tiranës së sotme, një aks tjetër i rëndsishëm ishte ai që lidhte Tiranën me malësinë e saj. Ajo quhej, e madje vazhdon të quhet, “Rruga e Shëngjergjit”. Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës, në Priskë të Madhe, Qafë Priskë, Domje, Shëngjergj, e më tej vazhdonte në Bizë, Martanesh, Zerqan e deri në Dibër të Madhe. Kjo rrugë ishte e rëndësishme pasi shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvaneve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin. Kope të tëra bagëtish, për shkak të dimrit të ashpër të malësisë lëviznin në zonat me klimë të butë të kodrinave e fushës së Tiranës. Një pjesë e mirë e këtyre bagëtive në hyrje të dimrit dhe pas shtimit të tyre në pranverë destinoheshin për treg. Banorë të ndryshëm u vendosën në periferi të Tiranës së atëhershme duke pritur karvanët e bagëtive të malësisë. Ato u “specializuan” kryesisht në therjen e bagëtive dhe përpunimin e lëkurëve. Disa familje të vjetra tiranase që prej 2-3 brezash e sot e kësaj dite merren me këtë veprimtari. Të tilla janë familjet Xheleti, Kuka, etj. Pikërisht prej aktivitetit të rregjies së lëkurëve lagja u quajt “Tabakanë” dhe rruga u quajt “Rruga e Tabakëve”, pra e lëkurërregjësve. Madje këtë emërtim morën edhe sheshi dhe një grup familjesh që mbajnë edhe sot mbiemrin “Tabaku”. Me këtë emërtim u pagëzua edhe ura e shekullit XVIII që lidhte të dy brigjet e Lanës, pra u quajt Ura e Tabakëve. Ajo është dëshmi e zhvillimit të qytetit dhe shtimit të komunikimit me zonat e brendshme.
Ura e Tabakëve dallohet për arkitekturën e saj harmonike si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementëve të saj. Ajo përbëhet nga një hark kryesor mbi të cilin ngrihet ura në formë kurizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësor me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra, ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethor me hapësirë të vogël. Ura e Tabakëve e luajti funksionin e saj për kalimin nga një breg i Lanës në tjetrin deri nga vitet ‘30. Më pas Lana mori drejtim tjetër duke devijuar nga rruga e saj e përhershme.
Urat e vjetra prej guri dëshmojnë për tradita të lashta të vendit tonë në fushën e ndërtimeve. Ato vërtetojnë punën e madhe të mjeshtrave popullorë e konkretisht edhe të atyre Tiranas.
Kalaja e Tiranës
RedaktoKalaja e Tiranës ishte një stacion rrugor i vijës Egnatia i tipit Mansio-Mutatio. Ajo përbënte qendrën e një vendbanimi, të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë.
Tirkan (shek IV e.s), Tergiana (1297) kur në të ishte vendosur kancelaria e sundimtarit të saj Karli I Anzhu, dhe në formën e sotme Tyranna (1505) sipas Barletit. Ky toponim akoma nuk është saktësuar plotësisht. Por kalaja, dëshmia më e lashtë e këtij qyteti, ndodhet pikërisht në vendin ku derdheshin e kryqëzoheshin rrugët e vjetra e të reja që e lidhnin kryeqytetin dhe pastaj krejt Shqipërinë – veriun me jugun, lindjen me jugun.
Në ambientet e Kalasë së Tiranës ka disa shtëpi tradicionale të cilat kanë krijuar stilin e ndërtesës qytetare Tiranase. Në ndërtesat brenda Kalasë së Tiranës kanë banuar pjesëtarë të familjeve sunduese të qytetit dhe për këtë arsye ato konsiderohen edhe si godina të administratës së parë lokale.
Secila nga rrugët e vjetra, para se të hynin në Tiranë dominoheshin nga një kështjellë apo kala. Kështjella e Lalmit (shek. II e.s.) ndodhej në kodrinën ku lumi Erzenit merrte kthesën e lejonte kalimin rrugor drejt Petrelës.
Kalaja e Tujanit, një fortifikatë e gurtë me formë katërkëndëshe, ku gjurmët e jetës hasen që nga periudha e parë e hekurit. E rindërtuar në shek e IV e.s., ajo ishte porta hyrëse e korridorit Dibër-Tiranë-Durrës. Në anën tjetër, pranë malit të Vilës ku janë ngushticat e Krrabës, ndodhej qyteti ilir i Parthinëve-Persqopi (shek IV-III p.e.s.), banorët e të cilit më pas u shpërngulën në Petrelë.
Kalaja e Dorëzit në kodrën ndërmjet lumit të Trezës e të Piollit (periudha e I e hekurit), pastaj Kalaja e Ndroqit, e Prezës e Ishmit, të gjitha së bashku, këto kala antike e mesjetare përbënin rrethin mbrojtës të Tiranës. Kalaja e Tiranës ishte dhe mbeti bërthama historike e trevës së Tiranës dhe rezidencë administrative përgjatë mesjetës së mesme.
Si e tillë vazhdoi të ekzistonte edhe në shek. e XVII kur qyteti i Tiranës u shtri përreth saj duke pasur një qendër qytetare me kullijen (kompleksin social kulturor) të ndërtuar nga Sulejman Pasha, pazarin zejtar tregtar nga pamja veriore, Namazgjanë dhe urën e Tabakëve nga ana lindore, ndërtesat e qeveritarëve brenda truallit të kalasë.
Nga dy anët e tjera kalaja ngrihej mbi brigjet e lumit të Lanës.
Është menduar që në vitin 1640, Ahmet beu kreu punime rindërtuese në muret rrethues të kalasë duke i ngritur ato në lartësi mbi strukturat antike. Vepër e tij ishte edhe kulla e gjatë që mbetet akoma pjesërisht në gjendje të mirë. Kalaja pëson dëmtime sërish në periudhën e luftrave ndërfeudale të shek XVIII, kur aty u përplasën trupat e Ahmet Kurt pashës së Beratit me Bushatllinjtë. Populli i Tiranës i mbyllur brenda saj u mbrojt me heroizëm dhe kalaja nuk u pushtua nga asnjëri prej tyre. Të kësaj kohe janë sistemi i frëngjive për armë zjarri në pjesën më të lartë të mureve rrethues.
Pas vitit 1814 Kalaja e Tiranës bëhet rezidencë e sundimtarëve të rinj të saj ; Toptanëve të ardhur nga Kruja, të cilët ndërtuan dy shtëpi njërën për banim dhe tjetrën për pritje që janë dhe sot. Përgjatë shek XX kur humbet funksioni i saj origjinal për mbrojtje, vërehen dëmtimet më të mëdha. Ajo humbi një pjesë të mureve rrethues dhe thuajse nuk lejon të kuptohet nga mbetjet, formulimi i saj i plotë stilistik.
Megjithatë ajo sërish mbeti rezidencë qeveritare apo vendi më i spikatur për to edhe në ditët tona. Në truallin e Kalasë janë sot Akademia e Shkencave, Kuvendi Popullor dhe Galeria Kombëtare e Arteve.
A do të ndriçohet plotësisht historia e saj ?
Legjendave, fare pak mund t’iu besohet. Tradita gojore e sidomos burimet e shkruara nuk besojmë të kenë shterur. Sidoqoftë, mbetet akoma një rrugë e sigurtë, gjurmimi arkitekturor me metodat e vlerësimit të shkencës së restaurimit. Ky proçes iluminist ka nisur në vitin 2002, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të Bashkësisë së Tiranës me Institutin e Monumenteve të Kulturës, të cilët së bashku i kushtojnë një vëmendje thelbësore këtij monumenti themelor të programit “Kthim në identitet”. E parë në këtë konceptim Kalaja e Tiranës ishte dhe duhet trajtuar në epokën tonë si bërthama historike e kulturore e Kryeqytetit.