Ulug Begu
Ulug Begu lindi në vitin 1393 dhe vdiq në vitin 1449 ishte matematik dhe astronom.
Biografia
RedaktoUlug Begu ishte nipi i Timurit (në perëndim i njohur Tamerlani), princit Tartar dhe udhëheqësit të Turkestanit. Ai ishte astronom dhe matematikan i dalluar i shekullit të XV. I lindur më 1393 në Sulltanija në Azinë Qendrore, Ulug Begu ishte djali i mbretit Timurid Shah Rukh. Ai ka qenë hafiz i Kur'anit, pra ka ditur Kur'anin përmendësh.
Ulug Begu e bëri Samarkandin qytet me famë dhe një nga kryesorët në qytetërimin mysliman. Në vitin 1428 ai ndërtoi medresenë, institucion për studime të larta, ku u mësua edhe astronomia. Më pas, në vitin 1428, Ulug Begu filloi në qytetin Samarkand ndërtimin e observatorit madhështor tre katësh rreth 90 metra në diametër dhe 40 metra të lartë. Për drejtor të observatorit caktoi Ali Kudsin, astronom i dalluar mysliman, ndërkohë që në të punuan mjaft astronomë dhe matematikanë të tjerë sikur El-Kashi dhe Kadizada.
Ulug Begu e furnizoi observatorin me instrumentet më të mira dhe të sofistikuara të kohës. Aty gjendej edhe këndmatësi i cili u përdor për përcaktimin e pjerrësisë së eklipsit në ekuator, pikën e ekuinoksit të pranverës, gjatësinë e vitit tropikal si dhe konstante të tjera astronomike të matura gjatë vëzhgimit të diellit. Gjithashtu aty gjendej edhe një lartësimatës shumë i gjatë i cili i detyroi mirëmbajtësit të hiqnin një shtresë toke për ta zënë observatoriumi. Ndërmjet instrumenteve të tjera ishin edhe një trikuetram sëbashku me një sferë.
Në vitin 1437 botoi veprën e tij më me famë dhe më të qëndrueshme, katalogun e ri të yjeve të quajtur "Zidj-i Xhedid Sultani". Në të, Ulug Begu, rishikoi pozicionet dhe magnitudat e yjeve të vëzhguara nga Ptolomeu. Ai gjeti shumë gabime në llogaritjet e bëra nga Ptolomeu. Libri përfshin një koleksion të ndryshëm vëzhgimesh dhe llogaritjesh, pozicionin e yjeve fikse, rrugën e yjeve si dhe njohuri të tjera të kohës. Përkthimi anglisht i këtij libri është botuar në vitin 1917.
Ulug Begu bëri llogaritjen e gjatësisë së vitit e që është 365 ditë, 5 orë, 49 minuta dhe 15 sekonda. Përveç kësaj ai përgatiti tabelën planetare të lëvizjeve të cilat ishin shumë të njohura dhe të pranuara nga astronomët e asaj kohe. Ai studioi lëvizjet vjetore të pesë planetëve më të shndritshëm: Saturnit, Jupiterit, Marsit, Afërditës dhe Merkurit, të dhëna të cilat ende konsiderohen shumë të sakta. Më 1437, ai gjithashtu përpiloi katalogun e yjeve në të cilin përcaktoi pozicionin e 992 yjeve.
Ulug Begu u vra në vitin 1449 në Samarkand mbas sundimit të tij tre vjeçar të Turkestanit. Kjo katastrofë solli neglizhimin e observatoriumit dhe Samarkandi gradualisht e humbi rëndësinë e tij si një qendër kryesore e astronomisë. Me kalimin e kohës observatoriumi u shkatërrua përfundimisht dhe vendndodhja e tij u konfirmua nga arkeologët rusë në vitin 1908. Bir dhe Madler në librin e tyre të famshëm Der Mond (1837) përmendin një karakteristikë të sipërfaqes së hënës e cila është emëruar sipas Ulug Begut. Është pikërisht emri i një rruaze të rëndësishme eliptike në veriperëndim të seksionit të tetëmbëdhjetë.