Valevitet flamuri i Pavarësisë në majën më të lartë të Tomorit
Një urim disi i veçantë në këtë prag 100 vjetori të shpalljes së Pavarësisë është përcjellë nga të rinjtë gramshiotë për të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke ngritur flamurin kuq e zi në majën më të lartë të Malit të Tomorit.
Ishte një iniciativë e biznesmenit nga Gramshi, Ilir Llapushi, i cili i bëri thirrje të gjithë të rinjve të këtij qytetit të bashkohen dhe së bashku të ngrenë flamurin kuq e zi në majën më të lartë të Malit të Tomorit, nga ku edhe rrethohet kjo qytezë e vogël.
Pasi kanë arritur në lartësinë e 2416 metra, të rinjtë gramshiotë kanë vendosur një flamur 3 metra të gjatë me shtizë 4 metra në këtë majë, duke e siguruar mirë që erërat e malit të mos e rrëzojnë atë.