Vangjel Toçi u lind më 11 tetor të vitit 1920 në Elbasan, në një mjedis të qytetëruar intelektual. Ai ishte fëmija i tretë ndër pesë fëmijë që kishte familja e tij. I ati, Sotir Toçi ishte një nëpunës shteti i dëgjuar në rrethet intelektuale si njohës i shumë gjuhëve të huaja. Ai ka kryer shkollën fillore dhe të mesme në Durrës. Përfundoi në 1941 Liceun në qytetin e Shkodrës. Po ashtu kreu Fakultetin e Mjekësisë dhe të Kirurgjisë pranë Universitetit të Bolonjës në Itali, të cilën nuk arriti ta përfunojë deri në fund. Vangjeli dinte shumë mirë gjuhët e huaja si: greqishten e lashtë dhe latinishten, gjuhën frënge dhe atë italiane. Ai i ka kushtuar shumë vëmendje muzeologjisë dhe në veçanti arkeologjisë. Me punën e tij ka arritur krijimin e bibliotekës së qytetit të Durrësit dhe Muzeun Arkeologjik. Arkeologu Toçi punoi me pasion dhe këmbëngulje për amfiteatrin, që është një monument i lashtësisë. Një meritë tjetër në punën e tij është studimi që ai ka bërë në lidhje me përbërjen e popullsisë që jetonte në qytetin antik, nga ku, nëpërmjet mbishkrimeve të varreve jep një listë të gjatë të emrave ilirë. Vangjeli transmetoi tek banorët e tij bashkëqytetarë, ndjenjën e përgjegjësisë për mbrojtjen e së kaluarës, duke i bërë kështu bashkëpunëtorë me të në rrugën e gjatë të njohjes dhe identitetit të së kaluarës. Në 10 shtator të vitit 1945 përurohet krijimi i bibliotekës së Durrësit, ku Vangjel Toçi dhuroi 1.000 libra të tij. Ai krijon katalogët topografikë, alfabetikë, sistematikë dhe krahinorë për Durrësin. Në vitin 1947 zbulon godinën me mozaik bardh e zi të shekullit të parë të erës sonë, me figura nga mitologjia detare.Në 13 mars të vitit 1951 krijohet Muzeu i Parë Arkeologjik i qytetit të Durrësit, me objekte të grubulluara nga vetë arkeolou ynë Vangjel Toçi. Ai zbulon në vitin 1959 mozaikun e shekullit të tretë para e.s. i ashtuquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, i cili ka në qendër një grua të hijshme me qëndrim monumental. Në periudhën 1950-1982 nga zbulimet në Nekropolin e qytetit antik, arkeologu Toçi evidenntoi afro 300 emra ilirë, duke e vënë Durrësin në krye të qendrave të banuara ilire në të gjithë Ballkanin. Më pas, për afro 20 vjet, ai punoi me ngulm në fushën e onomastikës ilire, duke lënë një vepër ende të pabotuar prej mbi 20 mijë faqesh, mbi etnogjenezën e popullit tonë. Këmbëngulja e arkeologut të njohur durrsak Vangjel Toçi, risolli në dritë pikërisht në vitin 1959, një nga veprat më të shquara të lashtësisë “Bukuroshja e Durrësit”. Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillimin e shekullit të XX mbi praninë e mozaikut, në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Për herë të parë ky mozaik u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në Luftën e Parë Botërore, në vitin 1916. Për fat të mirë dhe falë këmbënguljes dhe aftësisë profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi, e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Rizbulimi i tij ngjalli interesin e shumë shkencëtarëve të huaj, të cilët megjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë. Mozaiku, që është mbiquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave që e krijuan atë, ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë, me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra- tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe. Amfiteatri antik është monumenti më i rëndësishëm i Durrësit, i vendosur krejt në qendër të lagjes më të vjetër dhe i rrethuar nga shtëpitë e banorëve. Ai u zbulua nga arkeologu i mirënjohur durrsak, Vangjel Toçi, në vitin 1966 dhe është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Ai është ndërtuar në shek. I-II pas Krishtit, në kohën e perandorit romak, Adrian. Pas fushatave të viteve 1966-1970 në amfiteatër, gjatë katër viteve të fundit janë kryer fushata gërmimesh arkeologjike verore me përfundime të rëndësishme. Galeritë e amfiteatrit janë shfrytëzuar disa herë si vende ekspozitash arkeologjike, ndërsa në vitin 2004 janë organizuar disa spektakle artistike. Rrënimi i amfiteatrit ka nisur në shekullin V, kohë në të cilën perandorët, tashmë të krishterë, i ndaluan ndeshjet vdekjeprurëse të gladiatorëve. Amfiteatri është ngritur në fund të shek. I, fillimin e shek.II e.s. në një strukturë me mure tullash dhe guri. Sipas një mbishkrimi të zbuluar, në kohën e mbretërimit të perandorit Adrian (97-117 e.s.) për përurimin e bibliotekës së qytetit 12 çifte gladiatoresh u ndeshën në amfiteatër. Në shek.IV para e.s. pas braktisjes, pllakat e gurta të mbulesës u hoqën. Në një nga galeritë e amfiteatrit, në shek.VII u ndërtua një kapele me mozaik mural dhe arena u shndërrua në varrezë. Muzeu Arkeologjik ndodhet përballë shëtitores kryesore të qytetit, e cila mban emrin “Taulantia” dhe është përuruar më 13 prill 2002. Muzeu i ri ka rreth 2.000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të qytetit që nga periudha arkaike deri në Mesjetën e hershme. Nëntoka e Durrësit, duke qenëse qyteti aktual është i ngritur tërësisht mbi të vjetrin, është një burim i vazhdueshëm zbulimesh të reja dhe për këtë arsye është shpallur “muze” dhe mbrohet me ligj të veçantë. Në vitin 1962, për herë të parë, pranë Muzeut Arkeologjik Durrës ,Vangjel Toçi krijon “Atelienë e Monumenteve”, si një institucion me rëndësi të veçantë. Në vitin 1968 ngre “Galerinë e Arteve Figurative” të qytetit dhe e vë nën administrimin e Muzeut.Vangjeli ka kontribuar në hartimin e librit “Fjalor me emra njerëzish”. Vangjel Toçi vdiq më 27 janar të vitit 1999.