Varri masiv 313
Varri masiv 313 quhet njëri prej vendeve të përdorura nga regjimi komunist në Shqipëri për ekzekutimin e dënimeve me vdekje të dhëna nga gjykatat apo për ekzekutimin e njerëzve të konsideruar armiq, të cilët nuk i qenë nënshtruar një procesi gjyqësor. Vendekzekutimi qe një luginë rreth 30 metra e gjerë dhe rreth 300 metra e gjatë në drejtimin veri-jug në kodrat rrëzë Malit të Dajtit në Tiranë. Ajo zonë qe pjesë e repartit ushtarak 313, prej nga mori emrin. Gjatë vitit 2009, familjarë të viktimave të regjimit komunist gërmuan aty dhe zbuluan skeletet e 19 njerëzve. Gazeta "Shqip", e cila e publikoi për herë të parë lajmin së bashku me agjencinë rajonale Balkainsight, e konsideruan zonën "Varr Masiv". Në median shqiptare në ditët që vijuan u zhvillua një debat nëse vendekzekutimi i regjimit komunist mund të cilësohej "varr masiv" apo jo.