Në dt. 28.10.2012 ndroi Jetë në "Jamaica Hospital Medical Center" në New York - Prof. VASIL PISTOLI i cilësuar si Babai i Ndërtimit Shqipëtar. Lindur me 10.09.1925 në Shkodër. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu po në Shkodër. Arsimin fillor e kreu në disa shkolla si "Shkolla Dugajt e Reja", "Shkolla Jezuite", "Shkolla Françeskane", ndërsa atë të mesme e kreu në "Gjimnazin 28 Nëntori" Ka qenë pjesmarës i luftës Antifashiste Nac. ÇL. si dhe i internuar në Kampin e përqëndrimit nazist në Prishtinë deri në çlirimin e saj në 1944. Mbas çlirimit, në Vitin 1948 fillon studimet e larta në Bullgari, Sofie, ku rregjistrohet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe paralelisht edhe në Akademinë Shtetërore të Muzikës për Violinë, ku mbas përfundimit të vitit të parë, ndërpret studimet në Akademinë e Muzikës për t'ju detikuar Inxhinierisë. Diplomohet me titullin «Inxhinier Ndërtimi» me datë 10.07.1953 në Fakultetin e Ndërtimit, specialiteti «Konstruksione» në Sofie (Bullgari). Pajiset me «Leje projektimi Nr. 1» (Liçense) në vitin 1957 lëshuar nga «Dega e Studimeve dhe Projektimeve» të Ministrisë së Ndërtimit. Në vitin 1957 emrohet Sekretar i K.SH.P.N. (Komisioni Shtetëror për Projektime në Ndërtim), organ i Kryeministrisë. Emrohet Kryetari i Komisionit te Porosive të Literaturës Teknike e Shkencore nga jashtë Shtetit. I akordohet titulli shkencor «Docent» me vendim Nr. 18, datë 19.07.1972 nga Komisioni i Lartë i Atestimit. Nga viti 1953 deri në 1985 punon në: Kombinatin e Prodhimit të Materialeve të Ndërtimit si kryeinxhinier, Ministrinë e Ndërtimit, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit si shef katedre. Mbas daljes në pension në vitin 1986, angazhohet në Akademinë e Shkencave, në fushën e Enciklopedisë, Ndërtimeve Antisizmike pranë Qendrës Sizmologjike, si dhe vazhdimin në Fakutetin e Inxhinierisë si pedagog i jashtëm. Pranohet anëtar i Kolegjumit të Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave, ISK (Kolegjumi Ndërkombëtar i Shkencave) në AIS (International Academy of Sciences) - San Marino, me Nr. 1691 SK 073 datë 21.06.1992. Ka qenë pjesëmarës në grupet e punës së ndërtimeve antisizmike pranë PNUD-it, si dhe në shumë konferenca e aktivitete ndërkombëtare. Ka projektuar (dhe janë zbatuar) disa objekte industriale si dhe godina banimi. Në fushën e ndërtimit ka shkruar 2800 faqe tekste për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Shkollat e mesme profesionale, si dhe metodikat e llogaritjeve te konstruksioneve metalike e druri për ndërtimet antisizmike. Ka botuar disa artikuj shkencor për disa revista shkencore ndërkombëtare në Svicër, Japoni, Francë, San Marino etj. Ka qenë njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Në vitin 2005 zgjidhet Drejtor i "Albana Esperanto-Instituto" Vasil Pistoli ka një kontribut të madh edhe në fushën e Enciklopedisë dhe Kulturës, ku renditen një sërë krijimesh; si Metoda e mësimit të Gjuhës ndërkombëtare "Esperanto", përkthimi Librit "Gjergj Kastrioti - Skënderbeg" në gjuhën Esperanto, , Përkthimi në gjuhën Shqipe të Librit "Realizmi i Ri" i filozofit të madh Gjerman Bruno Vogelmann etj., ai dallohet edhe si bashkëpuntor i shumë emisioneve shkencore Radiofonike e Televizive. Vasil Pistoli ka qenë angazhuar në disa aktivitetet kulturore të organizuara nga UT si Vjolinist i parë në orkestrën e Universitetit të Tiranës. Me rastin e 80 vjetorit të lindjes në takimin e organizuar në sallën e Akademisë së Shkencave, organizuar nga Akademia e Shkencave, Fakulteti i Inxhinierisë si dhe Shoqata e Ndërtuesve cilësohet si "Babai i Ndërtimit Shqipëtar" .

Shikoni dhe

Redakto

Referimet

Redakto