Egjipti duket se kishte për fat të qe Toka e Premtuar e historianëve. Është vetë klima ajo që ruan gërmadhat e të kaluarës. Prodhimet njerëzore, aq të brishta dhe jetëshkurtëra sa veshjet dhe papiruset, ruhen këtu prej mijëra vjetësh dhe as janë përpirë nga tërbimi i Nilit, as janë shkatërruar nga duart e mallkuara. Këtu gjendet pacënueshmëria e objekteve, të cilët nën një klimë më të lagësht, do të ishin shndërruar prej kohësh në pluhur.

Gjyqi i Osirisit: zemra e të vdekurit po peshohet nga Anubisi, zoti me kokë çakalli.

Një tjetër faktor konservimi, i vetmi në llojin e tij, qe feja egjiptiane. Nën ndikimin e koncepteve të tyre fetare, egjiptianët kanë ndërtuar për të vdekurit varret, mbi të cilët koha ka qenë e pafuqishme për të vepruar. Ata i kanë ngarkuar të vdekurit me dhurata të shumëllojshme, me vepra arti të bollshme. Në shenjë nderimi për të vdekurit u ravijëzuan mbishkrimet, relievet, vizatimet. Të gjitha këto përbëjnë nga forma albumin më të bukur të historisë kulturore që mund të imagjinohet.

Egjiptianët dëshironin t'i ruanin trupat e të vdekurve; kjo bëri që të zbulohet arti i balsamimit, i cili duhet t'i datojë vitit 4500 para Krishtit. Ja si realizohhej balsamimi në kohën kur teknika e tij ishte në fazën më të lartë: në fillim nxirreshin truri dhe rropullitë e kufomës, të cilat laheshin me verë palme. Pastaj ajo lihej të notonte për shtatëdhjetë ditë në një solucion të kriposur. Trupi shndërrohej kështu në mumje. Ai tkurrej gjer në atë masë sa lëkura, e bërë mavi dhe e fortësuar, nuk mbulonte gjë tjetër veçse një skelet; mumja mbushej me mirhë dhe lëndë të tjera erëkëndshme, mbështillej me fashëza dhe mbulohej përfundimisht nga një sasi arqite, që e forconte menjëherë. Për ta mbrojtur nga rreziqet e udhëtimit, i vdekuri pajisej me hajmali, midis të cilave gjenden shpesh bubuzhela, domethënë brumbujt e shenjtë të egjiptianëve; bubuzheli ishte i gdhendur në gur, në baltë të pjekur, në xham, apo lëndë të tjera. Kjo kafshëz e vogël ka zakon të mbrujë me jashtëqitjet një lëmsh, të rrokullisë për ta futur nën tokë, pasi të ketë vendosur aty vezët e tij. Ky lëmsh ishte për egjiptianët simbol i diellit dhe ata e paraqesin hyjninë diellore (mes simboleve të tjera) si një bubuzhel që shtynte përpara diskun diellor. Dhe përderisa dielli lindte çdo mëngjes në kupën qiellore, bubuzheli bëhej simbol i ringjalljes së të vdekurve.

Mumja, e qarkuar me fasha dhe e pajisur me hajmali, vendosej në një këllëf që kishte formën e trupit njerëzor; mbi krye kishte të vizatuar fytyrën e të vdekurit. Ky këllëf vendosej pastaj në një ose disa arka, të cilat mund të kutizoheshin tek njëra-tjetra; nëse i vdekuri ishte një njeri i rëndësishëm, arkat mbylleshin në sarkofag guri. Zemra dhe rropullitë e tjera të të ndjerit ruheshin në amfora alabastre, të quajtura kanope. Pas këtyre i vdekuri shoqërohej në banesën e fundit; kortezhi gumëzhinte nga rënkimet dhe këngët mortore të pjesëtarëve të familjes dhe vajtojcave.

Tani bëhej e mundur që shpirti të vizitonte trupin; ky rikthim gjendet vazhdimisht i vizatuar mbi papiruset dhe fashat e mumjeve.

I vdekuri duhej të paraqitej para gjyqit të zotit Osiris, për të mësuar cila do të qe jeta e tij e ardhshme. Ky Zot e jepte drejtësinë në një sallë të madhe, i rrethuar prej 42 demonësh - 42 ishte numri i krahinave të Egjiptit të vjetër. Përpara secilit demon i vdekuri duhej të deklarohej i pafajshëm për një mëkat. Këto dyzetë e dy mëkate mund të përmblidhen në kategoritë e mëposhtme: blasfemi, besimshkelje, vrasje, epsh, vjedhje, gënjeshtër, shpifje dhe dëshmi e rreme. Për të arritur prehjen, i vdekuri duhej të provonte që kishte ushqyer të uriturit, që u kishte shuar etjen të eturve, që kishte veshur ata që ishin lakuriq, dhe që kishte bërë ta kalonin lumin ata që s'kishin barka.

Në këtë gjyq të të vdekurve, për herë të parë ndeshim idenë që fati i të ndjerëve në jëtën e ardshme varet nga mënyra e jetesës mbi tokë. Shekuj të tjerë të mëvonshëm, ky konceptim i përgjegjësisë personale të njeriut, ishte ende i panjohur në popuj të tjerë. Për babilonasit dhe asirianët si i dlirëti, si mëkatari, duhej të zbrisnin në mbretërinë e zymtë të të vdekurve.

Ai që dënohej nga gjyqi i Osirisit fringëllitej në zjarr, në ujin që ziente, ose flakej për t'u ushqyer nga një monstër, përzierje e krokodilit, luanit dhe hipopotamit.

Egjiptianët i perceptonin në mënyra të ndryshme llojet e fatlumësisë. Konceptimi më popullor dëshironte që këta të vdekur të mbarteshin në një tokë të premtuar, në Perëndim; gruri aty lëshonte kallinj shumë metra mbi tokë, jeta s'ishte gjë tjetër veçse hare dhe gëzim. Është e qartë që ky besim ushtronte një ndikim të dobishëm mbi orientimin e njerëzve. Secili kërkonte të vlerësohej si njeri i së mirës. Mbi mbishkrime të shumta mortore, lexohet: "Unë u kam dhënë bukë të uriturve, u kam dhënë për të pirë të eturve; kam veshur ata që ishin lakuriq, kam bërë të kalojnë lumin udhëtarët..."

Një kryetar i fuqishëm province kishte skalitur mbi varrin e tij, pothuajse katër mijë vjeçar, epitafin e mëposhtëm: "Unë nuk dhunuar asnjë vajzë të varfër, nuk kam lënë asnjë vejushë në mjerim, nuk ia kam bërë jetën të vështirë asnjë fshatari, nuk kam dëbuar asnjë bari, nuk kam marrë asnjeri shërbëtor për të më bërë punët pa pagesë. Askush nuk ks njohur mjerimin, askush nuk ka njohur urinë nën qeverisjen time. Kur vinin vite të vështira, kam punuar tokën dhe kam mbjellë fushat nga veriu në jug dhe iu kam dhënë ushqime banorëve të mi. U kam dhënë vejushave po aq sa atyre që i kishin burrat; kur kam shpërndarë dhuratat, nuk kam favorizuar njeriun e rëndësishëm në dëm të të varfërit. Pastaj Nili dërgoi vërshime të mëdha që dhanë grurë dhe të gjitha llojet e zahireve; as në ato çaste nuk kam kërkuar angari. Ja përse isha i dashur për popullin".

Të vdekurit që kishin kapërcyer me sukses provën e gjyqit të Osirisit kishin të drejtën e lumturisë së përjetshme. Ndërkaq ata kërcënoheshin nga disa rreziqe, prej të cilave duhej të mbroheshin me formula nomatisjeje. Për të ndihmuar të vdekurin këto formula ishin gdhendur mbi sarkofag dhe mbi muret e varrit. Pak nga pak ato u mblodhën në të famshmin Libri i vdekjeve, shkruar mbi një rulon papirusi, i cili vendosej në varr në anë të të vdekurit. Kur i ndjeri takonte demonë në forma gjarpërinjsh, krokodila gjigandë, apo dragonj që villnin flakë, ai e dinte çfarë duhej t'iu thoshte për t'i dëbuar; kur mbërrinte përpara një porte që duhej ta hapte, apo përpara një lumi që duhej të kapërcente, ai e dinte çfarë formule magjike do thoshte.

Një shembull i vogël. Formula ndaj krokodilëve ishte: "Largohu! Qërohu, krokodil i mallkuar! Ti s'mund të më afrohesh, sepse unë shoh fjalët magjike, të lindur nga forca që tek unë jeton. "I vdekuri e frikësonte pak më shumë krokodilin duke i thënë: "Dhëmbët e mi të presin si thika guri dhe të shqyejnë si ato të zotit çakall dhe ti, që je atje, i magjepsur, me sy të ngashnjyer nga noomatisjet e mia, nuk mund të arrish të vjedhësh fuqinë time magjike, ti krokodil,ti që shikon veç nga veprimi i magjisë".

Te Libri i të vdekurve gjenden gjitashtu mendime të nivelit të lartë si: "Njeriu do të gjykohet nga mënyra si është orientuar mbi tokë." Ndryshime të tilla, në të njëjtën dhe të vetmen dëshmi, shpjegohen nga fakti që Libri i të vdekurve nuk është një vepër homogjene; kapitujt paraqesin shkallë të ndryshme të evolucionit. Pjesët më të vjetra, pa dyshim që datojnë para pesë, gjashtëmijë vjetësh, ndërsa më të afërtat i përkasin shekullit të shtatë para erës sonë. Me konservatorizmin e tyre karakteristik, egjiptianët ruajtën formula shumë të vjetra që s'kanë më lidhje me konceptet e reja fetare të tyre. E gjejmë këtë konservatorizëm në të gjitha manifestimet kulturore: në fe, në artin e pikturës, në literaturë dhe në organizimin politik. Ata qenë kinezët e antikitetit, në mund të shprehemi kështu, po aq të shkathët dhe të përkorë sa dhe djemtë e Perandorisë Qiellore.

Falë respektit që kishin egjiptianë për gjithçka që ishte e vjetër Libri i të vdekurve është bërë një pasqyrë ku reflektohen të gjitha shkallët në të cilat ka kaluar feja egjiptiane, që nga koha kur populli ishte në gjendje gjysmë të egër, gjer në çastet që filloi të humbiste fuqinë.

Nga fillimi e deri në fund "Libri i të Vdekurve" është plot formula magjie që e ndihmojnë mumjen për t'u mbrojtur, dhe të vdekurin për t'u pranuar në jetën e përjetshme. Ja një nga këto formula, e shkurtuar pak: "Përshëndetje ty, Osiris, zoti im hyjnor! Vetëm prej teje jeta është e pavdirë, gjymtyrët e mi do të njohin jetën e përjetshme. Unë s'do të kalbem. Mua s'do më hanë krimbat. Nuk do të vdes. S'do të jem ushqimi i krimbave. Do të jetoj, do të jetoj. Rropullitë e mia nuk do të kalben. Sytë s'do të më mbyllen, fytyra do jetë ashtu siç e kam tani. Veshët s'do ndalojnë së dëgjuari. Koka s'do të ndahet nga qafa. Gjuha s'do më shkulet. Flokët s'do të më priten. Nuk do më rrafshohen vetullat. Trupi do më mbetet i pacënuar, nuk do të prishet, nuk do të shkatërrohet në këtë botë."

Ekspeditës iu deshën të paktën tri ditë dhe tri net punë të pandërprerë që të nxirrte në dritë këto qindra figurina druri, të pikturuara dhe gdhendura me delikatesë. Gjithçka ishte në një gjendje të mrekullueshme konservimi, madje dhe fijet e holla si pëlhurë merimangash, të punuara me furkë, apo nga mjeshtra për endjen e pëlhurave femërore. U gjetëm gjithashtu dymbëdhjetë barka, të cilat duhej të ishin trashëgimia e princit të vdekur, si dhe shoqëruesit e tij gjatë udhëtimeve mbi Nil. Në kabinën e tij, në anë të barkës më të madhe, dy sëndukë me bakërre ishin radhitur në krevat.

Kishte dhe një grup shumë hijerëndë që paraqiste vetë zotërinë e pushtetshëm, të ulur përpara shtëpisë. Djali dhe trashëgimtari i ishte ulur galiç te këmbët, ndërsa fare afër katër sekretarë të preokupuar për të numëruar bagëtitë e tij.

Zakoni për të vendosur mbi varre figurina që përfaqësonin shërbëtorin u zhduk nga mesi i mijëvjeçarit të dytë, para Krishtit. U zëvëndësua me një të thjeshtë. I ndjeri pajisej me një sozi: një miniaturë e të vdekurit në argjil, në dru, ose metal, zakonisht në formën e një mumjeje, vendosej në një sënduk me permasa të vogla. Kjo sozi mbahej për të bërë të gjitha punët e të ikurit në mbretërinë e të vdekurve.

Shpesh fëmijët merrnin në varr lodrat e tyre. Në varre fëmijësh janë gjetur fuga prej druri, kukulla druri që mund të lëviznin krahët dhe këmbët, një krokodil druri, dhe ai, gjithashtu, mund të hapte gojën, etj. Fëmijët e vdekur merini në varr suvenire më pak të gëzueshme prej ekzistencës tokësore; u vendoseshin në varre fletoret e papiruseve dhe rrasat e tyre. Ushtrimet e bukurshkrimit, të ruajtura mbi këtë pajisje shkollore, kanë për ne vlerë të paçmueshme; ato janë të nevojshme për njohjen e literaturës egjiptiane, sepse një pjesë e madhe e kësaj literature nuk na ka ardhur veçse në kë të formë.

“Të gjithë jemi të barabartë përpara vdekjes.” Kjo s’ishte e vërtetë për egjiptianët e lashtë. Tek ata s’kishte vetëm ndryshime sociale, por edhe ndryshime fetare ndërmjet të pasurit, i cili, i fshehur brenda varrit, mbrohej nga çakenjtë dhe kafshët e tjera të shkretëtirës dhe të varfërit që s’kishte para për të bërë balsamimin e trupit. Eshtrat e tij, të varrosura pa sarkofag, një metër nën rërën e shkretëtirës, bëheshin shumë shpejt viktimë e kohës dhe kështu, ai s’mund të merrte pjesë në lumturinë e përtej varrit. Ata që ishin më pak të pasur punonin me të gjitha forcat për të grumbulluar të hollat e domosdoshme për një funeral të përshtatshëm, ose për të siguruar të paktën një vend në varret kolektive që sipërmarrësit e shkathët i bënin duke gërryer shkëmbinjtë.

Ky shqetësim ishte aq i madh, sa ndodhte që ndonjë të vidhte gurë për varrin e vet.

Një akt i vjetër juridik, para 3,000 viteve, e tregon kështu fajin e një kryepunëtori: “Ai urdhëroi njerëzit e vet të hiqnin gurë nga varri i mbretit Sethi II. Me këta gurë ndërtoi pesë shkallë për varrin e vet.” Në një varr tjetër, ai përvetëso dy ekzemplarë të Libri i të Vdekurve – të cilat mendon se do t’i shërbejnë në jetën e përtejshme – dhe futet në një varr të tretë, për të përlarë diçka mbi varrin ku pushonte i vdekuri. Vjedh kupat e temjanit dhe verë, të destinuara si blatime funerale për mbretin. Në banesën e tij gjendet një objekt me vlerë të madhe, i marrë në varrin e një mbretëreshe. Tregimi na mëson se ky njeri merrte kaq rreziqembi vete, për të siguruar lumturinë e përjetshme, ishte një horr-horri. Jetonte në mëkat me gratë e punëtorëve të vënë nën urdhërat e tij dhe vidhte gjithçka që i binte në dorë. Ndonjëherë zbavitej duke u kacavirrur mbi një mur, që t’iu hidhte tulla punëtorëve. Ai e kurorëzoi këtë karrierë të bukur, kur disa nga vartësit, të lodhur nga fyerjet e tij, shkuan të ankoheshin te mbreti. Ai i masakroi, “me qëllim që ata të mos sileni asnjë mesazh nga faraoni.

Ky mëkatar, me sa duket, nuk do ta ketë fituar pavdekësinë me këto mënyra, por ai ka zënë për veten një vend të çuditshëm në Histori.

Referimet

Redakto

[1]