Vendbanimet prehistorike të Podgories
Pozita gjeografike
RedaktoFshati Podgorie bën pjesë në vargun e fshatrave që shtrihen gjatërrëzës së Malit të Thatë, në skajin më verior të fushës së Korçës. Në drejtim të vedbanimit ajo kufizohet nga lartësitë e kodrave që janë vazhdim i Grabovicës, që shërben si prag ndarës midis fushës së Korçës dhe depresionit të Ohrit dhe Cerravës. Në anën jugperëndimore shtrihet fusha e gjerë dhe pjellore e Korçës që mbyllet nga veriu në vargun e Malit të Thatë, i cili zbret mbi fushë në faqe shumë të pjerrët.
Ky mjedis natyror ku gjenden njëkohësisht zona e gjerë fushore e Korçës, relievi malor si dhe rrjedhja e ujrave të lumit Devoll u siguronte banorëve prehistorikë kushte shumë të përshtatshme për jetesë. Është me sa duket për këtë arsye që brenda territorit të fshatit Podgorie në një largësi jo më të madhe se 15 km nga njëri-tjetri ruhen gjurmët e dy vendbanimeve prehistorike të cilat janë emërtuar si Podgoria I dhe Podgoria II.[1]
Podgorie I
RedaktoVendbanimi i Podgories I ndodhet në ngastrën bujqësore që shtrihet në juglindje të fshatit, në të dy anët e rrugës automobilistike që të shpie në fshatin Vreshtas. Kjo ngastër njihet nga populli me emrin "Kishnik". Këtu që në vitin 1970 u gjetë i shpërndarë mbi sipërfaqe një material arkeologjik i shumtë e i larmishëm. Shumëllojshmëria e lëndës arkeologjike të mbledhur flet qartë për karakterin shumështresor të këtij vendbanimi. Nga ana tjetër, fakti që i gjithë ky material i ndryshëm ka dalë mbi sipërfaqe nga e njëjta thellësi tregon se stratigrafia e vendbanimit duhet të ketë një shtrirje më tepër horizontale se sa vertikale.
Kjo u pasqyrua edhe në sondazhin e vitit 1974, gjatë arkeologët zbuluam një shtresë të vetme kulturore me trashësi deri 1.30 m. Lënda arkeologjike e gjetur në këtë shtresë edhe pse e pakët ruante tipare të qarta të neolitit të hershëm gjë që dukej nga ngjashmëria e plotë e saj me atë të zbuluar në Vashtëmi.
Klasifikimi dhe përcaktimi kronologjik i pjesës tjetër të materialit është bërë duke e krahasuar me kulturat e periudhave të ndryshme prehistorike të njohura në pellgun e Korçës. Në bazë të kësaj metodologjie janë përcaktuar disa periudha të veçanta të prehitorike nga neoliti i hershëm në bronzin e vonë.[2]
Podgorie II
RedaktoNdodhet në anën veriperëndimore në kufi të banesave të fshatit, në ngastrën bujqësore që quhet "Luadishtë" Në të gjithë trashësinë e shtresës kulturore, që lëvizte nga 0.85-1.05 m, u vërejtën të njëjtat elemente të njohura edhe nga gjetjet sipërfaqësore. Këto të fundit janë relativisht të shumta e të larmishme në Podgorien II dhe krijojnë mundësi për një njohje të mirë të veçorive kulturore e kronologjike të saj. Ato përfaqësohen nga mbeturina banesash, kocka kafshësh, vegla pune dhe copa qeramike.
Në të gjithë sipërfaqen e vendbanimit u gjetën mbeturina të shumta banesash të djegura si copa balte të pjekur me përmbajtje byku. Gjurmët e trarëve, të binarëve dhe purtekave të gjetura në shumë nga këto copa na njohin tërthor edhe me ndërtimin e banesës neolitike. Kockat e kafshëve të trasha e të imta të mbledhura në sipërfaqen e këtij vendbanimi janë një tregues me shumë interes për njohjen e një ane të veçantë të veprimtarisë jetësore të këtyre banorëve siç është blegtoria e gjuetia. Nga kockat e kafshëve dallohen qartë dhëmbë derri, nofulla dhe brirë dreri, por ka dhe mjaft copa kockash ende të papërcaktuara.
Velglat e punës përfaqësohen nga sëpata guri me përmasa të ndryshme, një topuz guri me bosht të tejshpuar, thika stralli si dhe një shtypës mokre. Sëpatat paraqiten në dy tipa, në formë kallëp këpuce e në formë gjuhe.[3]