Vera Urumi (Vreshtazi 4 Shkurt 1932 - 27 Mars 2019) ishte një aktore shqiptare e teatrit Aleksandër Moisiu ne Durrës. Ajo gjithashtu ishte edhe bashkëshortja e artistit te madh Spiro Urumi.

Lindi më 4 shkurt 1932, por në pasaportë data zyrtare e lindjes së saj është 25 mars 1932. Aktorja që krijoi mbi 100 role në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” mbante titullin e nderuar “Artiste e Merituar”. Artistja durrsake, Vera Urumi, veterania e skenës së teatrit dramatik “Aleksandër Moisiu”, e lidhi jetën e saj me një artist të shquar si Spiro Urumi dhe e bëri teatrin familjen e saj të dytë. 70 vjet më parë kur u ngjit për herë të parë në skenë, Vera 17-vjeçare nuk ka menduar se do të zbriste prej saj vetëm në fundin e viteve 1980, atëherë kur doli në pension. Do të dilte mijëra herë para spektatorëve dhe do të vishte “kostumin” e gati 100 personazheve të ndryshme, secili krejt i veçantë nga tjetri, po i përgatitur me të njëjtin pasion dhe seriozitet që karakterizon një artist profesionist. "Vera Urumi erdhi si profesioniste në trupën tonë të sapoformuar",- kujtonte aktori Lutfi Hoxha, një nga veteranët e vitit 1953.

Vera Vreshtazi, vajza nga Durrësi, do t’i hidhte hapat e parë në mjeshtërinë e aktorit në kryeqytet, në trupën e Teatrit të Ushtrisë, një nga ansamblet e parë teatrorë të vendit. Strehohej në shtëpinë e Gjikë Kuqalit, një prej shkrimtarëve të njohur të pasluftës, ndërsa shoku i saj më i mirë do të bëhej Spiro Urumi, i cili kryente shërbimin ushtarak pranë së njejtës trupë teatrore. Durrësi nuk kishte ende një teatër profesionist dhe Vera që nuk i kishte mbushur të 20 vjetët iu bashkëngjit trupës së sapokrijuar të Shkodrës, duke perfeksionuar mjeshtërinë artistike mes aktorëve me emër. Një telegram që mbante nënshkrimin e Nikolin Xhojës dhe Tod Thanasit në janar të vitit 1953 e ka risjellë në Durrës aktoren profesioniste Vera Vreshtazi. Kanë mjaftuar fjalët: “Teatri profesionist i Durrësit u aprovua. Të presim!” dhe Vera nuk ka hezituar. Tashmë ajo do të ishte pjesë e pandarë e teatrit profesionist të Durrësit. Ashtu siç do të ishte e pandarë në asnjë moment nga bashkëshorti i saj artist Spiro Urumi. Lutfi Hoxha tregon se roli i Zinës e ka pagëzuar karrierën artistike të Verës në teatrin e Durrësit, i cili deri në vitin 1964 e kishte sallën e tij në ish-kinemanë “14 nëntori”. Më pas rolet kanë qenë të pafund. Disa nga rolet e realizuara nga Vera në skenë janë veprat dramatike e komike “Pulëbardha”, “Dredhitë e Skapenit”, “Sëmundje e rrezikshme” apo “Nota zero në sjellje”. Në fundin e viteve 1970, Vera Urumi nderohet me titullin “Artiste e merituar”. Sipas kolegut dhe mikut të saj Lutfi Hoxha, për Verën nuk kishte role të vegjël e të mëdhenj. Ajo interpretonte me të njejtën dashuri si rolet komikë ashtu edhe ata me forcë dramatike. Komedia “Nusja dhe vjehrra” merrte njëlloj duartrokitje si drama “Mbrapa mureve”; “Dredhitë e Skapenit” vlerësohej me të njejtin seriozitet si “Votra e huaj”, e po ashtu “Familja e peshkatarit” përballë kryeveprës së Gogolit “Martesa”, një komedi që “udhëtoi” për vite me radhë në të gjithë vendin e që u shfaq më shumë se 400 herë. Një triumf për trupën e Durrësit e veçanërisht për dy protagonistët e saj Nikolin Xhoja e Vera Urumi-kujton Lutfi Hoxha. Një jetë intensive në skenë për Vera Urumin, një shembull për t’u ndjekur nga aktorët e brezit të ri. U nda nga jeta më 27 mars 2019.