Wikipedia:Artikuj për shqyrtim/Gustav WEIGAND
Gustav WEIGAND
RedaktoReview waiting, please be patient.
Stampa:AfC status/age There are Stampa:AFC status waiting for review.
Stampa:AfC submission/helptools Stampa:AfC submission/tools |
Gustav WEIGAND Subjekti i artikullit është... 1. Themelimi i Institutit Ballkanik (1915) dhe i Seminarit të Gjuhës shqipe në Universitetin e Lajpcigut. 2. Takimet e para të G. Weigand-it me gjuhën shqipe; udhëtimet në Shqipëri. 3. Veprat albanologjike të G. Weigand-it dhe përmbajtja dhe karakteristikat dhe vlerat e tyre. 4. G. Weigand-i për çështjen e gjuhës letrare kombëtare (të përbashkët) shqipe. 5. Teza e Weigand-it për prejardhjen e Shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe; kritika ndaj saj dhe pikat pozitive të vështrimit të këtij problemi nga ana e Weigand-it.
I. Jeta.
Gustav Weigand-i lindi në Duisburg, një qytet në bregun e majtë të Rinit (Nordrhein-Westfalen). Ndoqi shkollën në Giessen. Punoi disa kohë si mësues, pastaj studioi për gjuhët moderne në Universitetin e Lajpcigut. Në v. 1887 qëndroi tre muaj në Greqinë e Veriut ku studioi dialektin arumun të popullsisë vllahe të atjeshme dhe me këtë material shkroi disertacionin e doktoratës me temë: “Die Sprache der Olympo-Walachen nebst einer Einleitung über Land und Leute” (Lajpzig, 1888). Më 1893, me përkrahjen materiale të qeverisë rumune, themeloi në Lajpcig Institutin e Gjuhës Rumune; më 1906 me përkrahjen e qeverisë bullgare themeloi Institutin e Gjuhës Bullgare; këto institute më 1917 i ktheu në një Institut Ballkanik (1917). Në vitet 1896–1928 punoi si profesor i filologjisë romane në Universitetin e Lajpcigut, ku zhvilloi një veprimtari të dendur studimore e botuese dhe hapi drejtime të reja në romanistikë (për studimin e rumanishtes e të dialekteve të saj) dhe në studimin e gjuhëve të Ballkanit. Më 1925 ngriti Seminarin e Gjuhës Shqipe, që vijoi punën pesë vjet. Pas vdekjes së tij biblioteka e këtij seminari i kaloi Bibliotekës së Universitetit të Lajpcigut. Siç shkruan për të Aleksandër Xhuvani, “Studimet e fella mbi gjuhët e Ballkanit Weigand-i nuk i ka ba tue qenë ndrymë në dhomën e vet të studimit, por tue marrë rrugë vetë nëpër dhenat e Ballkanit, tue mos përfillë çdo lodhje e mundim, tue kapërcye çdo vështirësi të rrjedhun prej mungesës së ndonjij ndihme e tue vumë gjith interesin e gjith fuqin e mendjes së vet.” Gjatë këtyre udhëtimeve G. Weigand-i mblodhi materiale të shumta gjuhësore e etnografike, që i pasqyroi në studimet dhe botimet e tij.
G. Weigand-i u interesua që herët për gjuhën shqipe. Ai kishte studiuar gramatikën e shkurtër të shqipes të hartuar nga G. Meyer-i (1888), por ajo nuk ishte e përshtatshme për mësimin e gjuhës, sepse autori e kishte trajtuar sistemin gramatikor të shqipes nga pikëpamja e gjuhësisë indoeuropiane. Në vitin 1888 G. Weigand-i u njoh në Manastir me Gjerasim Qiriazin, prej të cilit mësoi toskërishten, dhe në dimrin e viteve 1889–1890 u njoh në Athinë me studentin elbasanas Efraim Gjini, prej të cilit mori njohuri për gegërishten e Elbasanit. Kjo i dha dorë që të zgjerojë e të thellojë njohjen e gjuhës shqipe. Më 1909 ndërmori një udhëtim studimi për të mësuar më mirë shqipen dhe për të mbledhur materiale të reja. Shkoi së pari në fshatin Arbënesh në Kroaci, ku mblodhi lëndë dialektore, që i shërbeu për studimin e së folmes së atij ngulimi shqiptar të shek. XVIII. Prej andej vijoi udhëtimin në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, ku studioi të folmet përkatëse, mblodhi materiale dhe nisi punën për një gramatikë të gjuhës shqipe. Më 1912 erdhi përsëri në Elbasan, ku bashkëpunoi me mësuesin e shkollës Normale Simon Shuteriqin për të saktësuar e përmirësuar dorëshkrimin e gramatikës së tij. Më tej G. Veigand-i nuk erdhi më në Shqipëri, por u mor intensivisht edhe me problemet e gjuhës shqipe dhe solli ndihmesa e ide të reja. Me veprën e tij albanologjike ai e bëri më të njohur gjuhën shqipe në rrethet e studiuesve, vlerësoi rolin e veçantë të shqipes si gjuhë e lashtë në Ballkan dhe u bë një përkrahës i popullit shqiptar në përpjekjet për një shtet kombëtar të lirë e të pavarur.
II. Veprat albanologjike.
G. Weigand-i studimet themelore i ka në fushën e rumanishtes dhe të ballkanistikës. Instituti i Gjuhës Rumune i themeluar prej tij në Universitetin e Lajpcigut e bëri atë Universitet një nga qendrat kryesore të romanistikës në Europë. G. Weigand-i themeloi “Vjetarin e Institutit të Gjuhës Rumune”, i cili në vitet 1921–1924 mori një përmbajtje dhe emër të ri, duke u quajtur “Balkan-Archiv”. Vepra e parë e G. Weigand-it në fushën e shqipes është studimi “Der gegische Dialekt von Borgo Erizzo bei Zara in Dalmatien” (1911). Pas dy vjetësh botoi “Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt” (Lajpcig, 1913, XIV + 189 f.), që mbështetet në materialet e të folmeve të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit. Krahas shpjegimeve gramatikore, libri përmban edhe ushtrime, copa leximi e përralla. Autori kishte menduar që kësaj gramatike t’i shtonte në fund një fjalorth të fjalëve të përdorura në të, por lënda e pasur që mblodhi, i dha mundësi ta botojë si vepër më vete: “Albanesisch-Deutsches und Deutsch-Albanesisches Wőrterbuch” (Lajpcig, 1914, X + 179 f.). Më 1922 botoi edhe një punim tjetër dialektologjik, këtë herë për shqipen e folur në Atikë. Më 1923 botoi një pjesë nga vepra e Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve” (1685), duke e shoqëruar me një studim që përmban të dhëna me interes për gegërishten verilindore dhe me një fjalorth të nxjerrë nga ajo vepër. G. Weigand-i u mor edhe me të folmet e Arvanitasve (Arbëreshëve të Greqisë), për të cilat boti edhe një studim të posaçëm: ‘Das Albanische in Attika” (në: “Balkan-Archiv” 1925, 2, f. 167–220). Më 1927 G. Weigand-i botoi në “Balkan-Archiv” një artikull, që ngjalli mjaft diskutime: “Sind die Albaner Nachfolger der Illyrier oder der Thrakaer?”. Po atë vit botoi edhe studimin “Shpërnguljet e Shqiptarëve në Transilvani”, ku trajton çështjen e marrëdhënieve gjuhësore shqiptare-rumune.
III. Ndihmesat shkencore.
1. Në fushën e dialektologjisë, të gramatikës dhe të leksikografisë. G. Weigand-i ka meritën se studioi i pari të folmen shqipe të Arbëneshit, ngulim shqiptar në Kroaci. Ngulimet, siç dihet, për gjuhësinë kanë deri diku rolin e fosileve për biologjinë, pasi ruajnë një gjendje gjuhësore të vjetër. E folmja e një popullsie të shpërngulur nuk merr pjesë në zhvillimet e gjuhës nga është shkëputur. Prandaj studimi i të folmeve të ngulimeve ka tërhequr gjithnjë interesimin e studiuesve. G. Weigand-i me punimin e tij për të folmen e Arbëneshit ngjalli interesimin edhe të studiuesve të tjerë për këtë të folme. Më 1937 albanologu italian Carlo Tagliavini botoi studimin “L’albanese di Dalmazia” (“Shqipja e Dalmacisë”), më 1940 edhe albanologu austriak Norbert Jokl botoi një studim për këtë të folme “Zur Erforschung der albanischen Mundart von Borgo Erizzo in Dalmazzien”; më 1958 për këtë të folme shkroi disertacionin e doktoratës gjuhëtari kosovar Idriz Ajeti . Vepra “Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt” është gjithashtu edhe një punim dialektologjik, pasi përshkruan sistemin gramatikor të gegërishtes jugore. Në pjesën e parë trajtohet sistemi fonetik (tingujt e të folurit) dhe sistemi morfologjik: përshkruhen pjesët e ligjëratës, format e tyre dhe jepen elementet kryesore të fjalëformimit. Këtu autori ka përfshirë edhe një varg ushtrimesh, pasi gramatika është synuar edhe si libër mësimi i shqipes. Në pjesën e dytë dhe të tretë autori ka riprodhuar copa të ndryshme nga libri “Katër Ungjillat e zotit dhe Shelbuesit tonë Iesu Krishtit dhe Punët e Apostuivet”, përkthyer nga K. Kristoforidhi në të folmen e Elbasanit dhe botuar në vitin 1866. Veç këtyre janë përfshirë edhe kallëzime e këngë popullore të mbledhura në Elbasan, Durrës, Tiranë, d.m.th. në dialektin e gegërishtes jugore. G. Weigand-i ka theksuar këtu se ndryshimet ndërmjet të folmeve të Tiranës dhe Durësit me të folmen e Elbasanit janë të parëndësishme. Në Parathënien e “Gramatikës” G. Weigand-i ka dhënë edhe një arsyetim pse zgjodhi dialektin e gegërishtes jugore si bazë për gramatikën e tij. Para së gjithash, – shpjegon ai, – qe e nevojshme të zgjedh një dialekt të mesëm, që të kuptohej njëlloj si prej Toskëve ashtu edhe prej Gegëve, dhe si i tillë mund të vinte në vështrim vetëm gegërishtja jugore, megjithëse kjo nuk është përdorur si gjuhë letrare. Shumica e popullsisë së Shqipërisë së Mesme, – vijon ai –, është myslimane dhe fanatizmi i klerit e bëri të pamundur zhvillimin e aq më pak fiksimin e gjuhës kombëtare, kurse në Veri me anë të propagandës katolike iu dha hov zhvillimit të një letërsie në gjuhën kombëtare dhe me alfabetin latin. Në Jug, ku shkollat greke vepronin prej një kohe të gjatë, u fillua shpejt të shkruarit në gjuhën amtare dhe këtu filloi një propagandë e dendur kombëtare. Për këtë arsye ndodhi që Gegët ortodoksë të Jugut përdorën si gjuhë shkrimi dialektin toskërisht dhe jo të tyrin; kjo toskërishte, që i përket pothuaj dialektit të Korçës, me trajtat e saj më të plota dhe me pasurinë gjuhësore është mjaft e vështirë për Gegën e Veriut. Anasjelltas gegërishtja e Veriut (e Shkodrës) është në të shumtën e pakuptueshme prej Toskës për arsye të trajtave të saj të sinkopuara dhe të asimilimit të tingujve qiellzorë. Të gjitha këto vështirësi zhduken, në qoftë se merret dialekti i gegërishtes së jugut. G. Weigand-i mendonte se Elbasani, me pozitën e vet gjeografike ishte shumë i përshtatshëm për t’u bërë kryeqytet dhe hapja e shkollës Normale në atë qytet më 1909 ishte një fillim i mirë për t’i dhënë dialektit të Elbasanit, përkatësisht gegërishtes jugore (që përfshin Durrësin Tiranën, Dibrën dhe Strugën), vendin që i përket. Dialekti i gegërishtes jugore nuk duhet të vështrohet si një dialekt i përzier gegërisht – toskërisht, sepse ai përmbledh të gjitha karakteristikat e gegërishtes, është jo vetëm dialekti më i kuptueshëm për të gjithë Shqiptarët, por edhe dialekti që mund të mësohet më lehtë. Dialekti i gegërishtes jugore përfaqësohet edhe në veprën “Albanesisch-Deutsches und Deutsch-Albanesisches Wörterbuch” (Leipzig, 1914), ku pjesa shqip-gjermanisht zë 106 faqe dhe pjesa gjermanisht-shqip 73 faqe. Fjalët e fjalorit janë dhënë në formën fonetike të gegërishtes jugore, duke shënuar edhe gjatësinë e zanoreve (me një vizë mbi shkronjën përkatëse: ā, ē, ī, ō, ū) dhe hundorësinë (me theksin ^), p.sh.: dill (diell), dhallt-i (dhallë), kâng (këngë), lāj, likur (lëkurë), lūj (luej), mërthej (mbërthej), mëshef (fsheh), ngîj, pamuk (pambuk), pê-ni (pe-ri), ufëll (uthull) etj., por një pjesë e madhe e fjalëve kanë të njëjtën formë si në mbarë shqipen. Fjalori përmban mjaft turqizma që ishin atëherë në përdorim. Aty-këtu autori ka vënë shënime për burimin (etimologjinë) e fjalëve nga gjuhë të ndryshme fqinje ose nga brumi indoeuropian. Fjalori i G. Weigand-it ka bërë të njohur për studiuesit një lëndë të re leksikore dhe është përdorur edhe për hartimin e fjalorëve të tjerë të mëvonshëm. 2. Në fushën e marrëdhënieve gjuhësore shqiptare-rumune. Duke u thelluar në njohjen e gjuhës shqipe, G. Weigand-i e zgjeroi rrethin e problemeve që do të përfshinte në hulumtimet e tij. Ai e drejtoi vëmendjen edhe te lidhjet e jashtme të shqipes, kryesisht te lidhjet e shqipes me gjuhët e Ballkanit e në radhë të parë me rumanishten. Prej kohësh ishin vënë re përkime ndërmjet shqipes e rumanishtes në sistemin fonetik, gramatikor e në një numër fjalësh; në disa raste në këto përkime shqiptare-rumune merr pjesë edhe bullgarishtja me maqedonishten. Për shkak të mungesës së të dhënave historike për periudhën e Mesjetës së hershme (d.m.th. nga rënia e Perandorisë Romake në vitin 476 deri në vitin 1000) dhe të materialeve gjuhësore të shkruara në këto gjuhë, historia e tyre dhe e popujve që i kanë folur, mbetet e errët. Në v. 1927 G. Weigand-i botoi në përmbledhjen “Balkan-Archiv” (vëll. III) artikullin “Shpërnguljet shqiptare në Transilvani”, ku trajtoi elementet e përbashkëta dhe ngjashmëritë e shqipes e të rumanishtes në një mënyrë më të gjerë dhe vuri në dukje se një numër prej tyre e kanë burimin te shqipja ose më mirë te ajo gjuhë e mesjetës së hershme, prej së cilës u zhvillua shqipja e sotme.
3. Në fushën e prejardhjes së shqipes dhe të Shqiptarëve.
Siç dihet, shumica e studiuesve që prej H. Thunmann-it kanë qenë të mendimit se shqipja buron nga ilirishtja dhe shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve (ose të disa fiseve ilire) të jugut. G. Weigand-i në një artikull të botuar në vitin 1927 me titull “A janë Shqiptarët pasardhës të Ilirëve apo të Trakëve?” shtroi 12 argumente kundër hipotezës së prejardhjes ilire të Shqiptarëve. Këto janë: 1) Emrat latinë të vendeve në Shqipëri, si p.sh. Domni (fshat i Shkodrës), Patosa (Patosi), Valbona etj., nuk paraqesin atë trajtë fonetike që duhej të kishin, po të kishin banuar Shqiptarët vazhdimisht në trevat e tyre të sotme, por kanë trajtën e dalmatishtes ; 2) Terminologjia e lundrimit dhe e peshkimit në gjuhën shqipe është me burim të huaj (greqisht, venecianisht, sllavisht, turqisht), kur dihet se Ilirët kanë qenë detarë me një gjuhë të pasur me terma të tillë, të cilët duhej të ishin ruajtur në shqipe, të paktën pjesërisht; pra shqiptarët duhet të jenë të ardhur në bregdet nga viset e brendshme; 3) Në gjuhën shqipe nuk ka gjurmë të ndikimit të dalmatishtes së vjetër dhe kjo dëshmon që stërgjyshërit e Shqiptarëve janë vendosur relativisht vonë në brigjet e Adriatikut; 4) Në gjuhën shqipe ka disa fjalë prej burimit trak, p.sh. modhull (rumanisht mazare), man (trakisht mantia); 5) Disa emra personash e visesh në Daki shpjegohen me anë të shqipes, p.sh. Decabalus (emri i një mbreti të Dakëve) mund të shpjegohet si Daki-bal “Balli i Dakëve”, emri i një mbreti tjetër Burebista = burrë-bisht; emri Drizupara si “qytet drizash”, Burideva si “kështjellë burrash”, elementin -deva që përmbajnë një numër emrash vendesh të Dakisë, si Argideva, Dakideva, Morodeva, Pulpideva etj. Weigand-i e lidh me emrin shqip “dhe”; te gjymtyra e dytë e emërtimit Dacia maluensis ai shikon një fjalë që lidhet me shqipen mal; 6) Po të kishin banuar shqiptarët gjithnjë në trojet e tyre të sotme, emrat e lashtë të vendeve do të ishin zhvilluar sipas fonetikës së shqipes, p.sh. emri Ilir Tómaros ose Tomarós duhej të kishte dhënë në gjuhën shqipe Tomër ose Tëmar, dhe jo Tomor, që është një formë sllave; emri Scampínus duhej të kishte dhënë në gjuhën shqipe Shkëmb2, kurse forma e sotme Shkumbín tregon se ky emër ka kaluar nëpër gojën e një popullsie sllave. Po kështu qëndron çështja edhe me emra si Durrës, Vlorë, Pojan (nga Apolonia), Devoll etj.; 7) Shqiptarët nuk zihen në gojë para shek. XI , sado që trevat e tyre përmenden në shumë dokumente edhe në lidhje me popullsinë. Po të kishin qenë Shqiptarët aty, si do të kishin mbretur pa u përmendur? 8) Lidhjet rumune-shqiptare të burimit jolatin janë aq të thella sa të bëjnë të mendosh se shqipja mund të jetë zhvilluar vetëm në një trevë ku u zhvillua dhe rumanishtja. Kjo trevë nuk mund të ketë qenë në Iliri, sepse këtu lindi dalmatishtja e vjetër, që ndryshon qenësisht nga rumanishtja. Kjo trevë nuk mund të ketë qenë tjetërkund veçse në territorin e Trakëve brenda trekëndëshit Nish–Sofje–Shkup. 9) Në rumanishte ka disa elemente latine, të cilat nga forma që kanë, nuk mund të shpjegohen ndryshe veçse me ndërmjetësinë e shqipes; pra duhet të ketë pasur një bashkëjetesë të gjatë ndërmjet dy gjuhëve dhe kjo nuk mund të ketë ndodhur as në Daki, as në Iliri, po vetëm në Traki, ku ka qenë djepi i Rumunëve. 10) Elementet latine të shqipes e të rumanishtes përkojnë në një mënyrë aq të shënueshme ndërmjet tyre, saqë duhet të jenë përftuar në rrethana kulturore, vendore e gjuhësore të njëjta. 11) Ka disa përkime ndërmjet folklorit të Shqiptarëve e të Rumunëve, që nuk gjenden në folklorin e Serbëve e të Bullgarëve, të cilët banojnë ndërmjet tyre. Këtu hyn ndër të tjera tatuazhi (malësorët shqiptarë të Veriut shkruajnë krahun dhe kraharorin, barinjtë vlleh shkruhen në ballë me kryq a me yll), figura e kuçedrës, e zanës. 12) Mënyra e të kënduarit të këngëve te Shqiptarët e te Rumunët paraqet një shëmbëllim të çuditshëm si nga melodia, ashtu dhe nga mënyra e të ndërtuarit të strofave. Duke u mbështetur te këto argumente G. Weigand-i formulon tezën se Shqiptarët janë pasardhës të fisit trak të Besëve, të cilët deri në shek. VI të erës së re nuk qenë romanizuar dhe se Shqiptarët e Rumunët u formuan si popuj me gjuhët e veta në periudhën ndërmjet viteve 600–900 në hapësirën gjeografike të trekëndëshit Nish–Sofje–Shkup. Ai pranon se diçka ndër argumentet e tij mund të mos jetë e sigurt ose mund të jetë e gabuar, por nga ana tjetër mund të gjendet edhe material i ri për ta mbështetur këtë teori, e cila herët a vonë do të gjejë miratim të përgjithshëm. Prof. E. Çabej ka vlerësuar si anë pozitive të kësaj teorie se ajo problemin e burimit të gjuhës shqipe e ka vështruar në një bazë më të gjerë, në kuadrin ballkanik, sidomos në lidhje me burimin e rumanishtes. Shpjegimi i lidhjeve shqiptaro-rumune mbahet si një problem qendror i ballkanistikës. Veç kësaj, G. Weigand-i është mbështetur jo vetëm në të dhëna gjuhësore, po edhe në të dhënat e etnografisë. Këtë teori e kanë kritikuar disa albanologë. Si anë negative e saj është vënë në dukje mospërfillja e marrëdhënieve ilire-shqiptare, të pranuara nga mjaft studiues, për t’u lënë vend vetë marrëdhënieve trake-shqiptare. Nuk ka asnjë mbështetje historike teza se Shqiptarët qenkan formuar si popull në periudhën ndërmjet viteve 600–900 në një zonë qendrore të gadishullit të Ballkanit dhe se ardhkan prej fisit të Besëve. Argumentet e G. Weigand-it nuk janë aq të pakundërshtueshme, siç duken në vështrim të parë. Në disa nga përkimet trake-shqiptare merr pjesë edhe ilirishtja, p.sh. fjala shqipe mal dhe rumanishtja mal ‘breg’ gjen analogji jo vetëm te trakishtja (emri i vendit Dacia maluensis), por edhe te ilirishtja (Dimallum, Maluentum – emra vendesh), pra disa nga analogjitë janë tripalëshe e jo dypalëshe. Lidhur me çështjen e termave të lundrimit e të peshkimit, vërtet emërtimet teknike dhe shumica e emrave të peshqve janë huazime, por ka edhe një numër fjalësh me karakter të përgjithshëm që janë të fondit autokton, si anije, det, pellg, va etj. Sa për argumentin se Shqiptarët, meqë nuk përmenden para shek. XI, duhet të jenë ardhës në trojet e tyre të sotme, ky nuk çon peshë, sepse zakonisht në historia shënon lëvizjet e popujve. Heshtja e burimeve nuk mund të jetë argument për të kundërtën. Analogjitë shqiptaro-rumune në fushën e kulturës popullore (veshjet, orenditë, këngët e vallet, figurat mitologjike etj.) nuk është e thënë të jenë patjetër trashëgim prej Trakëve, ndër to ka gjasa të ketë edhe elemente ilire. Po më me rëndësi është se kërkimet e disa studiuesve të mëvonshëm, ku veçohen sidomos gjuhëtarët shqiptarë Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, kanë vërtetuar në mënyrë bindëse se emërtimet gjeografike të lashtësisë si: Dyrachium, Lisus, Scupi, Scodra, Scardus, Drivastum, Drinus, Barbana, Mathis, Isamnus, Aos, Aulona kanë dhënë përkatësisht format e sotme: Durrës, Lesh (Lezhë), Shkup, Shkodra, Sharr (mali), Drisht, Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Vjosë, Vlonë/Vlorë sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. duke kaluar pa ndërprerë nëpër gojën e Shqiptarëve. Kërkimet e G. Weigand-it në fushën e marrëdhënieve ndërmjet popujve dhe gjuhëve të Ballkanit gjatë Mesjetës së hershme i dhanë nxitje krijimit të një drejtimi të ri kërkimesh të quajtur gjuhësi ballkanike. Si themelues i saj njihet gjuhëtari danez Kristian Sandfeld , një nga nxënësit e G. Weigand-it. Gjuhësia ballkanike studion tiparet e përbashkëta të gjuhëve si shqipja, rumanishtja, bullgarishtja, maqedonishtja, greqishtja e re, që hyjnë në të ashtuquajturën Lidhje Gjuhësore Ballkanike. Në këtë mes shqipja dhe rumanishtja vlerësohen si gjuhët që kanë një vend qendror në këtë Lidhje.
Referenca
Redakto- Artikulli “Shtatëdhjetëvjetori i prof. Gustav Weigand-it”, botuar në gazetën “Rilindja e Arbënis” (Tiranë, 10 mars 1930).
- Idriz Ajeti, Vepra 1. Zhvillimi historik i së folmes së gege të Arbëneshëve të Zarës. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Prishtinë, 1997, 175 f.