Xhamia Mbret në Berat Monument Kulture


Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit e shpallur monument kulture që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit të XV. Përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minareja. Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi ne murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit formojnë strukturën dekorative të saj. Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme të Kuranit. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të Zotit.