Delta e luginës së Lumit Buna


Lumi Buna ndodhet në segmentin fundor jugperëndimor të kufirit shqiptaro-malazez. Ky lum buron nga Liqeni i Shkodrës, fare pranë qytetit të Shkodrës, ndërmjet kodrës së Kalasë Rozafa dhe Malit të Taraboshit. Buna është i vetmi emisar i Liqenit të Shkodrës. Buna në fillim drejtohet nga jugu, rrëzë Taraboshit, më tej ajo gjarpëron drejt perëndimit e më pas merr përsëri drejtimin drejt jugut, derisa derdhet në Detin Adriatik. Kufiri shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malin e Zi përshkon së gjati Bunën nga fshati Samrish në Shqipëri dhe Goricë në Mal të Zi, duke vazhduar deri në grykëderdhje. Lumi ka gjatësi 44 km dhe rrjedh përgjatë fushave të Bregut të Bunës ku përfshihen Fusha e Anamalit në të djathtë të lumit dhe Fusha e Trushit bashkë me fushën e Velipojës në të majtë.