At Pjetër Meshkalla


"....Na jemi gurët (të mëdhaj o të vogjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në themel të parë! Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!..." Padër Pjetër Meshkalla S.J. ishte Meshtar Katolik, jezuit shqiptar i “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lindur në qytetin e Shkodrës, me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së "Daulles" në lagjen e njohur Rus. Për me mërrijtë sado pak e me kuptue se kush ishte P. Meshkalla në art mjafton me lexue artikullin e Tij: “Art e moralitet”, botue në gazetën e përdyjavëshme “Tomorri i vogël”, në Tiranë, me 15 gusht 1942. Artikullin e përfundon kështu: “Kush mbjellë erë, korrë stuhi, thotë një proverb i huej!”. Ai që e lexon tashti atë artikull asht zor me e kuptue se P. Meshkalla, artikullin nuk e ka shkrue sot. Nuk fliste kurrë gjatë për kohën e shkueme. Piksynimi ishte tek e ardhmja. Parashikimi i saktë për kohën që vjen asht veti e figurave të mëdha, pikërisht, ajo, që sot na e quajmë aktualitet e që gjithmonë asht thirrë: Pavdeksi.