Lëshicë, 1954                                                                                                            

Fshati Leshice Zhvillimin më të madh fshati e mori në vitet 1910-1940. Në këtë periudhë emigruan shumë burra e djem kryesisht në Amerikë e më pak në Lion të Francës, në Greqi, në Stamboll, etj. Pjesa më e madhe e tyre u kthyen në fshat me pasuri, ndaj në periudhën 1920-1935 fshati u rindërtua plotësisht dhe mori pamjen e një qyteti, me shkollë të re, furrë buke, rrugë të shtruara me kalldrëm dhe rrjet kanalizimi, ndërkohë që edhe qytete të rëndësishme në Shqipëri nuk kishin atë emancipim dhe nivel jetese si fshati Lëshicë. Fshati Lëshicë ndodhet në jug të trevës së Përmetit, afro 4 km nga qëndra e qytetit të Përmetit, ku shpesh konsiderohet si lagje e Përmetit. Kufizohet nga jugu me fshatin Badlonjë, ku vija ndarëse është Guri i Shqipes, Bregu i Nishanit, Koritat (sheshi i vllakave), Velezi (nga lufta italo-greke mbetën shumë predha artilerie ose gjylet e Velezit siç i quanim ne), Përroi i Thellë; nga lindja kufizohet me Qilarishtin, ku i ndan lumi i Vjosës; nga veriu kufizohet me fshatin Leusë ku vija ndarëse është Guri Dyfekut, Kisha e Analipsit, Përroi i Okllashit, ura e re; në perëndim kufizohet nga Mali i Nemërçkës i cili ndan Luginën e Përmetit me zonën e Zagorisë së Gjirokastrës. Territori i fshatit përshkohet nga disa përrenj si Përroi i Thellë, Përroi i Thanës, Përroi i Okllashit e disa burime ujore si burimi i Përroit të Thellë (vite më parë ky ujë buronte tek Koritata Sheshi i Vllakave, por për të mos u shfrytëzuar nga vëllenjtë që vinin për verim u mbyll me lesh deleje dhe doli tek Përroi i Thellë ku Kisha e shen spuridhonit e rindertuar Kisha e Shën Spiridhonit e rindërtuar është dhe sot), Çezma e Thanës (ku bëhej dhe rakija), Gurra poshtë fshatit, Korita, Haxhikaja, Sqolla, Gurra e Hysen Beut e dy burime në lumë. Në fshat kishte dhe tre puse si: Pusi i Qakos, Pusi i Kishës dhe Pusi i Joanidhëve. Kodrat që rrethojnë fshatin janë: Kërrëku, Qafa e Derrit, Bregu i Shën Thanasit, Baltëza, Haxhikaja, Bregu i Nanit, Parmëndëza, Vërtopi, Gorçorja, Bregu i Qipisë e Bregu i Misrit. Lëshica ndodhet në lartësinë 280 metër mbi nivelin e detit. Në lindje, përtej lumit, që duket në horizont, ndodhet Shpella e Korbit, që për banorët tregon jo vetëm lindjen e diellit, por me hijen që formohet sipas lëvizjes së diellit, banorët përcaktojnë përafërsisht orën në çdo moment të Ditës, kryesisht në verë. Rrugët lidhëse të fshatit me zonat e tjera përreth janë: Rruga kryesore është rruga automobilistike: Përmet-Çarshovë; Rruga Lëshicë-Leusë; Lëshicë-Badlonjë; Lëshicë-Qafa e Dhëmbelit-Lugina e Zagorisë; Lëshicë-Përmet që ka dy drejtime: Lëshicë-Haxhika-Përmet (këmbësore e shtruar me kalldrëm) dhe Lëshicë-Bregu i Nanit-Përmet. Gjithashtu ka dhe disa rrugë brënda teritorit të fshatit. Fusha e Lëshicës me rreth 350 dynym ka tokë pjellore që shtrihet në lindje të fshatit, afro në nivelin e Lumit Vjosë, që nuk i kalon 200 metra mbi nivelin e detit dhe vaditej nga uji që rridhte nga Përroi i Thellë. Ky ujë para se të përdorej për vaditje, shfrytëzohej nga mulliri i fshatit. Në këtë fushë kultivoheshin të gjitha kulturat bujqësore duke filluar nga gruri, misri, qepujkat, të gjitha llojet e zarzavateve e perimeve si: domatja, specka, bamja, patllixhani, patatja, fasulja, sallatat e ndryshme, pjepri, kungulli, kastraveci, lakra, preshi, rrepa, etj. Në fushë kishte dhe një pemëtari të shumllojshme si: qershi, rrush, dardha, ullinj, kajsi, zerdeli, kumbulla, fiq, etj. Pronarët e tokave të fushës, meqënëse i kishin shtëpitë relativisht larg nga fusha, për të mbajtur veglat e punës së bujqësisë si dhe prodhimet e tokës për një kohë të shkurtër dhe farërat e ndryshme ose dhe për të pushuar gjatë punës, ndërtonin kasolle të vogla, që quheshin kanik.

Shpella e korbit

                                                                  Shpella e Korbit

Mbi fushë ndodhet një shpellë me emrin Shpella e Zekos që ngjan më shumë me një pikë vrojtimi. Kjo shpellë është përdorur nga një person me emrin Zeko (që nuk ishte banor i fshatit) si vënd strehimi. Ai ishte pajtuar nga banorët e fshatit si roje për të gjithë fushën, sepse banorët e fshatit nuk preferonin të bënin detyrën e rojtarit dhe të çobanit. Rreth fshatit çdo familje kishte në pronësi kopshte të vegjël, të cilët meqënëse ishin mbi ujë, shfrytëzoheshin kryesisht për vreshta, për mbjelljen e pemëve si bajame, arra, shegë, xinxife, fiq, kumbulla, kajsi, zerdeli, vadheza e mana; për bar për bagëti, etj. Gjithashtu në oborrin brenda shtëpisë mbillnin shumëllojshmëri lulesh si: trëndafila, karafila, borzilok, menekshe, barbarozë, lule mëllage, lule kryqi, lule sahati, dorëzonjë, etj. Fëmijët e të rinjtë e fshatit argëtoheshin me lojëra të ndryshme si: noti, i cili zinte pjesën më të madhe të kohës në verë; futbolli, për të cilin kishin dy fusha; loja e kutisë; këmbëthiri; grop qiqëra; kut-kaleci, etj. Por “lodra” më e rrezikshme për atë kohë ishte çarkallozi, një armë e improvizuar me kunjat metalike të çadrave italiane, duke përdorur dhe fishekë luftarakë të patickave italiane e maliherëve grekë që gjendeshin kryesisht në Kodrën e Analipsit, të mbetura nga lufta italo-greke. Uji që vinte nga Përroi i Thellë, i cili ishte pronë e fshatit, përdorej për të vaditur tokat e fshatit. Uji përdorej me grafikë, me radhë, nga të gjithë banorët e fshatit për 24 orë pa pushim, ditë dhe natë. Ky grafik zbatohej me rigorozitet nga të gjithë fshatarët dhe duke patur këtë rregullshmëri dhe disiplinë në shfrytëzimin e ujit dhe që të mos shkonte dëm asnjë pikë uji, si rezultat i kësaj, çdo fshatari i vinte radha për 5-6 ditë për rivaditje. Koha që shfrytëzonte ujin çdo banor i fshatit caktohej sipas sasisë së tokës që kishte për vaditje. Për të shfrytëzuar në maksimum kohën që kishin në dispozicion për vaditje, fshatarët mobilizonin të gjithë pjestarët e familjes. Në afërsi të fshatit, afër Kishës së Shën Thanasit ndodheshin lëmenjtë për shirjen e grurit. Lëmi ku shihej gruri ishte një vënd i rrafshët dhe i rrumbullakët, me diametër 4-6 metra. Në mes të tij vendosej një dru me diametër 10-12 cm që futej në tokë 20-30 cm dhe i gjatë 1,5 m, i cili quhej strumbullar. Lëmi shtrohej me pllaka guri sa më të mëdha që të ishte e mundur, të ngjitur sa më shumë me njëri tjetrin dhe të niveluara mirë. Sa herë që shihej gruri, kanalet e imëta midis rrasave të gurit izoloheshin me një llaç balte, me qëllim që asnjë kokër gruri të mos shkonte dëm. Shirja e grurit bëhej me kafshë. Më të preferuara kanë qënë mushkat dhe kuajt që rimbatheshin me patkonj para shirjes. Në mëngjez shtrohej gruri në lëmë duke i zgjidhur demekët e grurit, në trashësi 20-30 cm.

Fshati leshice
                                                                Fshati Lëshicë, 2009

Kafshëve u hiqej samari dhe me një litar sa rrezja e lëmit lidhej në strumbullar. Kafsha drejtohej të lëvizte rreth strumbullarit derisa litari të mblidhej tërësisht dhe pastaj kthehej të lëvizte në krahun e kundërt që litari të shpleksej komplet nga strumbullari. Ky proçes vazhdonte kështu derisa kokrra të veçohej nga kashta. Lëmi kthehej 4-5 herë, kthimi i parë bëhej nga periferija në qëndër, i dyti ndiqte drejtimin e kundërt nga qëndra në periferi dhe kështu me rradhë. Mbasi përfundonte shirja, hiqej kashta nga lëmi me cfurqe, duke e shkundur që të mos shkonte asnjë kokërr gruri me të. Pasi përfundonte komplet proçesi i heqjes së kashtës dhe bykut të madh, me fshesë mëreti ose gjineshtre, gruri grumbullohej afër qëndrës së lëmit. Më pas me lopatë e më vonë me shoshë gruri hidhej në erë që të veçohej kokra e grurit nga byku i imët. Gjatë kryerjes së këtij proçesi duhej medoemos të frynte erë, prandaj dhe lëmenjtë në fshat ishin ndërtuar afër Kishës së Shën Thanasit, që ishte vëndi ku frynte më shumë erë në fshat. Kjo proçedurë duhej të përfundonte brënda ditës dhe në raste shumë të rralla kur nuk frynte erë, mund të ngelej për ditën tjetër. Në fund bëhej peshimi i grurit dhe kjo ishte më interesantja. Mbasi grumbullohej gruri në një vënd të sheshtë, në qëndër të grumbullit të grurit vendosej bishti i cfurkut që ishte shënuar më parë me ndarje të vijëzuara, ku çdo vijëzimi i korespodonte një peshë e caktuar, e cila ishte provuar e kontrolluar më parë. Mbas peshimit, gruri vendosej nëpër hambarë ku më parë ishte bërë dezinfektimi i tyre. Por ndodhte ndonjëherë që ndonjë fshatar që kishte marrë borxh grurë gjatë vitit, e kthente atë që në lëmë. Dhe kur borxhi ishte sa prodhimi, atij i mbeteshin në sup vetëm cfurqet, dhe të nesërmen fillonte të merrte përsëri borxh; nga kjo ka mbetur shprehja: “I mbetën vetëm cfurqet.”


Kisha e shen thanasit

                                                              Kisha e Shën Thanasit

Kullotat që ndodheshin kryesisht në faqen e Malit të Nemërçkës ishin pronë e kishës dhe më vonë pronë e fshatit. Ato shfrytëzoheshin nga të gjithë fshatarët mbasi bagëtitë kulloteshin në mënyrë kolektive nga çobanë të ardhur nga fshatra të tjerë. Në afërsi të kullotave ndodhej Shpella e Dërmeshit, që zakonisht në verë pushonin bagëtitë gjatë ditës, dhe plehu i tyre shitej. Nga kjo shitje, të ardhurat shkonin në favor të fshatit. Terreni ishte shumë i përshtatshëm për mbarështrimin e blegtorisë në tërësi dhe veçanërisht të dhisë. Por banorët e fshatit kanë patur dhe dhën e gjedhë. Nga fundi i muajit shkurt e deri nga mesi i dhjetorit ato kullosnin tërë kohën në terren, pa qënë e nevojshme për ushqim plotësues. Në muajt e tjerë lopëve, qeve e njëthundrakëve u hidhej zahire`, bar ose kashtë. Të imtave u jepej urof, lënde lisi, gjethe dushku të thatë, të cilat siguroheshin gjatë verës. Rracat e bagëtive që kishim në fshat ishin shumë të mira, me mish të shijshëm, qumështore, dhëntë leshtorë e me trup mesatar. Më e përhapura për dhitë ka qënë rraca e kënutës me brirë. Çdo dhi në kulmin e saj kishte 1-1,5 litër qumësht dhe mileshin tre herë në ditë, ose dhe dy herë në ditë, se një vakt u lihej për të pirë kecave dhe qingjave. Qumështi dhe nënproduktet e tij si kosi, gjalpi, djathi e gjiza kishin një shije të veçantë. Ato binin erë trëndelinë. Elementët bazë për atë cilësi aq të mirë bulmeti ishin të shumta, ndër to më kryesorët ishte terreni dhe kullota e shkëlqyer e fshatit. Çdo familje kishte nishanin e saj me të cilën shënonte bagëtitë për t’u mos u ngatërruar midis tyre e për të shmangur cdo grindje e keqkuptim midis familjeve. Nishani bëhej në veshët e bagëtisë me shënja të veçanta. Dikush i priste vetëm majën e një veshi, dikush dy majat e veshëve, dikush i bënte një kllap në njërin vesh, dikush në të dy veshët, dikush i hapte një vrimë, e kështu me radhë dhe të gjithë duhet të dinin shënjat e njëri tjetrit. Rrallë mund të gjeje në fshat familje që të mos kishin njëthundrakë. Mushka dhe gomari ishin kafshët kryesore të punës, që përdoreshin për transport.

Skeda:Leshitsa.png
Lëshica, pikturë nga Ermonela Sotir Zoto
                                                   Lëshica, pikturë nga Ermonela Sotir Zoto
Në fshat përdorim të gjërë, sidomos mbas çlirimit kishte mbarështrimi i derrit. Gicat i merrnin të vegjël në fund të shkurtit, i ushqenin gjatë gjithë pranverës, verës e vjeshtës dhe i thernin në fillim të dimrit, ku kishin arritur një peshë rreth 100 kg. Mishin e derrit e përpunonin duke e bërë pastërma, kole, kurse dhjamin e tretnin dhe e përdornin për gatim gjatë gjithë vitit. Çdo shtëpi mbante pula fushe, që i përdornin për vezë dhe për mish. 
Lëshica kishte shumë familje që kultivonin bletët, të cilat mbanin mbi 15-20 koshere. Zakonisht përdornin koshere primitive por dhe ato moderne. Kjo favorizohej dhe nga klima e kullotat e përshtatshme që kishte fshati. Terreni i fshatit ishte shumë i favorshëm dhe për rritjen e mjaft shpendëve e kafshëve të egra.

Ngrohja dhe gatimi për çdo familje bëhej me dru. Drutë kryesisht siguroheshin vetë nga çdo familje. Priteshin gjatë verës për të gjithë periudhën e vitit dhe vendoseshin në stivë në oborret e shtëpive ose në marjotë e kasollet që ishin në afërsi të banesave. Druri kryesor ishte shkoza, që ndodhej kryesisht në korita (korita është një vënd ku kishte ujë, kullosnin bagëtitë dhe rritej një lule që rrallë e gjejmë në vënde të tjera, që është bozhurja, një lloj endemik i tulipanit shqiptar. Lulëzon vetëm një herë për disa orë e minuta dhe është shumë e bukur, me ngjyrë të kuqe në vishnje). Në zonën e fshatit rriteshin dhe shumë shkurre e drurë jo frutorë si: dushku, vidhi, dëllinja, mërreti, gjineshtra, lojfata, cërmëdelli, shtogu, etj. Në pllajën e malit kishte shumë çaj mali që mblidhej nga banorët për përdorim vetjak dhe për tregëti. Në mal kishte dhe trëndelinë, salep, rigon, pelin, valanidh, i cili shërbente për regjjen e lëkurëve, si dhe bimë të tjera kurative. Trëndelina përdorej nga gratë dhe vajzat për zbukurim të ambientit. Përdorej dhe si aromatizues në musëndrat e rrobave, në sepetet e nuseve si dhe kundër moles. Për një periudhë të gjatë kohe, buka për çdo shtëpi fshati piqej në furrën e përbashkët të fshatit. Përveç bukës në këtë furrë piqeshin edhe tava e lakrorë të ndryshëm. Me mbylljen e furrës së përbashkët, më shpesh për pjekje përdorej çerepi ose saçi, por pjesa më e madhe e banorëve të fshatit kishin ndërtuar furra të vogla, duke përdorur për ndërtimin e tyre një gur ngjyrë kafe që i thoshin çmërs. Për ndriçim përdoreshin llampa me vajguri për brënda shtëpisë, kurse për përdorim për jashtë shtëpisë përdoreshin fenerë kundër erës si dhe kandilet që mbaheshin në dorë gjatë lëvizjes brënda shtëpisë. Në vitin 1970 u bë elektrifikimi i fshatit. Për rrjedhojë përveç ndriçimit në fshat u fut përdorimi i radiove me korent, sepse para elektrifikimit në fshat kishte vetëm 2-3 radio me bateri. Lumi Vjosa që ndodhet në lindje të fshatit, ngjitur me fushat, shfrytëzohej nga banorët e fshatit për t’u larë gjatë verës, për të zënë peshk si dhe për transportin e lëndëve drusore. Të gjithë djemtë e të rinjtë e fshatit mësonin notin në lumë qysh të vegjël dhe nuk kishte asnjë djalë nga ky fshat që nuk dinte not. Mësimi i notit fillonte që në moshën 7-8 vjeç. Vëndi i mësimit të notit ishte zgjedhur i cekët dhe fillonte nga pjesa që quhej Hunda e Vogël. Mbas një kohe pasi kishte mësuar notin në këtë vënd, kalonin në një vënd më të thellë që quhej Hunda e Madhe. Pasi kishin kaluar dhe provën në Hundën e Madhe, noti quhej i mësuar. Në lumë kishte shumë vënde të preferuara si Dardhësi, Valët e Goliçit, Brambulli, Përroi i Qilarishtit e vënde të tjera. Rëra në këto zona ishte shumë e pastër dhe e mjaftueshme. Lumi njihej mirë nga të gjithë meshkujt për gjatë gjithë rrjedhës së tij që kalonte në zonën e këtij fshati. Për shumë kohë djemtë e fshatit nuk lejonin që në këtë zonë të laheshin banorë të fshatrave të tjerë përrreth sidomos djemtë e Qilarishtit, që ishin përballë fshatit Lëshicë. Ujin e lumit, që ishte shumë i pastër, gratë e fshatit e shfrytëzonin për larjen e rrobave të trasha si velënxa, qilima, shkorsa e mbulesa të tjera. Këto bëheshin kryesisht mbas daljes nga dimri, që t’i kishin gati për dimrin tjetër. Përveç blegtorisë e bujqësisë, aktivitet kryesor ishte dhe tregëtia. Nga fshati ishin të shumtë ata që u morën me tregëti, por më kryesorët ishin Joanidhët, Nikollaqët, Taset, Xhillarët, Zotot, etj. Duke qënë se fshati ishte afër qytetit dhe në kryqëzim të rrugëve automobilistike, shumë banorë të fshatit u morën me tregëti. Një nga tregëtarët më të mëdhenj, jo vetëm të fshatit por dhe të krahinës ishte Janaq Joanidhi me tre vëllezërit e tij Kolushin, Goren dhe Mitaqin. Aktivitetin e tyre tregtar e kishin shtrirë edhe jashtë vëndit si në Greqi dhe në Itali. Tregëtar tjetër i rëndësishëm ishte Paskal Nikolla me djemtë e tij Lonin, Goren dhe Kolin. Me tregëti nga ky fshat merrej edhe Thanas Xhillari me vëllezërit dhe fëmijët e tyre. Gjithashtu me tregëti merrej edhe Irakli Zoto me dy djemtë e tij Makon dhe Foren. Bujqësia në këtë periudhë pati një zhvillim kryesisht në kultivimin e qepëve. Fshati kishte monopolin e kultivimit të qepujkave, farës së qepujkave e perimeve të ndryshme, të cilat i tregëtonin jo vetëm brënda rrethit por dhe në rrethet fqinjë si Kolonjë, Korçë, Këlcyrë, Berat, etj. Nga bahçevanët më të mirë ishin Lam Proko me të birin e tij Kolin, Pilo Barxhua, Pilo Dholja, Fotaq e Misto Tase, Cokë Xhillari e shumë të tjerë. Kurse për blegtori dalloheshin kryesisht Andon Xhillari me djemtë e tij Argjirin, Stathaqin dhe Sotirin, të cilët merreshin edhe me tregëtimin e tyre. Përveç këtyre aktiviteteve, në fshat kishte edhe shumë zanatçinj që zotëronin profesione të ndryshme si furxhi, rrobaqepës, murator, mullixhi, prodhimin e qirinjve, etj. Nga këto mund të përmëndim Çome Liço dhe i biri i tij Peçi Liço, të cilët ishin rrobaqepës të shkëlqyer. Aktivitetin e tyre e shtrinin jo vetëm në fshat, në Përmet, si edhe në Tiranë ku u vendosën më vonë. Janaq Xhillari ishte një furrxhi i talentuar që me zanatin e tij kishte marrë edhe “mbiemrin” Janaq Furrxhiu. Jani Tase ishte bojaxhi, profesion që e kishte mësuar në Lion të Francës, ku kishte qënë emigrant. Rako Zoto me djemtë e tij Makon dhe Foren kishin monopolin për prodhimin e qirinjve jo vetëm në fshat, por në të gjithë krahinën. Stathaq Çelo ushtronte njëkohësisht zanatin e mullixhiut e të zdrukthtarit në fshat. Llukan Kajtazi punonte si shofer.


Kisha e Shën Gjonit ndërtuar më 1777

                                                   Kisha e Shën Gjonit ndërtuar më 1777

I vetmi besim në fshat ishte ai ortodoks. Në fshat kishte tre kisha: kisha e Shën Gjonit e ndërtuar në vitin 1777, ajo e Shën Thanasit dhe e Shën Spiridhonit. Festat kryesore ishin ato fetare, por edhe ato pagane që shoqëroheshin me ceremoni e panaire, si ajo e 29 Gushtit si dita e Shën Gjonit.

Skeda:Shen gjoni.png
Shën Gjoni, pikturuar nga Ermonela Zoto
                                                  Shën Gjoni, pikturuar nga Ermonela Zoto

Dita e Verës festohej në 1 Mars me zbukurime në portat e shtëpive duke varur degë thane. Dita e 25 Marsit si dita e Shën Vangjelizmoit ku dilnim nëpër shtëpitë e fshatit me zile e këmborë duke kënguar këngën: ikni-ikni o gjarprinj/ se po vjen Vangjelizmoi/ pa ju vret-pa ju pret/ me kobure-me dyfek,etj; 1 Maji - dita e luleve që festohej në mal (në koritë) duke mbledhur bozhure; Krishtlindjet - më 25 Dhjetor ku ndizeshin zjarre dhe festohej jashtë, ne kishim një vënd që i thoshim Bregu i Qipisë ku ndërtonim një qipi me dëllinja dhe e ndiznim në mes të natës; Uji i Bekuar më 6 Janar ku bëhej ankand për shitjen e konismave. Pashka e Madhe me një solemnitet maksimal arrinte në Kishën e Shën Gjonit, ku psallnin të talentuarit Janaqi, Rakua dhe Çomia. Bukurinë më të madhe kishës ia jepnin qirinjtë e dhamballat e prodhuara me mjeshtëri nga Rakua e bijtë e tij Makua e Forja. Por për ne që ishim më të rinj në atë kohë gëzimin më të madh e kishim kur në orën 12 të natës, mbasi prifti e psalltët kishin thënë shprehjen: “Krishti u Ngjall”, shkrepnim kërcakset dhe kapsollet që i kishim bërë gati më përpara (sot këto janë zëvëndësuar me fishekzjarre të ndryshme). Gjatë luftës së II-të botërore fshati u bë një qëndër e rëndësishme e lëvizjes nacional-çlirimtare, për shkak të vendosjes së Spitalit Partizan të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, për dy vitet më të përgjakshme të kësaj lufte. Mjeku i shquar i këtij spitali, Milo Qirko, i cili punoi më vonë për ngritjen e mbarëvajtjen e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Spitali partizan u vendos në shtëpinë e Kales, e ndërtuar nga Janaq Joanidhi. Për arsye se Kalja ishte në emigracion në Amerikë dhe nuk u kthye asnjëherë, në këtë shtëpi më vonë banoi Mitaq Joanidhi. Në vitin 1957 fshati u bë kooperativë bujqësore dhe në vitin 1961 u kthye në fermë bujqësore. Kjo periudhë, përveç anëve negative si shtetëzimi i pronave, pati dhe një anë pozitive në drejtim të edukimit të rinisë. Shumë vajza dhe djem të fshatit arritën të arsimohen deri në studimet e larta dhe u bënë intelektualë disa të shquar në fushën e mjekësisë, arsimit, ushtrisë, inxhinierisë ekonomisë dhe arteve. Më vonë ky brez pati sukses në fushat përkatëse si brenda dhe jashtë vendit. Vitet ’90 kanë qënë vitet e shpërnguljes masive. Sot në këtë fshat kanë mbetur shumë pak njerëz, por shumë kujtime. Për këtë shpesh kujtojme vargjet e poetit të madh rus Sergej Esenin:

                  Këtu tani s’më njeh njeri.
                  Krejt gjindja nga kujtesa më ka fshirë.
                  Edhe shtëpinë e prindërve të mi
                  E ka mbuluar pluhuri dhe hiri.

Por rishmëz jeta zjen, të rinj e pleq Më shfaqin para sysh lloj-lloj fytyrash, Veçse kapelen s’kam se kujt t’ia heq Dhe strehë s’gjej në asnjë vështrim të tyre.

             “Mos po lajthis? “-vras mëndjen i shastisur,
            “A jam në atdhe a tjetërkund kështu”?
             Këtu për cilindo jam një shtegëtar i ngrysur,
              Që larg i ardhur, Zoti e di nga ku.
 Po zëri i mendjes zemrës po m’i thotë:
“Eja në vehte, pse të mbetka hatri?
Një brezi tjetër, me një tjetër botë,
Një dritë e re tani i ndrin në vatra.
                      E kurse ti tashmë je i fishkur ca.
                      Rinia sot këndon të tjera këngë,
                      Dhe, besa, s’i këndoka keq! Ata
                      Jo fshatin, po një botë kanë nënë”.

Ah, mëmëdhe! Ç’u bëra qesharak. Një e skuqur më shket faqeve dhe druaj T’i flas ndokujt, se s’më kupton aspak. Në vëndin tim po ndihem krejt i huaj. Lëshica është një fshat i vjetër dhe i populluar nga shumë fise, të vjetër e të rinj. Mund të themi se edhe para këtyre fiseve ka patur edhe fise të tjerë të cilët janë asimiluar ose zhdukur, si fisi Liçe, Xhoxhi, Llaushi, etj. Por, ndër fiset kryesore të fshatit janë: 1. FISI “ZOTO” Fisi “Zoto”, si trungu kryesor i fshatit ka ardhur fillimisht nga Sopiku i Pogonit. Por nuk mund të themi se fisi “Zoto” është fisi që formoi fshatin, sepse kur ata erdhën në këtë fshat gjetën dhe banorë të tjerë. Me kalimin e kohës fisi u zmadhua duke marrë mbiemra të ndryshëm si Kale , Tase ,Juanidhi, Nikolla , Zoto. Kjo vërtetohet nga pema gjenealogjike e përpiluar nga Pano Tase dhe Hirakli Zoto. Zotua kishte tre djem: KOSTANDININ, TASEN dhe STEFANIN. KOSTANDINI, djali i parë i Zotos, pati një djalë, Paskalin. Paskali pati dy djem: Kiçon dhe Mihallaqin. Kiçua kishte një djalë: Kosta Kalen. Mihallaqi kishte dy djem:Tolkën dhe Kalen. Tolka Kale kishte katër djem: Milin, Qakon, Odhisenë dhe Gjenin. Kalja kishte një djalë; Dodo Kalen. Mili Kale kishte tre djem: Petraqin, Bertin dhe Nesti Kalen. TASJA, djali i dytë i Zotos, kishte katër djem: Nikollaqin, Janin, Thimion dhe Mitin. Nikollaqi, djali i parë i Tases kishte katër djem: Mandin, Dhoskën, Argjirin dhe Paskalin. Paskali kishte tre djem: Lonin, Goren e Koli Nikollën. Gorja kishte djalë Emil Nikollën. Jani, djali i dytë i Tases, kishte tre djem: Thomain, Llukanin dhe Tasen. Thomai kishte katër djem: Stathaqin, Fotaqin, Milin dhe Miston të cilët morën mbiemrin Tase. Fotaq Tase kishte një djalë Vasillaq Tasen. Mistua kishte tre djem: Rakon, Qakon dhe Thomanë. Llukani kishte katër djem: Minellën, Naunin, Tolkën dhe Manthon të cilët morën mbiemrin Tase. Manthua kishte dy djem: Llukanin dhe Panon. Tasja (i riu) kishte katër djem: Kolushin, Mitaqin, Goren dhe Janaqin të cilët morën mbiemrin Joanidhi. Mitaqi kishte tre djem: Argjirin, Sofon dhe Agron Joanidhi. Gorja kishte dy djem: Stefanaqin dhe Sotiraq Joanidhi. Janaqi kishte dy djem: Leonardin dhe Caculin. Miti, djali i tretë i Tases, kishte një djalë, Pilon. Pilua kishte tre djem: Stavron, Peton dhe Thoma Tase. Thomai kishte tre djem: Vironin, Koçon e Foren. Thimio, ishte djali i katër i Tases i cili kishte tre djem: Stefanin, Vasilin dhe Lamin. Stefani kishte gjashtë djem: Koçon, Janin, Panon, Çimon, Vangjelin dhe Mitka Tasen. Jani ka dy djem: Apostolin dhe Minella Tase. Panua ka katër djem: Piron, Bardhylin, Perikun dhe Odhise Tase. Pirua ka dy djem: Davidin dhe Gjergji Tase. Çimua ka dy djem: Stefanaqin dhe Viron Tase. Lami, djali i Thimios ka një djalë Sotir Tase. Sotiri ka një djalë Koço Tase. Vasili ka tre djem: Cokën, Naunin dhe Kristaq Tase. Coka ka tre djem: Bertin, Vaskën dhe Pilo Tase. Pilua ka një djalë Joland Tase. Nauni ka një djalë Lefter Tase. Kristaqi ka dy djem: Peçin dhe Tori Tase. Peçi ka dy djem: Qakon dhe Piro Tase. Tori ka tre djem: Alekon, Kristaqin dhe Kalam Tase. Djali i tretë i Zotos Stefani kishte një djal Gaqen që mbajti mbiemrin Zoto.Gaqja kishte një djal Hirakliun (Rrakon) Rrakua ka dy djem Asimaqin (Makon) dhe Kristoforin (Fore Zoto). Makua ka dy djem Sotirin dhe Agathokli Zoto. Forja ka pesë djem Hirakliun (Mondin), Llambin, Caculin (Paskalin), Banin dhe Gjergji Zoto.

2. Fisi “Xhillari”, i ardhur më vonë nga Topova edhe pasi u zgjeruan, mbajtën të njëjtin mbiemër.
 3. Fisi “Proko”, i ardhur nga Iliari. 
 4. Fisi “Proko” i ardhur nga Kaludhi, të cilët nuk kanë lidhje gjaku me fisin “Proko” të ardhur nga Iliari.
 5. Fisi “Kajtazi”.
 6. Fisi “Curi”, kanë ardhur nga Stërmbeci dy vëllezër me mbiemrin “Papa”, mbiemër që mbahet sot nga një degë, kurse dega tjetër u zgjerua më vonë dhe mori mbiemrin “Curi” e “Tole”.
 7. Fisi “Qirjaqi”, është një nga fiset më të vjetra në fshat.
 8. Fisi “Lejmoni”, gjithashtu edhe ky është një nga fiset më të vjetra të fshatit.
 9. Fisi “Liço”, i pari i tyre Papa Jani ka qënë prifti i fshatit.
10. Fisi “Barxho”, i ardhur në fshat rreth viteve 1930 nga Buhali dhe u vendosën në Lëshicë.
11. Fisi “Naqellari”, ka ardhur rreth viteve 1940 si çoban.
12. Fisi “Nastasi”, ka ardhur rreth viteve 1940 si çoban.
13. Fisi “Gamozi”, vlleh, ka ardhur në fshat në vitet ‘50.
14. Fisi “Meshini”, ka ardhur nga Malëshova në vitet ’50.

15. Fisi “Celo”. Megjithatë në vitin 1991 fshati kishte 77 familje dhe nga këto 30% e tyre janë familje autoktone, por kjo përqindje po vjen duke u zvogëluar. Aktualisht nuk ndodhen më shumë se 10%-15% nga Lëshica, kurse pjesa tjetër janë të ardhur ndër vite nga krahina e fshatra të ndryshëm, dhe nuk do jetë e largët dita kur në këtë fshat nuk do ngelet ndoshta asnjë familje autoktone. Në këto kushte ne duhet të stimulojmë fëmijët tanë me dashurinë për fshatin, për të mos e braktisur atë, e të rindërtojnë shtëpitë e të parëve të tyre. Në Tiranë janë vendosur në vite rreth 100 familje.


Të dhëna për fshatin Lëshicë (Përmet) Marrë nga Libri “Në kërkim të rrënjëve të mia” shkruar nga Sotir Zoto.

Që rrënjët kurrë të mos vdesin, Te ky libër do të shkruaj emër, Tek cdo shkronjë, gjurmë do të lë, Dhe për ju do të shkruaj gjithnjë.


Sotir Zoto


Nga dokumentet ekzistuese që shfrytëzuam, rezulton se në fshatin Lëshicë (nga regjistrimet vitit 1431) kishte 21 shtëpi dhe paguanin 1306 lira të ardhura për spahinjtë. Në vitin 1583 kishte 13 shtëpi dhe paguanin 2616 lira të ardhura për spahinjtë. Në vitin 1856 kishte 12 familje të krishtera. Në vitin 1923 kishte 287 banorë të krishterë. Në vitin 1970 kishte 36 shtëpi. Mendohet se banorët e parë kanë qënë vendosur në Bregun e Nanit, afër Kishës së Spiridhonit, por, për arsye sigurie e mbrojtje, rreth vitit 1400 u vendosën aty ku janë edhe sot. Tokat e kësaj zone i përkisnin Hysen Beut, si çiflig i dhënë nga Perandoria Osmane. Më vonë në harkun e viteve 1860-1910, me dobësimin dhe rënien e perandorisë turke tokat u blenë nga fiset e këtij fshati.