Musa a.s Redakto

Profeti Musa a.s është heroi që gjatë gjithë jetës së tij, qëndroi përkrah njerëzve të vobektë. Padyshim që për këtë ka fituar simpatinë dhe dashurinë e tyre. Kushdo që e do lirinë, e do dhe profetin Musa a.s, simbolin e lirisë dhe të sakrificës për liri. Ai ishte një drejtues i dërguar nga Zoti, për të luftuar padrejtësinë. Ai ishte udhëheqës shpirtëror, i cili u dërgua që të nxirrte një popull nga shtypja dhe nënshtrimi, drejt krenarisë dhe triumfit.

Ky profet kaq i dashur me njerëzit e shtypur, ky profet, të cilit Zoti i fliste direkt pa ndërmjetës, do të vdiste dhe do të ndahej nga jeta e kësaj bote. Edhe pse nuk dihet saktësisht vendi ku është varrosur, është e ditur që varri i tij është në malin Nibo. Është vetë profeti Muhamed a.s ai që na ka treguar se Musai a.s është varrosur në malin Nibo. Gjatë udhëtimit të tij për në xhaminë Aksa, ai ka kaluar pranë varrit të Musait a.s. Profeti a.s ka thënë: “Teksa isha duke udhëtuar me Xhibrilin a.s drejt xhamisë Aksa, kaluam pranë varrit të Musait a.s. Ai qëndronte në këmbë, duke u falur në varrin e tij. Varri ndodhej përbri dunës së kuqe. Nëse do të kishit qenë me mua, do t’ua kisha treguar varrin.”

Veç kësaj, para se të ndërronte jetë, profeti Musa a.s e luti Zotin që të varrosej sa më pranë Kudsit (Jerusalemit). Në malin Nibo, gjendet një varr, për të cilin thuhet se është i Musait a.s. Në fakt, nuk dihet me saktësi nëse kjo është e vërtetë apo jo.

Diçka e çuditshme gjatë jetës së tij është se ai nuk kishte shtëpi të përhershme. E gjithë jeta e Musait a.s është shpërngulje nga një vend në tjetrin. Imagjinojeni sa mund të jetë lodhur e shoqja e tij nga kjo gjendje. Pa dyshim që një jetë e tillë, është sakrificë e madhe. Në jetëshkrimin e profetit Musa a.s, hasim katër gra të fisme: nëna e tij, motra, Asija dhe gruaja e tij. Të katërta këto gra, i janë gjendur pranë dhe e kanë motivuar për të përmbushur misionin e Zotit.

Gruaja është një krijesë e fisme dhe madhështore. Është e patolerueshme që ajo të shtypet dhe t’i mohohen të drejtat e saj. Në jetën e Musait a.s, hasim në një sërë moralesh të vyera. Aty gjejmë sinqeritetin dhe përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me të vobektët, fisnikërinë dhe dinjitetin, mbajtjen e premtimit me vjehrrin e tij, cilësitë e një drejtuesi madhështor në udhëheqjen e Benu Israilëve, vendosmërinë me Samiriun, dhembshurinë me Harunin, trimërinë me faraonin, durimin dhe maturinë me Benu Israilët, sigurinë dhe bindjen në premtimin e Zotit, dhe mbështetjen e patundur tek Zoti.

Me gjithë vështirësitë dhe kanosjet, megjithëse thika nuk i është ndarë për ta ekzekutuar, ai nuk vdiq nga atentati dhe thika. Ai pati një vdekje normale. Vetë Zoti i lartësuar e kishte siguruar se do ta mbronte nga komplotet që thureshin për të. Të gjitha këto vështirësi dhe rreziqe, nuk e lëkundën në përmbushjen e mesazhit me të cilin e kishte ngarkuar Zoti.

Të shumtë janë ata njerëz, të cilët lidhjet me Zotin i fillojnë me nijet të mirë, u hyjnë projekteve të ndryshme, duke pasur nijet kënaqësinë e Zotit etj... por fundi nuk është i tillë.

“Thuaj: “O Zoti im, më shpjer në një hyrje me sinqeritet, më nxirr nga një dalje me sinqeritet...” (Isra, 80)

Sinqeriteti i Musait a.s shfaqet në faktin se ai e mbylli jetën ashtu siç e filloi, për hatër të Zotit. Për këtë, Zoti e shpërbleu me grada të larta. Profeti Musa a.s e jeton jetën e varrit në qiellin e gjashtë. Po vendi yt, ku do të jetë pas vdekjes, o vëlla? Pasi të kesh përfunduar leximin e jetëshkrimit të Musait a.s, thuaji vetes: Mjaft rende pas dynjasë! Jeto pak për shpirtin dhe për jetën e vërtetë! Jeto që e mira të dominojë! Jeto që t’u gjendesh pranë të vobektëve! Jeto që të njohësh dhe të adhurosh Zotin!

Për shkak se sakrifikoi shumë, profeti Musa a.s gëzonte respektin dhe simpatinë e profetit Muhamed a.s. Një herë, një nga myslimanët e Medinës ishte ulur dhe po debatonte me një hebre. Gjatë bisedës, hebreu betohet dhe thotë: "Jo, për Atë që e zgjodhi Musanë nga të gjithë njerëzit!"

Myslimani u prek nga kjo dhe i tha: "A e thua këtë, ndërkohë që i dërguari i Zotit është në mesin tonë?!", dhe nuk e zgjati më shumë por i dha një shuplakë hebreut në fytyrë. I indinjuar nga kjo, hebreu vajti te profeti Muhamed a.s dhe i tha: "I thashë: ‘Jo për Atë që e zgjodhi Musanë nga të gjithë njerëzit’, dhe ai më goditi me shuplakë."

Profeti a.s u zemërua nga kjo sjellje e myslimanit dhe u tha të pranishmëve: "Mos më preferoni më shumë se Musanë. Pasi njerëzit të kenë vdekur Ditën e Kiametit, unë do të jem njeriu i parë që do të ringjallem. Kur të shoh përreth, do të dalloj Musanë që është i kapur pas njërës prej shtyllat të Arshit dhe nuk e di nëse është ringjallur para meje, apo pas meje."

Nga frika se myslimanët mund të refuzonin Musain a.s, thjesht ngaqë i përkiste komunitetit hebre në Medinë, profeti Muhamed a.s ligjëroi agjërimin e ditës Ashura, ditë kur Zoti shpëtoi Musain a.s me popullin tij nga faraoni. Për këtë ditë, ai tha: “Ne jemi më të meritueshëm për Musanë se ata", dhe i urdhëroi myslimanët të agjërojnë atë ditë dhe një ditë tjetër. Me këtë, Profeti a.s na kërkon që të identifikohemi edhe me profetin Musa a.s.


Profeti Muhamed a.s takohet me Musain a.s

Gjatë udhëtimit në Miraxh, profeti Muhamed a.s u takua me profetin Musa a.s në qiellin e gjashtë. Kur e dalloi, profeti Musa a.s i tha profetit Muhamed a.s: “Mirë se vjen, o profet dhe vëlla i mirë.” Mandej profeti Musa a.s filloi të qante. Profeti Muhamed a.s e pyet mbi shkakun dhe ai i thotë: “Umeti yt që do të hyjë në xhenet, do të jetë më i madh sesa umeti im.” Në pamje të parë, duket sikur Musai a.s xhelozon umetin mysliman, por jo. Kjo duket qartë, kur profeti Muhamed a.s obligohet me pesëdhjetë namaze në ditë, dhe është pikërisht profeti Musa a.s ai që e këshillon herë pas here që t’i kërkojë Zotit t’ia lehtësojë, derisa mbeten pesë namaze në ditë. Ai i thoshte: “Shko tek Zoti dhe kërkoji ta lehtësojë. Unë vetë e provova me Benu Israilët, të cilët nuk e përballuan dot.”

Profeti Musa a.s gëzonte respekt të veçantë edhe tek profeti Muhamed a.s. Kur dikush reagonte në mënyrë të pahijshme me Profetin a.s ai thoshte:"Zoti e mëshiroftë vëllain tim Musanë! Ai është përballur me sjellje edhe më të këqija, megjithatë i përballonte me durim."

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë: “Zoti e mëshiroftë Musain a.s! Historia e tij ka nxënë 1/3 e Kuranit.”

Vlerat që kemi nxjerrë dhe konstatuar në historinë e Profetit Musa a.s, janë vlerat e Kuranit famëlartë.

Vetë Zoti i lartësuar deklaron në Kuran se Musai a.s gëzonte dashurinë dhe kujdesin e Tij hyjnor. Zoti thotë në Kuran: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim." (Taha, 39)

Nëse Musai a.s ka gëzuar dashurinë e Zotit të lartësuar, përse të mos e duam dhe ne?

Zoti thotë në Kuran, duke iu drejtuar Musait a.s: "Unë të kam zgjedhur ty për Vete." (Taha, 41) Që kur ke lindur o Musa, je zgjedhur që t’i shërbesh çështjes Time.

Janë këto ajete, ato të cilat na ndërgjegjësojnë për pozitën që ne si njerëz gëzojmë tek Zoti. Edhe pse Ai nuk ka nevojë për asnjërin prej nesh, zgjedh njerëz të sinqertë, të cilët i do dhe përkujdeset në veçanti për ta.

Ne duhet të jemi ambiciozë dhe të ngjisim sa më lart në shkallët e hierarkisë së vlerave morale burim hyjnor. Ne duhet të bëjmë diçka për hatër të Zotit. Nëse duam të jemi në shoqërinë e profetit Musa a.s dhe Muhamed a.s në xhenet, duhet të bëjmë diçka për fenë dhe njerëzimin.


Musai a.s në çastet e vdekjes

Lidhur me vdekjen e profetit Musa a.s, ekziston një hadith i transmetuar nga imam Buhariu, hadith i cili është keqkuptuar nga shumë njerëz. Në këtë hadith, thuhet se meleku i vdekjes vajti tek Musai a.s dhe i tha: “Zoti më ka dërguar të marr shpirtin tënd!” Në çast, Musai a.s e godet me shpullë melekun e vdekjes, duke i nxjerrë njërin sy.

Meleku i vdekjes, i vajti me pamjen e një njeriu të thjeshtë, sakaq Musai a.s ishte në kulmin e përpjekjeve për edukimin e Benu Israilëve, për t’i përgatitur që të merrnin Jerusalemin. Edhe pse ishte në të shtatëdhjetat, Musai a.s punonte me entuziazmin dhe euforinë e të njëzetave në këtë drejtim. Ai e dinte që populli i tij ishte dënuar për dyzet vite të jetonte në labirintin e shkretëtirës. Për këtë, ai bënte çfarë ishte e mundur që pas këtyre viteve, njerëzit e tij të ishin të aftë ta merrnin Jerusalemin.

Në çastin kur meleku i vdekjes iu paraqit me pamjen e një njeriu të thjeshtë, ndërkohë që Musai a.s ishte i shqetësuar mbi të ardhmen e popullit të tij, e mendoi si një nga Benu Israilët e bezdisshëm. Kështu, e goditi me shpullë fytyrës.

I befasuar nga kjo, meleku i vdekjes u kthye tek Zoti dhe i tha: “Më ke dërguar tek një person i cili nuk e dëshiron vdekjen.” Duke e ditur mallin dhe nostalgjinë e Musait a.s për takimin me Zotin, Ai i tha: “Kthehu tek ai sërish (por me pamjen engjëllore) dhe i thuaj ta vërë dorën mbi shpinën e një demi. Aq qime sa t’i zërë dora, aq vite jetë shtesë do t’i japim.”

Meleku u kthye me pamjen e tij të vërtetë dhe i tha Musait a.s: “Zoti më ka dërguar, pasi dëshiron të takohet me ty. Megjithatë, Zoti të jep një mundësi për ta zgjatur jetën. Vendose dorën mbi shpinën e një kau dhe aq qime sa të zërë dora, aq vite jetë do të të shtohen.”

Musai a.s buzëqeshi dhe e pyeti: “Po pas kësaj, çfarë do të ndodhë?” Meleku i vdekjes iu përgjigj: “Do të vdesësh.” Atëherë Musai a.s ia ktheu: “Më ka marrë malli për Zotin tim.”

Pra, përderisa qenka shkruar që unë të mos e përmbush misionin tim gjer në fund, e pranoj këtë me kënaqësi dhe le të më merret shpirti.

Atëherë meleku i vdekjes merr pozicion tek koka e Musait a.s dhe ashtu siç dëshirojmë të na drejtohet edhe neve, thotë: “O ti shpirt i mirë, shpirt i Musait, robit të Zotit! Dil nga ky trup i mirë, drejt kënaqësisë dhe mëshirës së Zotit!”

Profeti a.s ka thënë: “Teksa isha duke udhëtuar me Xhibrilin a.s drejt xhamisë Aksa, kaluam pranë varrit të Musait a.s. Ai qëndronte në këmbë, duke u falur në varrin e tij.”

Njerëzit, ashtu siç janë të ndarë në shtresa në këtë botë, ashtu janë të ndarë dhe në jetën e varrit dhe në Botën tjetër.

Ditën e Kiametit, Zoti do t’u thotë njerëzve: “O njerëz! Në dynja, unë u pata dhënë njerëz të afërm, kurse ju zgjodhët njerëz të tjerë. Unë u pata thënë që njeriu më i ndershëm prej jush, është më i devotshmi. Sakaq ju thoshit: ‘Jam filani biri i filanit.’ Sot, Unë do të poshtëroj zgjedhjen tuaj dhe do të lartësoj zgjedhjen Time. Ku janë njerëzit e devotshëm?”

Ka njerëz që varrin e kanë të shtruar me shtresa prej xheneti. Ka të tjerë, të cilëve u hapet një dritare prej nga ku shohin vendin e tyre që i pret në xhenet. Ka njerëz të tjerë, të cilëve punët e mira u vijnë në formën e një njeriu që i mban me muhabet që mos mërziten. Kurani, të cilin e ke lexuar, memorizuar dhe vepruar sipas porosive të tij, do të të largojë mërzinë gjatë jetës së varrit. Kur Umer ibnul Hattabit i erdhën melekët e vdekjes dhe e pyetën: “Kush është Zoti yt, feja dhe profeti yt?” Umeri u tha: “Jo, ju më tregoni kush është Zoti, profeti dhe feja juaj!”

Sakaq, Musai a.s gjatë jetës së tij në varr, vazhdon të falet në këmbë, siç e përshkruan dhe profeti Muhamed a.s në hadithin e mësipërm. Namazi që Musai a.s fal në varr, nuk është obligim për të, por është kënaqësi dhe afërsi me Zotin. Ai namaz, është shpërblim për Musain a.s për sakrificën dhe sinqeritetin e tij. Ngaqë ai e shijon në maksimum namazin që fal, jeta e varrit do t’i duket sikur fal dy rekate të shpejta. Por ka njerëz të cilët mund të vdesin ditën që ndodh Kiameti, megjithatë t’u duket sikur kanë me mijëra vite që janë varrosur.

Në fund, e lusim Zotin të kalojmë një jetë të mbushur me aktivitet në shërbim të njerëzve dhe të së mirës! E lusim Zotin që të jemi në shoqërinë e profetit Muhamed a.s dhe Musa a.s në xhenet! Amin!