Winnie Mandela
Winnie Mandzikela-Mandela e njohur më mirë si Winnie Mandela, është një politikane e Afrikës së Jugut, anëtare dhe aktiviste e ANC, ka lindur më 26 shtator 1936 dhe vdiq më 2 prill 2018. Ajo ishte, nga viti 1957 deri më 1996, gruaja e dytë e Nelson Mandelës, President i Afrikës së Jugut. Ajo njihej si një aktiviste kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Ajo ndoqi studimet për punë sociale në Johannesburg. Me Nelson Mandelën u njoh në vitin 1957 dhe një vit më vonë u martuan, martesë nga e cila sollën dy fëmijë.
Megjithatë, martesa ishte e shkurtër, pasi Mandela u arrestua në vitin 1963 dhe u dënua me burgim të përjetshëm për tradhti, ndërsa vetë Winifred vuajti pasojat e aparteidit, fillimisht duke u vendosur në arrest shtëpie e më pas duke u dëbuar në Brandfort, një qytezë ku internoheshin kundërshtarët e regjimit.
Në vitin 1969 u bë ndër të parat të dënuara sipas një ligji famëkeq të periudhës së aparteidit, ku u ndëshkua me 18 muaj e vetmuar dhe krejtësisht e izoluar në një qeli në burgun qendror të Pretorias me akuzën e terrorizmit.
Aktiviste, ashtu si bashkëshorti i saj që ndodhej në qeli, Winifred do të fitonte popullaritetin masiv në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën me ecjen dorë për dore me Nelson Mandelën pas lirimit të tij në vitin 1990.
Por, një vit më vonë Winifred u dënua me akuzën e rrëmbimit dhe më pas vrasjes së një aktivisti nga truprojat e saj personale.
Dënimi me 6 vite burg u reduktua në një gjobë dhe dy vite burg me kusht. Pas kësaj, martesa me Nelson Mandelan u shkund nga themelet dhe ajo që do të ndante përfundimisht rrugën e saj me presidentin e parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut.
Çifti u nda në vitin 1996, pas 37 vitesh martesë.
Në zgjedhjet e para demokratike, në vitin 1994, Winifred u zgjodh deputete dhe u vendos zv.ministre e Kulturës, por u shkarkua nga Nelson Mandela pas një udhëtimi të paautorizuar në Ganë.
Që prej asaj kohe mbante postin e deputetes, pavarësisht se në sallë shfaqej rrallë e më rrallë.