Dr. Xhafer Sylejmani (maqedonisht: Џафер Сулејмани; Përmet; 14 mars 1879 - Tetovë, 17 nëntor 1953) ka qenë mjek dhe intelektual i dalluar shqiptar në Tetovë.

Jeta e Hershme dhe Arsimi

Redakto

Dr. Xhafer Sylejmani u lind më 14 mars 1879 në fshatin Sevran të Shqipërisë. Shkollimin e mesëm e kreu në Greqi, ndërsa studimet e mjekësisë i ndoqi në Shkollën Perandorake të Mjeksisë në Stamboll, dhe më pas u specializua në Sorbonë të Francës.

Karriera Mjekësore në Tetovë

Redakto

Në vitin 1905, pas përfundimit të studimeve për mjekësi, Dr. Xhafer Sylejmani vendoset në Tetovë, ku fillon të ushtrojë profesionin e mjekut. Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) dhe epidemisë së tifos, ai u angazhua humanitarisht për të ndihmuar popullsinë lokale, për çka u dekorua me urdhëra të larta nga Kryqi i Kuq dhe nga Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS).

Veprimtaria Sipërmarrëse

Redakto

Në vitet 1920, Dr. Xhafer Sylejmani paraqitet si investitor në dy nga sipërmarrjet e para në Tetovë. Ai ishte njëri nga bashkëthemeluesit dhe investitorët kryesorë të Bankës Tregtare Industriale të Tetovës (Тетовско Трговачко Индустријска Банка А. Д. - Тетово) dhe Shoqërisë Aksionare Industriale të Tetovës (Тетовско Индустријско Акционарско Друштво (ТИАД)). Ai mbajti pozita udhëheqëse në të dyja sipërmarrjet, duke shërbyer si Kryetar i Bordit Drejtues. Këto ndërmarrje luajtën një rol të rëndësishëm në industrializimin e rajonit. Një nga arritjet më të mëdha ishte ndërtimi i hidrocentralit të parë në Jugosllavinë Jugore, "Shkumbini", i cili filloi të funksiononte në nëntor të vitit 1926. Ky hidrocentral, që ndodhet në rrjedhën e lumit Shkumbin, vazhdon të funksionojë edhe sot.

Karriera Politike në Mbretërinë SKS (1927-1941)

Redakto

Dr. Xhafer Sylejmani hyri në politikë në gjysmën e dytë të viteve 1920. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 shtator 1927, ai u zgjodh deputet në Parlamentin e Mbretërisë SKS, përfaqësues i popullit nga Qarku i Tetovës, Banovina e Vardarit. Megjithatë, mandati i tij u ndërpre më 6 janar 1929, kur Mbreti i SKS-it shpalli "diktaturën e 6 janarit". Pas rivendosjes së rendit kushtetues në vitin 1931, sipas kushtetutës së shtatorit përfaqësimi popullor realizohej në dy nivele: Parlamenti dhe Senati. Senati do të themelohej si insitucion për herë të parë me këtë kushtetutë. Në zgjedhjet për deputet dhe senatorë me 3 janar 1932 janë zgjedhur gjithsej 46 senatorë. Sipas listës së senatorëve të zgjedhur, Dr. Xhafer Sylejmani ishte senatori i parë dhe i vetëm shqiptar në senatin Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas mandatit të parë 6-vjeçar, Dr. Xhafer Sylejmani zgjidhet përsëri senator në zgjedhjet për senat me datë 12 nëntor 1939. Mandati i dytë si senator i ndërpritet më 6 prill 1941, kur Mbretëria e SKS-it u pushtua nga Forcat e Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë mandatit të tij si senator, ai mbrojti interesat e qytetarëve, duke kritikuar ashpër mënyrën e zbatimit të reformave agrare që nuk ofronin kompensim të drejtë për pronarët, veçanërisht në jug të vendit ku shumica e popullatës ishin shqiptarë.

Kryetar Bashkie i Tetovës (1941-1943)

Redakto

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Tetova u bë pjesë e "Tokave të Lirueme" nën administrimin e Mbretërisë së Shqipërisë. Në këtë kohë ndarja administrative në Shqipëri bëhej në prefektura dhe nënprefektura. Nënprefektura e Tetovës i takonte prefekturës së Dibrës. Për shkak të përvojës së tij politike dhe statusit shoqëror, Dr. Xhafer Sylejmani u emërua Kryetar Bashkie i Tetovës. Gjatë kësaj periudhe, ai ndërmori një sërë iniciativash patriotike për përforcimin e elementit shqiptar, duke ofruar mbështetjen administrative për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe për të luftuar analfabetizmin dhe për të kultivuar indin kombëtar ndër shqiptarët e "tokave të lirueme".

Një nga ngjarjet më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe ishte organizimi i pritjes madhështore në korrik 1943 për krerët e shtetit shqiptar dhe Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Mbretit, Gjeneralit Alberto Pariani, në Tetovë. Kjo vizitë u bë një nga arsyet kryesore për burgosjen e tij nga pushteti komunist jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore.

Detyrën e kryetarit të bashkisë së Tetovës e ushtroi deri në nëntor 1943, kur në krye të bashkisë erdhi Shaip Kamberi.

Persekutimi dhe Vdekja

Redakto

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist jugosllav filloi një valë persekutimesh ndaj shqiptarëve në Tetovë. Në vitin 1946, në moshën 67 vjeçare, Dr. Xhafer Sylejmani u dënua me 6 vite burg dhe humbje të të drejtave qytetare dhe politike për 2 vite, nën akuzën e "bashkëpunimit me okupatorin" dhe "kryerjen e veprës kundër shtetit dhe popullit". Ai vuajti dënimin në burgun e Idrizovës.

Gjatë periudhës së burgimit, gruaja e tij, Safija, kërkoi disa herë lirimin e tij me kusht për shkak të moshës së shtyer dhe shëndetit të rënduar, por kërkesat e saj u refuzuan. Dr. Xhafer Sylejmani u lirua me kusht në vitin 1950, por më pas u kthye në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Ai ndërroi jetë më 17 nëntor 1953 në moshën 74-vjeçare dhe u varros në varrezat e qytetit të Tetovës.

Trashëgimia

Redakto

Figura e Dr. Xhafer Sylejmanit është një nga ato që ndriçon periudhën turbulente të Ballkanit gjatë dy luftërave botërore, duke dëshmuar për rëndësinë e përkushtimit profesional dhe kombëtar në rrethana të vështira.

Shtëpia e Dr. Xhafer Sylejmanit në Tetovë paraqet objekt të trashigimisë kulturore.

Referime

Redakto