Xhamia e Pidiçit, Gjilan
Xhamia e fshatit Pidiç është ndërtuar në vitin e largët 1645. Është xhamia e tretë me radhë e ndërtuar në komunën e Gjilanit, pas asaj të Mireshit (1526) dhe asaj të Pogragjës (1625). Në të vërtetë, objekti i tanishëm nuk mund të jetë ai i vitit 1645, por se mund të ketë mbi 200 vjet, këtë e thotë ligjshmëria e mbamjes me varrin e Ajvaz Muçës. Vendësit nuk mbajnë mend të jetë ngritur objekt pas varrimit të Ajvazit qysh në vitin 1863.Por, se objekti i tanishëm është ndërtuar mbi bazën e të vjetrit mund të jetë e sigurt. Imami i kësaj Xhamie thotë se pleqtë e fshatit e kanë thënë shprehimisht se themelet e xhamisë së parë mund të jenë rreth 2-3 metra thellë, nën bazamentin e objektit të tanishëm. Si duket kjo ka ndodhur për faktin se lumthi që kalon pranë xhamisë e kishte vërshuar 2-3 herë duke i mbushur dyshemenë me dhe, prandaj e ka detyruar xhematin që t'ia ngritë bazën objektit. Materiali për ndërtim është guri, llaçi prej balte, e sidomos hatullat si element komstruktiv. Për murimin e objektit, veç gureve porozë të marrë aty afër, tek vendi i quajtur Vrella, janë përdorë edhe gurë te lumthit, i cili kalon skaj fshatit. Xhamia e vjetër është suvatuar pas një kohe të gjatë, tek në vitin 1965, kur edhe i është shtuar një aneks prej 2 metrash gjatësi ne anën veriore, sikundër që për 80 cm lartësi i është ngritur edhe plafoni.