Xhejms Berisha
Xhejms Berisha ka lindur më 22 janar 1972 në Brestovc, Kosovë. Lindi në një familje të thjeshtë kosovare me prindër fermerë. Fëmijëria e tij do të ishte mëse e zakonshme, e ndarë mes shkollës fillore dhe punëve në fshat. Që i vogël, teksa shihte helikopterët të çanin plot kenari ajrin e retë, ëndërronte të bëhej pilot, dëshirë kjo që e shtyu të shkonte drejt Zvicrës për të marrë formimin e shkollimin përkatës. Gjatë qëndrimit në Zvicër Xhejsmi veç diplomës së tij në Menaxhim Hoteli iu përkushtua pa dyshim studimit për të marrë çertifikatën e Pilotit Privat Zviceran (Swiss Private Pilot Certification). Në moshën 23 vjeçare ai do ta realizonte përfundimisht ëndrrën e tij të fëmijërisë duke u diplomuar si pilot dhe instruktor fluturimi në Akademinë e Fluturimit në Vero Beach, Florida. Që prej asaj dite jeta e tij lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me pilotimin. Me shpalljen e Pavarsisë në Kosovë (17.02.2008), Xhejmsit do t’i lindte në kokë një ide, jo vetëm brilante por edhe shumë e guximshme: të shëtiste botën duke lobuar për njohjen e Pavarësisë së Kosovës edhe aty ku diplomacia e kish të pamundur të arrinte. Pranverën e vitit 2009, pilotit profesionist iu desh vetëm pak shpirt aventurieri dhe shumë atdhetarizëm që të ndërmerrte një mision të cilin ai vetë do ta pagëzonte Flying for Kosovo (të fluturosh për Kosovën).