Paul Xhozef Gëbels 29 tetor 1897– 1 maj 1945) ishte një politikan dhe filolog nazist gjerman i cili ishte Gauleiter (udhëheqësi i distriktit) i Berlinit, kryepropagandist i Partisë Naziste dhe më pas Ministër i Propagandës së Rajhut nga viti 1933 deri në 1945. Ai ishte një nga ndjekësit më të afërt dhe më të përkushtuar të Adolf Hitlerit, i njohur për aftësitë e tij në të folurit në publik.

Gëbelsi, i cili aspironte të bëhej autor, mori një doktoraturë në filologji nga Universiteti i Hajdelbergut në 1921. Ai iu bashkua Partisë Naziste në vitin 1924 dhe punoi me Gregor Shtraserin në degën e saj veriore. Ai u emërua Gauleiter i Berlinit në vitin 1926, ku filloi të interesohej për përdorimin e propagandës për të nxitur partinë dhe programin e saj. Pasi nazistët erdhën në pushtet në 1933, Ministria e Propagandës e Gëbelsit fitoi shpejt kontrollin mbi mediat e lajmeve, artet dhe informacionin në Gjermaninë naziste. Ai ishte veçanërisht i zoti në përdorimin e mediave relativisht të reja të radios dhe filmit për qëllime propagandistike.

Në vitin 1943, Gëbelsi filloi t'i bënte presion Hitlerit për të futur masa që do të prodhonin "luftë të plotë", duke përfshirë mbylljen e bizneseve jothelbësore për përpjekjet e luftës, rekrutimin e grave në fuqinë punëtore dhe regjistrimin e burrave në profesionet e përjashtuara më parë në Vermaht. Hitleri më në fund e emëroi atë si Fuqiplotin e Rajhut për Luftën e Plotë më 23 korrik 1944, ku Gëbelsi ndërmori masa kryesisht të pasuksesshme për të rritur numrin e njerëzve në dispozicion për prodhimin e armatimeve dhe për Vermahtin.

Ndërsa lufta po i afrohej fundit dhe Gjermania naziste u përball me disfatën, Magda Gëbels dhe fëmijët e Gëbelsit iu bashkuan Hitlerit në Berlin. Ata u zhvendosën në Vorbunker-in nëntokësor, pjesë e kompleksit të bunkerit nëntokësor të Hitlerit, më 22 prill 1945. Hitleri kreu vetëvrasje më 30 prill. Në përputhje me testamentin e Hitlerit, Gëbelsi e pasoi atë si kancelar i Gjermanisë; ai shërbeu një ditë në këtë post. Të nesërmen, Gëbelsi dhe gruaja e tij Magda kryen vetëvrasje, pasi kishin helmuar gjashtë fëmijët e tyre me një përbërje cianuri.