Ymer Pampuri është peshëngritës i njohur shqiptar, bartës i rekordit Olimpik për vitin 1972 në peshëngritje.

Ymer Pampuri

Karriera

Redakto

29 gusht 1972Mynih, Ymer Pampuri thyen Rekordin Olimpik në peshëngritje dhe bëhet Kampion i Botës.

Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. E ka zbuluar për herë të parë talentin e Ymerit në peshëngritje, Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste. Nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë. Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. Ishin në përgjithësi sportistë dhe trajnerë pa përvojë të madhe. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampionë me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën. Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut. Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës. Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë. Veç medaljeve e titujve, i është akorduar edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1981 heq dorë përfundimisht nga sporti, që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50-vjeçare. Pasi doli në pension në vitin 1994, Ymer Pampuri kërkoi të punonte për të fituar jetesën. Tashmë është 63 vjeç dhe punon vetëm si rojë porte në Institutin e Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar, INIMA.

Në vitin 1972, kur Ymer Pampuri dhe trajneri i tij, Zydi Mazreku, deklaruan para nisjes në Olimpiadën e Mynihut se do të shkonin në Gjermani për të marrë medalje, shumë nga drejtuesit e sportit shqiptar në atë kohë qeshën. Deklarata e Pampurit dhe trajnerit të tij u bë objekt debati nga shumë funksionarë në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit. Kishte dhe nga ata që kërkonin që Pampuri të mos shkonte, pasi nuk ishte mirë mendërisht. Edhe pse më parë kishte arritur rezultate të mira, askush nuk mendonte se një sportist shqiptar mund të merrte medalje në Mynih, apo të vendoste rekorde që ende sot nuk janë thyer. “Unë kisha bërë një përgatitje të mirë fizike dhe teknike, dhe së bashku me trajnerin kishim besim”, tregon Pampuri. “Drejtuesit e sportit mendonin se kjo deklaratë e imja ishte vetëm një lajthitje e mendjes. Madje më quajtën edhe të çmenduar dhe për këtë kërkuan që para se të nisesha në Gjermani të bëja dhe një vizitë te mjeku neurologë. Së bashku me trajnerin shkuam te mjeku Bajram Preza, ku iu nënshtrova disa vizitave mjekësore. Në përfundim doktor Preza tha se isha shëndoshë e mirë dhe mund të merrja pjesë në Olimpiadën e Mynihut. Shkuam në Olimpiadë dhe arrita të merrja medalje”, rrëfen kampioni i Botës, Ymer Pampuri.

Ymer Pampuri i rikthehet peshëngritjes në moshën 63-vjeçare. Legjenda e sportit shqiptar, por edhe një nga personat më të njohur të Cirkut Kombëtar, ka marrë mbi supe një sfidë të re, Kampionatin Botëror për Mjeshterine që zhvillohet në Francë nga data 26 gusht deri më 2 shtator 2006.

U nda nga jeta më 18 janar 2017.