Zhorzh Sand
George Sand (shqipërimi: Zhorzh Sand) është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin 1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare. Më pas, Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Më vonë tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuar me tema nga fshati si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849), “Fransua Shampi” (1850) etj. Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini të tjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”, (1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII. Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodëler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale të kohës, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, Gustav Flober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë. Megjithëse nëpërmjet letërkëmbimit, ajo mbante lidhje të ngushta me shkrimtarin Viktor Hygo. Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti 1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndër të cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804. Tre vitet e para të jetës i kalon në një shtëpi të vogël. Familja shpërngulet në Madrid dhe pas ca kohe kthehet përsëri në Nohant te gjyshja e Amantinës. Më 16 shtator 1808, i ati vdes pas një rënie nga kali. Amantina rritet në Nohant, në fillim me të ëmën dhe pastaj me gjyshen. Më vonë gjyshja kujdeset për të dhe merret me arsimimin e saj, ku i gjen edhe një mësues privat, i cili kishte mësuar edhe të atin e saj. Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820. Pas vdekjes së gjyshes, e ëma e thërret në Paris, por marrëdhëniet e tyre acarohen dhe në fillim të vitit 1822, e ëma ia beson të bijën një familjeje me pesë vajza. Aty ajo njeh Fransua Dydëvo me të cilin martohet në shtator të atij viti dhe shkojnë jetojnë në Nohant. Më 30 qershor 1823, sjell në jetë djalin e saj Moris. Gjatë një udhëtimi në Pirenej, njihet me Oreljë dë Sez me të cilin ka një marrëdhënie platonike. Nga viti 1826 deri në 1831, qëndron kryesisht në Nohant. Gjatë viteve 1827-1828 ka një lidhje me Stefan Azhason. Më 13 shtator 1828, sjell në jetë të bijën Solanzhë. I shoqi fillon të pijë, krijon marrëdhënie me shërbëtoret dhe në dhjetor 1830, çifti grinden. Amantina do të jetojë shumicën e kohës në Paris, ku merr edhe të bijën, ndërkohë që Morisi qëndron në Nohant dhe i shoqi i paguan Amantinës një shumë prej 3 000 frangash sipas kontratës. Më 4 janar 1831, Amantina largohet nga Nohant dhe shkon në Paris ku futet në një shoqëri të vogël të rinjsh të dhënë pas letërsisë romantike. Aty kalon një jetë prej bohemësh duke frekuentuar teatrot, muzetë dhe bibliotekat. Madje, mban veshur edhe një kostum burrash më praktik dhe më pak të kushtueshëm. Krijon lidhje me të riun Zhyl Sando dhe të dy fillojnë karrierën si gazetarë në Figaro. Shkruajnë edhe një roman së bashku që botohet me pseudonimin J. Sand. Veprën e parë të saj “Indiana”, publikuar më 19 maj 1832 dhe të gjitha veprat e saj i boton me pseudonimin Zhorzh Sand. Tre muaj pasi botoi librin “Indiana”, përfundon librin tjetër Valentina gjatë verës së vitit 1832. Të dyja këto vepra e bëjnë të njohur. Më 1833 ndahet nga Zhyl Sando dhe lidhet me Prosper Merime për një kohë të shkurtër. Të dyja këto lidhje e zhgënjejnë. Më 10 gusht 1833, vjen libri “Lelia”, një vepër lirike, alegorike, origjinale dhe shumë e suksesshme. Gjatë vitit 1833 njihet dhe lidhet me poetin francez Alfred dë Myse. Ndahet pas një udhëtimi në Itali dhe rilidhet me të, megjithëse marrëdhënia Sand – Myse vazhdon të mbetet e trazuar derisa ndahen përfundimisht në mars të vitit 1835. Kjo lidhje shërbeu si frymëzim për “Letra të një udhëtari”, kurse për Mysenë,
“Rrëfimi i një fëmijë të këtij shekulli”. Pas vdekjes së Mysesë, Sand boton “Ajo dhe Ai”, ku tregon historinë e tyre. Në vitin 1835, Sand njihet me një avokat të famshëm i cili e mbron në divorcin me të shoqin. Ky avokat e frymëzon për personazhin e Simonit në romanin me të njëjtin titull. Ndahet prej tij në 1837 dhe po atë vit, mësuesi i djalit të saj bëhet një nga të dashurit e saj të shumtë. Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë – bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rënien e mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt – Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe.