1- Komponentët e zhvillimit të qëndrueshëm urban Redakto

Zhvillimi i qëndrueshëm urban prej kohësh është në qendër të vëmendjes të shumë organizatave dhe institucioneve mbarëbotërore, për vetë rëndësinë jetike që ai ka për të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Një sërë lëvizjesh shoqërore dhe institucionale kanë lindur për të nxitur respektimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në përgjithësi dhe atij urban në vecanti. Zhvillimi i qëndrueshëm urban  si koncept nënkupton një kuadër veprimi në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm në tërësi, nëpërmjet orientimit të vëmendjes dhe veprimit në pesë komponentë apo  aspekte madhore të zhvillimeve urbane: ekonomik, mjedisor, shoqëror, demografik, politik[1]. Këto aspekte reflektohen në vizionet e zhvillimit urban në fomë parimesh e politikash urbane.

2- Parimet e zhvillimit të qëndrueshëm urban Redakto

Parimet e zhvillimit të qëndrueshëm urban janë konceptuar e rikonceptuar në kohëra në përputhje me zhvillimet urbane dhe me problematikat që kanë nxjerrë krye herë pas here, pasi gjetja e balancës midis mirëqenies ekonomike, sociale e mjedisore përbën një sfidë të vështirë.

Në pikëpamje të analizës territoriale, në qëndrueshmërinë e zhvillimit në tërësi dhe atij urban në vecanti kanë funksionuar parime të zhvillimit të qëndrueshëm urban të tillë si:  parimi gjeografik i barazisë territoriale në shpërndarjen e vendbanimeve dhe zonave urbane; parimi ekonomik  i përfocimit të potencialit të brendshëm; parimi ekologjik i ruajtjes së ekosistemit; parimi sociologjik  për barazi sociale si dhe parimi politik i autonomisë territoriale[2].Thelbi i parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm urban mbetet i njëjtë dhe reflekton 5 komponenetët e sipërpërmnedur, edhe pse parimet mund të detajohen apo organizohen dhe sistemohen ndryshe. Kështu p.sh gjatë periudhës 2006-2015, flitet për 6 parime  të zhvillimit të qëndrueshëm urban[3] që përcaktohen si: integriteti në marrëdhënien njeri-mjedis; mirëqenia njerëzore; barazia në dhe midis brezave; mirëmbajtja dhe eficenca e resurseve; qeverisja demokratike; parandalimi dhe përshtatja.

3- Agjenda 2030 dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm urban Redakto

Në Agjendën 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm, të konceptuar në vitin 2015, zhvillimi urban përfaqësohet me një nga 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, pikërisht objektivin 11-të, i cili emërtohet “Qytetet dhe komunitetet të qëndrueshëm”[4]. Sipas këtij dokumenti strategjik treguesit që orientojnë dhe dëshmojnë realizimin e këtij objektivi për të stimuluar shndërrimin e qyteteve dhe vendbanimeve humane në tërësi, në vendbanime gjithëpërfshirëse, të sigurta, fleksibël dhe të qëndrueshëm, kanë të bëjnë me një sërë problematikash[5]: Këto problematika në mënyrë të përmbedhur, lidhen me:

-           aksesin në banesa e shërbime të të gjithë kategorive të popullsisë; 

-           me aksesin  e të gjithë kategorive të popullsisë në sistemin e transportit publik që duhet të jetë i sigurtë e i përballueshëm për të gjithë;

-           me pjesëmarjen në vendimmarrje për një urbanizim e planifikim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës;

-           me mbrojtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore;

-           me reduktimin e vdekshmërisë dhe zbutjen e efekteve negative në ekonomi, të fatkeqësive natyrore, vecanërisht përmbytjeve e sidomos mbrojtjes së shtresave në nevojë; -    me ndotjen e ajrit  dhe menagjimin e mbetjeve në nivel lokal e jo vetëm;

-           aksesin ndaj hapësirave të gjelbra dhe publike sidomos për kategoritë më vulnerabël të popullsisë;

-           me marrëdhënien ekonomike, sociale e mjedisore midis zonave urbane, periurbane dhe rurale për një planifikim më të mirë të zhvillimit rajonal e kombëtar;

-           rritjen e ndjeshme të numrit të qyteteve dhe vendbanimeve humane që implementojnë politikat dhe planet e integruara për: përfshirje, përdorim efikas të resurseve, reduktim dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, fleksibilitet ndaj fatkeqësive;

-           ndërtime të qëndrueshme dhe fleksibël dhe të bazuara në resurse lokale në vendet pak të zhvilluara, me asistencë teknike e financiare dhe jo vetëm.

Realizimi i një apo disa objektivave, mundëson zgjidhjen e shumë problematikave në qytete, duke qenë se objektivat janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Realizimi i çdonjërit prej objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm urban, mundësohet nëpërmjet politikave të zhvillimit urban.


[1] Knox.P.L., McCarthy.L., Urbanisation, Pearson, 2005

[2] Cunha.A/Racine.J.B (2000): Sustainable development, the quality of the urban environment and governance: issues in urban research, or how to change the process of change in  Integrated urban systems and sustainability of urban life, Bucharest. EDITURA TEHNICA

[3]https://www.researchgate.net/publication/280875675_Principles_for_sustainable_urban_places_the_why_what_and_how

[4] https://www.undp.org/sustainable-development-goals?utm_source=EN&utm_medium=GSR&utm_content=US_UNDP_PaidSearch_Brand_English&utm_campaign=CENTRAL&c_src=CENTRAL&c_src2=GSR&gclid=EAIaIQobChMIvOvLgYOa9AIVËOJ3Ch2-8Q4vEAAYAyAAEgLkB_D_BëE

[5] https://www.undp.org/sustainable-development-goals?utm_source=EN&utm_medium=GSR&utm_content=US_UNDP_PaidSearch_Brand_English&utm_campaign=CENTRAL&c_src=CENTRAL&c_src2=GSR&gclid=EAIaIQobChMIvOvLgYOa9AIVËOJ3Ch2-8Q4vEAAYAyAAEgLkB_D_BëE#sustainable-cities-and-communities