Zhvillimi rural është një process që ka si synim kryesor rritjen e mirëqenies së banorëve të zonave rurale në të gjithë botën. Procesi i zhvillimit duhet t’i përkasë popullsisë që ka vendosur të jetojë në hapësirën rurale dhe duhet t’i japë asaj mundësinë të ketë një nivel social dhe ekonomik të pranueshëm.[1]

Evolucioni i konceptit “zhvillim rural”

Redakto

Prej viteve ’40 të shekullit XX e në vazhdim, zhvillimi rural është perceptuar dhe aplikuar sipas modeleve të ndryshme. Hodge dhe Midmore (2008)[2] veçojnë katër modele kryresore të zhvillimit rural. Fillimisht, në vitet ’50-’70 të shekullit XX, si përgjigje ndaj nevojës për shtim të prodhimit bujqësor, zhvillimi rural konceptohej i lidhur drejtpërdrejt me sektorin e bujqësisë. Më pas, rreth viteve ’80, me mekanizimin e vazhdueshëm të bujqësisë dhe mbiprodhimin bujqësor, politikat e zhvillimit rural u orientuan drejt diversifikimit të ekonomisë rurale, duke nxitur zhvillimin edhe të veprimtarive të tjera përtej atyre prodhuese bujqësore, si mënyrë për të frenuar migrimin e popullsisë bujqësore. Zhvillimi rural nisi të orientohej më pas drejt qasjes territoriale dhe më tej asaj lokale, të mbështetura gjerësisht në potencialet dhe resurset lokale, të cilat mundësojnë zhvillim endogjen (të brendshëm). Kështu, koncepti i zhvillimit rural është zhvendosur nga ai i ngushtë, i përmirësimit të treguesve bujqësorë (prodhim i zgjeruar, rritje rendimenti etj.) drejt një koncepti shumë më kompleks, duke nënkuptuar një zhvillim që bazohet në resurset lokale, që i valorizon ato, që përmirëson treguesit e punësimit rural, që diversifikon të ardhurat dhe që ndihmon kësisoj në frenimin e migrimit rural, gjithnjë duke respektuar parimet e qëndrueshmërisë.

Zhvillimi rural dhe aktorët lokalë

Redakto

Në një nga punimet e tij, Rieutort (2011) thekson se, në ditët e sotme, zhvillimi rural përfaqëson një dinamikë që u mundëson territoreve rurale të përmirësojnë kushtet e jetesës duke ruajtur mjedisin, bazuar mbi një tërësi veprimesh të aktorëve lokalë dhe mbi një përdorim më të mirë të resureseve të territorit. Kjo qasje e re nënkupton rëndësinë e strategjive të aktorëve (sipërmarrës individualë, të zgjedhurit e pushtetit lokal, teknicienë të menaxhimit dhe të zhvillimit, familje dhe banorë të hapësirës “së jetuar” dhe “të perceptuar” etj.) dhe të logjikave të rrjeteve (institucionale, në formën e procedurave kontraktuale, por edhe informale dhe interpersonale), që mundësojnë transmetimin e informacionit, “ndërtimin” e resurseve nëpërmjet zbulimit, rizbulimit ose krijimit, mobilizimin e kapitalit ose të savoir-faire.[3] Rëndësia që po i jepet rolit të aktorëve lokalë në zhvillimin rural vërehet edhe në qasjet e reja në zhvillimin rural, siç është rasti i zhvillimit rural të orientuar drejt komunitetit, i cili u jep grupeve dhe individëve të komunitetit fuqi vendimmarrëse në planifikimin e ndërhyrjeve që synojnë të përmirësojnë standardet e jetesës dhe alokimin e resurseve për të përmbushur objektivat e përcaktuar[4]. Zhvillimi rural është sot në thelb të politikave zhvillimore të të gjitha vendet e botës, falë impaktit jo vetëm mbi vetë territoret rurale, por edhe në vendosjen e ekuilibrave demosocialë dhe ekonomikë mes territoreve rurale dhe atyre urbane.


[1] Laçi Sabri et al. Gjeografia rurale, “LILO”. Tiranë, 2014.

[2] Hodge Ian, Midmore Peter (2008). Models of Rural Development and Approaches To Analysis Evaluation And Decision-Making, Économie rurale, 307, 2008. URL : http://journals.openedition.org/ economierurale/406 ; DOI : https://doi.org/10.4000/economierurale.406

[3] Rieutort Laurent (2011). La géographie française et la question rurale. In: Guibert Martine (dir.), Yves Jean (dir.), Dynamiques des espaces ruraux dans le Monde. Paris: Armand Colin. p. 19-45.

[4] Dahl-Østergaard Tom et al. (2008). Community-driven rural development: what have we learned. Sustainable Development Department Technical papers series. https://publications.iadb.org/publications/english/document/Community-Driven-Rural-Development-What-Have-We-Learned.pdf