Çifçi
Çifçi quhej fshatari që punonte në një çiflig. Përfaqësonte shtresën më të varfër dhe më të shfrytëzuar të popullsisë. Kjo shtresë e fshatarësisë lindi në shek.XVII. Mbi çifçiun rëndonin si zgjedha e spahiut me detyrimet e veta, ashtu edhe ajo e çifligarit. Për ngastrën që punonte çifçiu në tokën e çifligarit, ishte i detyruar t’i jepte atij detyrime në natyrë dhe shërbime angari. Situata e çifçiut nuk ndryshoi dhe atëherë kur çifligu brenda të cilit punonte fshatari, u njoh si pronë private dhe çifçiu u kthye në një qiramarrës, por duke mbetur gjithmonë në vartësinë e pronarit të tokës me të njëjtat detyrime.