Çuka e Ajtoit ngrihet mbi një kodër elipsoidale rreth 330 m mbi nivelin e detit, në afërsi të fshatit Çiflik, rreth 16 km në jug të Butrintit dhe në distancë rreth 5 km nga bregu i Jonit. Kalaja përbën një ndërtim të periudhës antike, e cila kishte si funksion primar mbrojtjen e Butrintit dhe banorëve të tij në rast sulmesh. Pozita strategjike ku ishte ngritur kalaja, pikërisht aty ku kalonte rruga Epidamn – Aulonë – Buthrot – Actia Nicopolis – Ambraki dhe kontrolli mbi fushën e Vrinës (Kestrinës antike) dhe Konispolit, krijonte kushte të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive ekonomike, si bujqësia, frutikultura dhe blegtoria. Të dhënat arkeologjike si teknika e ndërtimit të mureve dhe materiali i lëvizshëm tregojnë përdorimin e kalasë në vazhdimësi nga periudha e Antikitetit (shek. IV – III p. Kr.) deri në shek. IV m. Kr. që përkon me fortifikimin e Antikitetit të Vonë. Kalaja ngrihet mbi një kodër elipsoidale, duke shfrytëzuar mbrojtjen natyrale të pjerrësisë së terrenit. Sipërfaqja e rrethuar prej mureve është rreth 7,5 ha, duke e renditur Çukën e Ajtoit në një prej qyteteve të mesëm. Kurtinat e murit nuk përforcohen nga kulla, por muret formojnë zigzage dhe 7 dhëmbësharre, të shpërndara pa ndonjë rregull të veçantë.