100 Ditët e Luftës në Kosovës
100 Ditët e Luftës në Kosovës libër me Autorë të ndryshëm. Botues: AIITC, vendi i botimit: Tiranë, viti: 1999. Faqet e librit 356.
Autor | grup autorësh |
---|---|
Titulli origjinal | 100 Ditët e Luftës në Kosovës |
Shteti | Shqipëri |
Gjuha | shqip |
Seria | “Serinë e librave dokumentarë” |
Zhanri | dokumentar |
Botoi | AIITC |
Faqe | 356 |
Libri “100 Ditët e Luftës në Kosovës” bën pjesë në “Serinë e librave dokumentarë” dhe paraqet një kronikë të ngjarjeve 25 mars – 4 korrik 1999, të cilat u transmetuan nëpërmjet internetit dhe mjeteve të tjera elektronike nga AIITC në gjuhën shqipe, angleze dhe arabe. I kushtohet martirëve të Kosovës që u masakruan, derdhën gjakun dhe sakrifikuan jetën për lirinë e saj. Në parathënien e këtij libri, Dr. Ramiz Zekaj jep një pasqyrë të shkurtër të historisë së Kosovës të lidhur me trojet e tjera shqiptare. Kurse në Hyrje, e shkruar nga Bardhyl Gashi, e cila shtrihet në tetë faqe, jepet një panoramë e Kosovës në aspektin historiko-gjeografik e ekonomiko-administrativ, ku pasqyrohet një periudhë kohore nga sundimi osman e deri në ditët tona. Po në këtë hyrje flitet edhe për punën e madhe që ka bërë Zyra Informative pranë AIITC-së, për njohjen e publikut vendas e të huaj me barbarizmat serbo-sllave mbi popullin e pafajshëm shqiptar gjatë krizës së Kosovës, si dhe me gjendjen e refugjatëve gjatë kësaj periudhe, që ishin sistemuar në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, si vende që prekeshin drejtpërsëdrejti nga kriza në Kosovë. Ngjarjet e pasqyruara në këtë libër, pavarësisht se janë kronika ditore, ato janë një histori sa e vërtetë po kaq edhe e dhimbëshme; ato përmbajnë akuzën që shprehet me fjalën GENOCID, për të cilën duhet të dënohen ata që e bënë. Gjejmë në këto kronika vrasjet barbare të shqiptarëve nga paramilitarët, policia dhe ushtria serbe, pushkatimet masive të burrave, grave e fëmijve, dëbimet në masë, grabitjet, djegiet dhe shkatërrimet e qyteteve e fshatrave, duke synuar sidomos në shkatërrimin e objekteve me vlera kulturore e fetare të kombit tonë. Të dhënat e këtyre informacioneve u muarën nga burime të drejtëpërdrejta, nga Agjensia Telegrafike Shqiptare dhe agjenci të huaja, nga gazeta të ndryshme, nga mediat elektronike, nga Komunikatat e Shtetit Shqiptar dhe të vendeve të tjera të rajonit e më gjerë, e sidomos janë shfrytëzuar të dhënat dhe komentet nga konferencat për shtyp të realizuara nga NATO, KFOR, AFOR, Ministria e Punëve të Jashtme e SHBA-së, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, Bundesveri-Ministria e Mbojtjes e Gjermanisë etj. Po kështu janë shrytëzuar raportet e Organizatave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si: “Amnesty International”, “Human Right” etj