Agim Popa
Agim Popa ka lindur më 14 maj 1927 në Elbasan dhe vdiq ne 11 nëntor te vitit 2013. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Ka vazhduar studimet në Liceun Francez të Korçës dhe në shkollën normale të Elbasanit. Në vitet 1949 –1954 kryen studimet e larta në universitetin “Lomonosov” të Moskës, në Fakultetin e Filozofisë. Menjëherë pas çlirimit të vendit, ai ka qenë me punë në organizatën e rinisë të qarkut të Elbasanit dhe në aparatet qendrore të saj në Tiranë.
Pas përfundimit të studimeve universitare dhe kthimit në Shqipëri, Agim Popa është emëruar me punë në Shkollën e Partisë “V. I. Lenin” si pedagog i filozofisë marksiste (materializmi dialektik e historik), shef katedre dhe për një kohë jo shumë të gjatë zv. drejtor i saj. Në vitin 1958 ai u transferua në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë në përbërje të një grupi që merrej me problemet e luftës kundër të ashtuquajturit “revizionizëm modern”. Në vitin 1972-1975 ai ka punuar si përgjegjës i sektorit të jashtëm të KQ të PPSH-së. Më mbrapa, për një vit ka qenë në Institutin e Studimeve M-L pranë KQ të PPSh-së. Nga shtatori i vitit 1976 deri në fund të vitit 1980 si kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit”, organ i KQ të PPSH-së. Nga 1 janari i vitit 1981 deri në shkurt të vitit 1991, kur doli në pension me kërkesën e tij, ka punuar sërish në detyrën e shefit të Sektorit të Jashtëm të KQ të PPSH-së. Pikërisht në detyrat që kryente dhe besimin që kishte krijuar, si dhe në profesionalizmin absolut që prezantonte në fushën e përkthimeve në gjuhën ruse, Agim Popa ka qenë nga njerëzit më të preferuar të nomenklaturës më të lartë të shtetit komunist për të bërë pikërisht përkthimet nga kjo gjuhë.