Agjencia Kombetare e Burimeve Natyrore

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) është institucion publik i financuar nga buxheti i shtetit që mbikëqyr dhe monitoron përdorimin e burimeve natyrore në Shqipëri.

Agjencia Kombetare e Burimeve Natyrore
Formuar më9 gusht 2006
LlojiAgjensi qeveritarë
SeliaTiranë
Drejtori i Përgjithshëm
Adrian Bylyku
Organizata amë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë
Faqja në internetwww.akbn.gov.al

Përshkrim i Përgjithshëm

Redakto

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 547, datë 09.08.2006 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore”, të ndryshuar. Qëllimi i krijimit të AKBN ishte mbrojta dhe miradministrimi i interesave të shtetit shqiptar në fushat hidrokarbure, minerare dhe energjitike. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka si objekt të veprimtarisë së saj, zhvillimin, mbikqyrjen e shfrytëzimit racional të burimeve natyrore, në bazë të politikave qeverisëse, dhe monitorimin e postshfrytëzimit të tyre, në sektorin minerar, hidrokarbur dhe energjetik.

Fusha e veprimtarisë së AKBN

Redakto

a) Propozimin, konsultimin, dhe bashkëpunimin me strukturat përkatëse të Qeverisë për hartimin e politikave të saj dhe strategjive në fushën e minierave, hidrokarbureve dhe energjisë;

b) Zbatimin e politikave të Qeverisë në fushën e minierave, hidrokarbureve dhe energjisë;

c) Sigurimin brenda fushës së veprimtarisë së vet, të oponencës qeveritare për studimet dhe projektet në fushën e veprimtarisë minerare, postminerare, hidrokarbure dhe të energjisë, të paraqitura nga subjektet shtetërorë a privatë, vendas ose të huaj. Për raste të veçanta mund të kërkoje asistencë të specializuar;

d) Promovimin e burimeve minerare, hidrokarbure, hidrike dhe burimeve të rinovueshme të energjisë;

e) Negocimin e marrëveshjeve hidrokarbure dhe minerare dhe ndjekjen e zbatimit të planeve të zhvillimit të tyre;

f) Përgatitjen e dokumentacionit dhe praktikave të nevojshme për dhënien e lejeve, të liçensave, autorizimeve, në përputhje me ligjin, të cilat mundësojnë hyrjen në marrëveshjet hidrokarbure dhe kryerjen e operacioneve hidrokarbure sipas marrëveshjeve të lidhura;

g) Ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve të lidhura hidrokarbure;

h) Mbikëqyrjen e veprimtarisë minerare, postminerare, hidrokarbure dhe energjetike;

i) Realizimin e monitorimit të zonave të shfrytëzuara, të rrezikut minerar dhe të mbylljes së veprimtarisë minerare;

j) Monitorimin, e kontratave konçensionare për hidrocentralet;

k) Administrimin ekskluzivisht të të gjitha të dhënave parësore të sektorit hidrokarbur dhe të dhënat që lidhen me veprimtarinë minerare dhe postminerare;

l) Propozimin e masave për rritjen e shfrytëzimit të energjisë në ciklin energjetik;

m) Hartimin dhe publikimin e bilancit energjetik vjetor, në nivel kombëtar dhe rajonal, në përputhje me formatet e EUROSTAT-it dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Minierat

Redakto

Shqipëria është një vend i pasur me burime të mineraleve të ndryshme. Zbulimi, shfrytëzimi dhe përpunimi i tyre, përbën një aktivitet të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Tradicionalisht, mbas vitit 1944, industria nxjerrëse dhe e përpunimit të mineraleve si kromi, bakri, hekuri, qymyrguri, ka siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Zhvillimi i industrisë minerare ka kaluar në 3 faza:

Faza e parë, përfshin periudhën e paraçlirimit, deri në vitin 1945. Kjo fazë lidhet me dy ngjarje të rëndësishme për industrinë minerare. Në vitin 1922, u përpilua Harta Gjeologjike e Shqipërisë, e para e këtij lloji në Ballkan. Në vitin 1929, u hartua dhe miratua Ligji Minerar i Mbretërisë Shqiptare, i pari në Shqipëri, mbi bazën e të cilit filloi puna për zbulimin dhe shfrytëzimin e mineraleve.

Faza e dytë përfshin periudhëne mbasçlirimit deri në vitin 1994, vit në të cilin u miratua "Ligji minerar i Shqipërisë", me asistencën e Bankës Botërore. Në këtë fazë 1945-1994, aktiviteti minerar ishte i centralizuar, në dorën e shtetit totalitar dhe organizimi ishte në formën e ndërmarrjeve shtetërore.

Faza e tretë, përfshin periudhën mbas vitit 1944 deri në ditët e sotme. Në këtë fazë minierat u privatizuan totalisht dhe aktualisht nuk ka asnje minierë në aktivitet, ku të jetë pronar shteti.

Hidrokarburet

Redakto

Shqipëria ështe një vend hidrokarbur mbajtës, i cili ka rreth një shekull që prodhon sasira nafte dhe gazi. Veprimtaria hidrokarbure në Shqipëri i ka fillimet e saj rreth viteve 1800, kur u kryen eskpeditat e para gjeologjike, dhe më pas, rreth viteve 1900, kur këto operacione u intensifikuan më tej dhe u kurorëzuan me zbulimin e mjaft vendburimeve të naftës dhe gazit. Bashkëpunimi me industrinë ndërkombëtare të naftës ka filluar në fillim të viteve 1900, kur u dhanë një numër koncesionesh për shoqeri të huaja, nga më të mëdhate e kohës. Pas viteve 1990 janë zhvilluar disa raunde liçencimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve dhe janë lidhur një numër marrëveshjesh hidrokarbure me shoqëri të huaja. Gjatë kësaj periudhe janë kryer një numër i madh operacionesh hidrokarbure dhe janë grumbulluar një numër i madh të dhënash, të cilat shfrytëzohen për punimet në vazhdim. AKBN promovon vazhdimisht zonat e lira. Zhvillimi i operacioneve hidrokarbure bëhet e mundur si rezultat i një legjislacioni specifik dhe mjaft efektiv në këtë fushë. Gjithashtu në këtë fushë ekziston dhe një organizim institucional mjaft i përshtatshem. Per zhvillimin e aktivitetit të liçencimit AKBN ka hartuar procedura të cilat janë mjaft të qarta dhe mundësojne një proces liçencimi mjaft të shpejtë.

Hidroenergjetika

Redakto

Territori hidrografik i Shqipërisë ka një sipërfaqe prej 44.000 km2 ose 57% më shumë se territori i saj. Shqipëria ka 8 lumenj kryesorë: Drini, Buna, Vjosa, Semani, Mati, Shkumbini, Ishmi dhe Erzeni. Lartësia mesatare e territorit hidrografik të Shqipërisë është rreth 700 m mbi nivelin e detit. Prurja mesatare shumëvjeçare e rrjedhjes së përgjithëshme të lumenjve është rreth 1.245 m3/sek. Për shkak të veçorive morfologjike, Shqipëria është shumë e pasur në lumenj. Më shumë se 152 lumenj dhe përrenj, formojnë përfundimisht 8 lumenj të mëdhenj, që rrjedhin nga juglindja drejt veriperëndimit, kryesisht, drejt bregdetit Adriatik. Lumenjtë më të rëndësishëm të Shqipërisë janë Drini me 340 m3/sek, Vjosa me 210 m3/sek, Semani me 101 m3/sek, Mati me 74 m3/sek, Shkumbini me 60 m3/sek, etj. Megjithëse prurjet e këtyre lumenjve janë relativisht të vogla, ato kanë rënie të madhe dhe bëjnë që potenciali hidroenergjetik i tyre të jetë i konsiderueshëm për vendin tonë. Këto e bëjnë Shqipërinë një vend të pasur në rezerva ujore dhe potenciali hidroenergjetik që mund të shfrytëzohet, të ketë vlera të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Energjitë e Rinovueshme

Redakto

Shqipëria po punon që të kombinojë politikat e efiçencës së energjisë dhe energjive të rinovueshme, duke i bërë ato pjesë të një strategjie të tërë për energjinë, bazuar në direktivat e Bashkimit Europian (2001/77, 2003/54/EC; 2003/55/EC; etj). Aktualisht, Strategjia Kombëtare e Energjisë (2007-2020), ka të përfshirë jo vetëm strategjinë e zhvillimit të burimeve klasike (fosile), por edhe strategjitë për energjinë e rinovueshme dhe të efiçencës së energjisë. Përfshirja e tyre në Strategjinë e Energjisë është e shoqëruar dhe me parashikimin e të gjitha hapave që duhet të ndërmerren për aplikimin e tyre. Qellimi i përfshirjes së të gjitha burimeve energjitike në planifikimin e nevojave për energji lidhet ngushtë jo vetëm me shfrytëzimin e burimeve alternative, por dhe me objektivat që ka sistemi energjitik shqiptar për zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Shqipëria ka ratifikuar dhe nënshkruar disa marrëveshje që lidhen ngushtë me shfrytëzimin e burimeve alternative dhe të pastra nga pikpamja mjedisore dhe po punon për hartimin e kuadrit ligjor të nevojshem për nxitjen e këtyre burimeve.

Faqja elektronike zyrtare

Redakto

http://www.akbn.gov.al/