Më 28 qershor 2011, doli nga shtypi vepra Agoni e shpresa, e autorit Besnik Bardhi. Libri paraqet një dëshmi rrëqethëse për tragjeditë e njëpasnjëshme dhe të dhembshme të popullit shqiptar në Kosovë, sidomos në gjysmëshekullin e fundit. Autori bënë një pasqyrim real dhe trishtues të gjendjes dramatike gjatë 78 ditëve të kasaphanës dhe masakrave të papara serbe ndaj qytetarëve të ngujuar dhe të paarmatosur shqiptarë në Gjakovë. Megjithëse, në libër prezantohen edhe shumë të dhëna historike të periudhës 100-vjeçare të okupimit serb, sidomos ato gjatë viteve 1990-1999, si dhe shumë shkrime publicistike, analiza politike, përshkrime, letra të hapura – që të gjitha paraqesin vizione të qarta për kohën aktuale kur u shkruan. Në libër pasqyrohen edhe vëzhgime të një numri të madh ngjarjesh që ndodhen në Kosovë, në 12 vitet e pasluftës, të shikuara me dioptrinë politike të një qytetari shqiptar të Kosovës. Për herë të parë prezantohen faktet e pamohueshme për vërtetësinë e helmimit të 8500 të rinjve shqiptarë në Kosovë, në vitin 1990. Për herë të parë bëhen publike dokumentet sekrete të Komitetit Etik dhe të Kryesisë së Shoqatës së Mjekëve të Serbisë (të dt. 30.03.1990), vendimet e së cilës mbyllën Fakultetin e Mjekësisë në gjuhen shqipe, pas të cilit, sipas sistemit domino, u rrënuan edhe të gjitha institucionet tjera legale të pushtetit në Kosovë. Në librin Agoni e Shpresa, me forcën e argumentit luftohen tezat dhe gënjeshtrat e qeverisë serbe dhe jugosllave, të cilat i mohojnë helmimet e vitit 1990. Madje, sipas tyre, ato ishin rezultat i induksionit dhe histerisë kolektive. Andaj, në libër hidhet poshtë edhe teza e histerisë kolektive, e profesor doktor Z.Radovanovic, e publikuar më 14 qershor të vitit 1995, në revisten prestigjioze mjekësore European Journal of Epidemiology, me titull: On the origin of mass casualty incidents in Kosovo, Yugoslavia, in 1990. Këto teori të tyre, megjithatë, pësuan grusht të rëndë përballë forcës së argumenteve, në simpoziumin e Zagrebit (teoria e profesor dr.Ljubomir Eric për induksion psikik), ndonëse, për fat të keq, gënjeshtrat recidivuan sërish më vonë nga ata. Në libër sillen edhe shumë fotografi autentike të simpoziumit të Zagrebit, të helmimit të nxënësve në mbarë Kosovën, të luftës dhe shkatërrimeve në Kosovë, si dhe fotografi ilustruese të teksteve publicistike të pasluftës. Puna cilësore e recensentëve, akademik Pajazit Nushi dhe profesor dr. Shefqet Canhasi, por edhe e redaktorit profesor Hazyr Dervishi, vetëm sa shton vlerën e librit. Libri ka 350 faqe, tirazh prej 1,000 kopjesh dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Faik Konica, në Prishtinë. Libri është shkruar brenda intervalit kohor 12-vjeçar. Më 2 shtator 2011, në BKUK në Prishtinë u bë promovimi i librit Agoni e shpresa. Poashtu, ky libër u promovua në Bibliotekën Marin Barleti në Shkodër, më 29 tetor 2011.

http://www.youtube.com/watch?v=OutcRululvQ

http://www.youtube.com/watch?v=DLy9CcCyBB0