Morali në Islam
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Morali në Islam është një ndër elementet kryesore të cilat çojnë drejt formimit të myslimanit të vërtetë, të edukuar dhe të vetëdijesuar në baza islame.
Një pjesë e atyre që pretendojnë se bëjnë diçka në emër të fesë, në të vërtetë mund ta kenë keqkuptuar atë fe dhe për pasojë ta kenë zbatuar atë në mënyrë të gabuar. Për këtë arsye, do të ishte e pasaktë që të krijohen ide rreth fesë, duke marrë si shembull veprat e këtyre njerëzve. Mënyra më e mirë për ta kuptuar një fe, është studimi i burimit të saj hyjnor.
Burimi hyjnor i Islamit është Kur'ani që mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës, përkushtimit, sakrificës, tolerancës dhe paqes. Një mysliman që i zbaton siç duhet këto parime në jetën e tij, është një njeri i sjellshëm, i thjeshtë, i drejtë, i besueshëm dhe me të cilin është e lehtë të krijohen marrëdhënie të mira. Ai përhap dashuri, respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pranë tij.
Dënimi i ligësisë
RedaktoZoti u ka urdhëruar njerëzve që t'i largohen çdo të keqeje. Shtypja, mizoria, vrasja dhe gjakderdhja janë të gjitha të ndaluara. Ai i përshkruan ata që nuk i binden kësaj urdhërese si "ndjekës të gjurmëve të djallit" dhe i akuzon si mbajtës të një qëndrimi që është përshkruar qartë si i mëkatshëm në Kuran. Në disa nga vargjet e shumta kuranore mbi këtë çështje lexojmë:
- "Por përsa u përket atyre që pas betimit, e shkelin besën e dhënë ndaj Allahut, ndajnë atë që Zoti ka urdhëruar të jetë e bashkuar dhe përhapin çrregullim në tokë, mallkimi do të jetë mbi ta. Ata do të kenë një fund të tmerrshëm." [1]
Në pamje të parë, ka shumë arsye për aktet e terrorit, të cilat kanë marrë deri tani ndoshta qindra-mijëra jetë. Ata që i kryejnë akte të tilla, ndjekin një rrugë që është e huaj për fenë.
- "Hani e pini nga begatitë që ju ka dhënë Zoti dhe mos përhapni çrregullim dhe prishje në tokë!"[2]
- "Mos përhapni çrregullim në tokë, pasi ajo të jetë bërë e begatë dhe drejtojuni Atij me frikë e dëshirë! Mëshira e Zotit është pranë atyre që kryejnë vepra të mira." <Suretu El A`rafë]], ajeti 56</ref>
Ata që mendojnë se do të kenë sukses, duke shkaktuar shtypje, duke përhapur ligësi e përmbysje të mëdha dhe duke vrarë njerëz, bëjnë një gabim shumë të rëndë. Zoti i ka ndaluar të gjitha aktet e ligësisë, përfshirë terrorizmin dhe dhunën, i ka dënuar ata që përfshihen në veprime të tilla dhe është shprehur në një nga vargjet e Kuranit kështu: "Zoti nuk i drejton veprat e atyre që shkaktojnë çrregullim."[3]
Megjithatë, në kohën e sotme aktet e terrorizmit, gjenocidit dhe masakrave ndodhin kudo në botë. Njerëz të pafajshëm vriten barbarisht dhe vendet ku nxitet urrejtja mes grupimeve të ndryshme shoqërore për arsye tërësisht artificiale, zhyten në gjakderdhje. Këto tmerre në vendet me histori, kultura e struktura shoqërore të ndryshme, mund të kenë shkaqe dhe burime nga më të çuditshmet. Sidoqoftë, është e dukshme se shkaku themelor është largimi nga morali i mbështetur në dashuri, respekt e tolerancë, për të cilin ka urdhëruar Zoti në Kuran. Si pasojë e mungesës së fesë, lindin grupime shoqërore që nuk njohin frikë ndaj Zotit dhe që besojnë se nuk do të japin ndonjëherë llogari për veprat e veta. Përderisa besojnë se nuk kanë kujt t'i japin llogari për asgjë, ata e kanë të lehtë të priren për të vepruar pa mëshirë, moral dhe ndërgjegje.
Ekzistenca e hipokritëve që shfaqen në shoqëri në emër të Zotit dhe të fesë, por që në të vërtetë, organizohen për të kryer ligësi, dënohet nga Zoti siç tregohet në Kuran. Një varg kuranor flet për një grup prej nëntë vetësh që planifikuan të vrasin një nga profetët, duke u betuar në emër të Zotit:
- Në qytet gjendej një bandë prej nëntë burrash që shkaktonin çrregullim në vend dhe nuk vendosnin drejtësi. Ata thanë: "Le të betohemi së bashku për Zotin se do të vërsulemi ndaj tij dhe familjes së tij natën dhe do t'u themi më pas, mbrojtësve të tij se ne nuk ishim fare dëshmitarë në zhdukjen e familjes së tij e për këtë po themi të vërtetën." Ata përgatitën një plan dhe Ne përgatitëm, gjithashtu një plan, për të cilin ata nuk kishin dijeni.[4]
Ky ajet kuranor flet për disa njerëz jobesimtarë, të cilët betohen në emër të Zotit për të përforcuar veprat e tyre, mirëpo kjo nuk do të thotë se Zoti i miraton veprat e tyre. Në të njëjtën mënyrë, edhe disa myslimanë mund të pretendojnë se gjithçka që ata bëjnë është në përputhje me fenë, mirëpo ka mundësi që ajo ç'ka bëjnë të jetë tërësisht në kundërshtim me Vullnetin e Zotit dhe moralin e fesë. E vërteta e çështjes duhet parë në veprat e tyre. Nëse këto vepra synojnë të "shkaktojnë çrregullim dhe të mos vendosin drejtësinë", sikurse shpallet në vargun e Kuranit, atëherë duhet të jemi të sigurtë se njerëz të tillë nuk mund të jenë kurrë besimtarë të vërtetë dhe qëllimi i tyre nuk është shërbimi i fesë.
Për dikë që i druhet Zotit dhe që ka kuptuar moralin e Islamit, është e pamundur të mbështesë dhunën apo ligësinë, apo të marrë pjesë në veprime që lidhen me to. Për këtë arsye, Islami është zgjidhja e vërtetë për problemin e terrorizmit. Kur bëhet i qartë morali sublim i Kuranit, është e pamundur për njerëzit që ta lidhin Islamin e vërtetë me ata që mbështesin apo bashkohen me grupet që synojnë padrejtësisht luftë dhe kaos. Zoti në Kuran është shprehur qartë për ndalimin e ligësisë:
- "Kur kthen krahët, nxiton të shkaktojë çrregullim mbi dhé, të rrënojë të mbjellat dhe gjënë e gjallë. Por Allahu nuk e do çrregullimin. Kur këshillohet që t'i frikësohet Zotit, atë e pushton një kryelartësi e mëkatshme..." [5]
Përgjegjësia e besimtarëve
RedaktoAta që nuk janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin rreth tij përderisa ato nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, janë të zhveshur nga largpamësia për të mbështetur bujarinë, vëllazërimin, miqësinë, ndershmërinë dhe shërbimin që feja u kërkon njerëzve të ofrojnë. Gjatë jetës së tyre, këta njerëz përpiqen të kënaqin egot e veta duke i shpërdoruar në mënyrë të rëndomtë mjetet e tyre, pa pasur aspak kujdes për kërcënimet që i kanosen njerëzimit. Sidoqoftë, në Kuran, Zoti lëvdon moralin e atyre që përpiqen me mish e me shpirt për të sjellë mirësi në vendin ku jetojnë dhe janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin rreth tyre. Në një varg nga Kurani, na jepet një shembull metaforik për ata që nuk ofrojnë asnjë të mirë për të tjerët dhe për ata që veprojnë gjithmonë në rrugën e mirësisë dhe drejtësisë:
- "Zoti sjell një tjetër shembull
- nëse ndër dy njerëz, njëri prej të cilëve është memec, i paaftë të bëjë asgjë dhe vetë ai është barrë për kujdestarin e tij, sepse ngado që të drejtojë, ai nuk sjell asnjë dobi. A është ai i barabartë me dikë tjetër që këshillon për drejtësi dhe ndjek udhën e drejtë?"[6]
Është e qartë se ata që ndjekin "udhën e drejtë", janë ata që i qëndrojnë me përkushtim fesë së tyre, që i druhen Zotit, që tregojnë respekt të madh për vlerat shpirtërore dhe që janë të mbushur me zell e dëshirë për t'u shërbyer njerëzve. Në përgjithësi, njerëz të tillë janë ata që i shërbejnë njerëzimit dhe sjellin përfitime të mëdha për shoqërinë. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme për njerëzit që të mësojnë rreth fesë së vërtetë dhe të jetojnë sipas moralit të kërkuar nga shpallja e fundit hyjnore, Kurani.
- Ata, të cilët nëse ne u japim pushtet në tokë, vijojnë faljet e rregullta ditore, japin zekatin, këshillojnë për të mirë e ndalojnë të keqen. Përfundimi i të gjitha çështjeve është te Zoti.[7]
Siç mund të shihet nga vargjet e mësipërme, është jashtë çdo mundësie që dikush që i beson me të vërtetë Zotit, të mund të bëjë një sy qorr qoftë edhe përballë një veprimi që mund t'i shkaktojë dëmin më të vogël njerëzimit. Kurse dikush që nuk beson në Zotin dhe në jetën e pasosur, mund të kryejë lehtësisht çdo lloj të keqeje, përderisa mendon se nuk do t'i duhet t'i japë llogari askujt për veprat e veta.
Ata që kërcënojnë jetën e civilëve dhe veçanërisht të fëmijëve, duhet të pyesin vetveten : Çfarë krimi kryen këta fëmijë? A është kryerja e akteve mizore ndaj njerëzve të pafajshëm diçka që do të kalojë pa u marrë në llogari ?
Gjëja e parë që duhet bërë për ta shpëtuar botën nga murtaja e terrorizmit është përdorimi i arsimit për të fshirë të gjitha ato besime a bestytni që deri tani, janë shitur në emër të fesë, por që në të vërtetë, nuk kanë të bëjnë aspak me fenë, si dhe të edukohen njerëzit me moralin e vërtetë kuranor dhe me frikën ndaj Zotit.
Urdhërimi për kryerje të veprave të mira
RedaktoNë mësimet morale të Islamit, çështjet më të rëndësishme janë dashuria, mëshira, mbështetja e ndërsjellë, vetëflijimi, toleranca dhe falja. Në një shoqëri, ku morali jetohet siç duhet, është e pamundur të gjenden baza për dhunën dhe konfliktin.
Myslimani duhet të jetë një njeri që pajtohet me urdhëresat e Zotit dhe përpiqet me shumë kujdes për të jetuar sipas moralit kuranor, paqes dhe harmonisë. Kurani shprehet:
- "...Punoni punë të mira... mos kërkoni të shkaktoni mizori në tokë! Zoti nuk i do mizorët."[8]
Dikush që pranon Besimin Islam, dëshiron të arrijë kënaqësinë dhe dashurinë e Zotit. Atij i duhet të bëjë përpjekje të mëdha për ta arritur këtë, si dhe për të mishëruar moralin e pranueshëm te Zoti, ndërkohë që jeton ende në këtë botë. Shfaqjet më të qarta të moralit janë mëshira, dhembshuria, drejtësia, ndershmëria, falja, përkushtimi, sakrifica dhe durimi. Besimtarit i takon të sillet mirë ndaj njerëzve, të përpiqet të kryejë vepra të mira dhe të rrezatojë mirësi. Në vargjet e tij kuranore, Zoti thotë:
- "Tregohuni të mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmëve, ndaj jetimëve, ndaj të mjerëve, ndaj fqinjëve tuaj të afërm e të largët, ndaj miqve, ndaj udhëtarëve dhe ndaj skllevërve tuaj! Zoti nuk e do atë që është mburracak e mendjemadh."[9]
- "... Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në bamirësi e mëshirë dhe jo në gjynahe e armiqësi..!"[10]
Sikurse bëjnë të qartë këto vargje nga Kurani, Zoti dëshiron që besimtarët të sillen mirë ndaj njerëzve, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin kur është fjala për mirësi dhe të shmangin ligësinë. Në suren "En'am", vargu 160, Zoti premton se "kushdo që bën një vepër të mirë, do të shpërblehet me dhjetëfishin e saj, ndërsa ata që do të kryejnë një vepër të keqe do të shpaguhen me të njëjtën vlerë dhe atyre nuk do t'u bëhet padrejtësi."[11]
Në Librin e Tij, Zoti e përshkruan Vetveten si Njohësi "i të fshehtave të zemrave" dhe i urdhëron njerëzit që "të shmangin çdo të keqe." Për këtë arsye, është e qartë se një mysliman që do të thotë "një njeri që i vetëdorëzohet Zotit", duhet të bëjë ç'të jetë e mundur për të luftuar terrorizmin.
Një mysliman nuk mund të qëndrojë indiferent për atë çka ndodh rreth tij dhe nuk mund të pranojë kurrë mentalitetin se asgjë nuk ka rëndësi përderisa nuk i shkakton dëm atij, sepse ai i është nënshtruar Zotit, është përfaqësues i Tij dhe ambasador i së mirës. Prandaj edhe ai nuk mund të qëndrojë indiferent përballë mizorisë dhe terrorizmit. Në të vërtetë, myslimani është armiku më i madh i terrorizmit. Islami është kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe përpiqet ta parandalojë atë qysh në nisje, me fjalë të tjera qysh në nivelin e ideve. Ai kërkon paqe mes njerëzve dhe sundimin e drejtësisë, si dhe urdhëron njerëzit që të shmangin mosmarrëveshjet, konfliktin dhe ligësinë.
Morali islam e sheh jetën të mbushur me paqe, mirëqenie, dashuri dhe hare për të gjithë njerëzit.
Vënia në jetë e këtij niveli të lartë morali që përshkruhet në Kuran dhe që u kërkohet besimtarëve, rrjedh nga dashuria e tyre e thellë për Zotin. Falë përkushtimit të tyre ndaj Tij, ata gjejnë strehë me shumë ëndje e dëshirë në moralin e shpallur prej Tij, në Kuran. Besimtarët nuk mundohen kurrë t'i bëjnë njerëzit që ta ndjejnë veten borxhlinj, sepse bamirësia që ata shfaqin dhe ndihma që u dhurojnë me bujari të tjerëve nuk kanë për synim qoftë edhe të marrjes së një falenderimi. Qëllimi i vërtetë është të fituarit e kënaqësisë së Zotit përmes moralit të treguar sepse besimtarët e dinë që në Ditën e Gjykimit do të thirren për të dhënë llogari për veprat e kryera. Në Kuran, Zoti ka shpallur shprehimisht se flakët e skëterrës do të jenë përfundimi i atyre që refuzojnë të jetojnë sipas moralit të Kuranit:
- "Ç'ju solli ju në zjarr ?" Ata thonë
- "Ne nuk qemë ndër ata që faleshin dhe nuk i ushqenim të varfërit."[12]
- "Shtrëngojeni më pas, me zinxhirë shtatëdhjetë krah të gjatë, sepse ai nuk i besonte Zotit të Plotfuqishëm dhe nuk nxiste në të ushqyerit e të varfërve!"[13]
- "E ke parë atë që mohon fenë? Është ai që e përze me ashpërsi jetimin dhe nuk nxit në të ushqyerit e të varfërve."[14]
- "...as nuk nxisni në të ushqyerit e të varfërve."[15]
Siç shohim në këto vargje, myslimani i përshkruar në Kuran zotëron një natyrë plot dashuri e dhembshuri. Asnjë njeri që gëzon një moral të tillë nuk mund të miratojë terrorizmin dhe veprat e dhunës ndaj njerëzve të pafajshëm. Karakteri i terroristëve është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me moralin kuranor.
Morali islam i urdhëron myslimanët që të mbrojnë të drejtat e jetimëve dhe të njerëzve në varfëri e në nevojë, që të mbështesin njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë dhe të sillen me fisnikëri ndaj njëri-tjetrit.
Ndërsa një mysliman i rritur me moralin e treguar në Kuran, sillet ndaj të gjithë njerëzve me dashurinë e kërkuar nga Islami, me respekt për të gjitha idetë, përpiqet gjithmonë që të sjellë harmoni aty ku ka mosmarrëveshje, të ulë tensionet, të përqafojë të gjitha palët dhe të tregojë sjellje të moderuar. Shoqëritë që do të kenë në gjirin e tyre të tillë njerëz, do të mund të bëhen pjesë e një qytetërimi më të zhvilluar dhe do të gëzojnë moral më të lartë shoqëror, harmoni dhe drejtësi.
Shih edhe
RedaktoLidhje të jashtme
RedaktoReferimet
Redakto- ^ Suretu Er Ra`d, ajeti 25
- ^ Suretu El Bekare, ajeti 60
- ^ Suretu Junus, ajeti 81
- ^ Suretu En Neml, ajetet 48-50
- ^ Suretu El Bekare, ajetet 205-206
- ^ Suretu En Nahl, ajeti 76
- ^ Suretu El Haxhxh, ajeti 41
- ^ Suretu El Kasas, ajeti 77
- ^ Suretu En Nisaë, ajeti 36
- ^ Suretu El Maide, ajeti 2
- ^ Suretu el-En`amë, ajeti 160
- ^ Suretu El Muddeththir, ajetet 42-44
- ^ Suretu El Hakka, ajetet 30-34
- ^ Suretu El Maunë, ajetet 1-3
- ^ Suretu El Fexhr, ajeti 18