Alain Resnais
Alain Resnais (Alen René, 3 qershor 1922, Vannes, Morbihan, Francë - 1 mars 2014, Paris)[1], ka qenë një kineast prodhimtar francez, pjesë e brezit të autorëve të filmave të viteve 50-60 që u njoh si Vala e re franceze (La Nouvelle Vague).[2]
Me prejardhje nga një familje e kulturuar nga Bretanja (i ati, farmacist dhe kryetar komune, i pat dhuruar kamerën e parë në moshën 12-vjeçare), Resnais u vendos në Paris në vitin 1939 ku studioi fillimisht aktrim në Kurset Simon, e më pas, prej vitit 1943, montazh në Shkollën e Lartë për Studime Kinematografike (IDHEC).[1] [3]
Megjithëse e pati nisur karrierën si dokumentarist mbi artin, pjesëmarrjen në film artistik Resnais duket se e nisi si montazhier i filmit La Pointe Courte të regjisores Agnès Varda në vitin 1954-5 dhe bashkëpunimin me dokumentaristin Chris Marker Les Statues meurent aussi (Edhe statujat vdesin, çmimi Jean Vigo 1954)[1].
Bashkë me Markerin, Vardën dhe regjisorin tjetër, Jacques Démy, Resnais grupohej në grupin e kineastëve të Bregut të Majtë të Senës në Paris, përkundrejt grupit të 'Bregut të Djathtë', François Truffaut-së, Jean-Luc Godard-it, Claude Chabrol-it apo Éric Rohmer-it e Jacques Rivette-it.[4]
Resnais ishte autor i njëzetenjë filmave artistikë dhe dhjetëra dokumentarëve e filmave me metrazh të shkurtër gjatë karrierës së tij që u shtri në gjashtë dekada prej Luftës së Dytë Botërore e deri dy vjet para se të vdiste.
Por ai njihet veçanërisht për një dokumentar gjysëm-orësh që trajtoi i pari vizualisht temën e Holokaustit, La nuit et le brouillard (Nata dhe mjegulla, 1955); për stilizimin e fajit dhe traumës së Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet dashurisë pas lufte të një japonezi me një franceze tek Hiroshima mon amour (Hiroshima, dashuri e ime, 1959); dhe sidomos për trajtimin e marrëdhënies erotike abstraguar tek L'anée dernière à Marienbad (Vitin që shkoi në Marienbad, 1961), njëra prej veprave kinematografike më enigmatike, por dhe më me ndikim të shekullit XX.[5][6]
Në ato filma dhe në disa të tjerë, ai u njoh për përdorimin e teknikave novatore moderniste të narracionit në film, frut edhe i bashkëpunimit me romancierët e Romanit të ri në Francë, Madeleine Duras, e cila bëri skenarin e Hirochima mon amour, dhe Alain Robbe-Grillet, skenaristin e L'anèe dernière à Marienbad.[5] "Bashkë me Jean-Luc Godardin, ai ka qenë kineasti i modernitetit në krizë," shkruante në nekrologjinë për të gazeta Libération.[2]
Gruaja e parë e Resnais-it pati qenë Florence Malraux, e bija e shkrimtarit francez André Malraux, e cila punonte si asistente e regjisë në filmat e tij. Prej vitit 1998 ai ishte i martuar me aktoren e preferuar në filmat që bëri viteve që nga vitet '80, Sabine Azéma-në.[7]
Referimet
Redakto- ^ a b c Faqja e Alain Resnais-it në AlloCiné.
- ^ a b Le réalisateur Alain Resnais est mort Arkivuar 21 korrik 2017 tek Wayback Machine, Libération, 2 mars 2014
- ^ Christian Rogel, Alain Resnais, le plus grand des cinéastes bretons, Agence Bretagne Presse, 5 mars 2014
- ^ Le Ciné-Club de Caën, Le cinéma français des années 60 : 1959-1968
- ^ a b Richard Brody, In Memory of Alain Resnais, New Yorker Online
- ^ Jordan Hoffmann, The Essentials: 5 Alain Resnais Films that You Should Know, IndieWire, 4 mars 2014
- ^ Jean-Pierre Bouyxou, Alain Resnais, mon amour. Paris Match, 08 mars 2014