Albanian Phonograph Records
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Albanian Phonograph Records apo shkurt A.P.R është shoqëria e parë diskografike shqiptare jashtë vendit e që ka regjistruar muzikë popullore shqiptare.
A.P.R është themeluar në vitin 1923 nga Spiridon T.Ilo. Njëherit A.P.R është firma e parë e cila futi për të parën herë në tregun muzikor shqiptar konceptin e “Copyright”.
Lidhje të jashtme
Redakto"Pas shumë mundimesh, munda të nxjerr pllaka të reja prej më së mirës kompani në bashkëpunim me profesorin shqiptar, të dëgjuarin tenor Giuseppe Mauro. Kënduam ato më të bukurat këngë kombëtare, të cilat anë e mbanë do himnojnë kombin e do të ligjërojnë gjuhën e bukur shqipe. Tingëllimi i këtyre pllakave në veshët e shqiptarëve do të jetë një gëzim i madh në zemrat e zhuritura të atdhetarëve. Andaj të dashur shqiptarë, ndihmoni duke blerë pllaka që të mund të nxjerrin edhe të tjera për lartësimin e kombit shqiptar”. Kështu shkruante në organet e dekadës së dytë të shekullit XX, patrioti dhe artisti i shquar, Spiridon Ilo në New York. Duke kërkuar mundësi të reja për kultivimin e ndjenjës kombëtare ndër shqiptarët si jashtë ashtu edhe brenda atdheut, Ilo i ndodhur në Amerikën e një shekulli më parë, kreu një nga shërbimet më të çmuara të kulturës sonë kombëtare, një gjest që ndoshta ai nuk e kuptoi mirëfilli sa i rëndësishëm do të ishte për kulturës muzikore shqiptare, e sidomos të zonës prej nga ai vinte. Sot, fatmirësisht, kemi të ruajtura të gjitha regjistrimet e ‘ALBANIAN PHONOGRAPH RECORDS’, si në pllaka gramafoni, ashtu dhe të dixhitalizuara dhe regjistruara në CD. Në kuadrin e regjistrimit të pasurisë gojore të popujve të tyre, ballkanasit, duke përfituar nga shpikja dhe masivizimi i fonografit, menduan që të përjetësojnë në ebanit materialet folklorike të vendeve të tyre. Në fillimin e shekullit që lamë pas, kjo veprimtari filloi të kthehej në një traditë interesante dhe te vlefshme për brezat e mëvonshëm. Duke qenë gjithnjë “lakmitarë” të kësaj shpikje të re, që prej vitit 1860, kur për herë të parë në historinë e njerëzimit u regjistrua në 12 sekonda zëri i një gruaje gjatë këndimit në frëngjisht, evropianët punuan në perfeksionimin e regjistrimit të zërit, me qëllim që komunikimi të njihte faza më të thjeshtuara të tij, si dhe të dokumentoheshin në formën zanore momente të ndryshme të zhvillimeve historike dhe kulturore. Nga të parët shqiptarë të regjistruar në fonograf, përmendet zëri i Aleksandër Moisiut, kur në gjuhën gjermane, ai monologon nga “Fausti”, “Hamleti”, etj. Këtu duhet përmendur dhe regjistrimi i kryer në vitin 1914, i një banori nga Durrësi, i kryer prej profesor Nikolla Jorga, me qëllim studimin e shqipes.
Spiridon Ilo, i njohur me arbëreshin Giuseppe Mauro që prej kohës së veprimtarisë patriotike në Bukuresht, meqë ky i fundit ishte thirrur pranë operas metropolitane të Çikagos, i propozon atij për bashkëpunim në regjistrimin e këngëve shqiptare dhe nga viti 1918 dy artistët tanë regjistrojnë në kompaninë “Columbia” një seri këngësh patriotike dhe lirike shqiptare, ndërmjet të cilave: “Hymni mbretëror”, “Betimi mi flamur”, “Rrofsh ti o flamur” dhe “Prandvera”. Nëse shohim me vëmendje botimin e librit “Dëshirat e zemrës” me autor Ilon, lexojmë se ai si fillim ka regjistruar edhe pranë shoqërisë “Victor”, të “His Master’s Voice”. Kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat pozitiv në gjetjen e të paktën një ekzemplari regjistrimi nën siglën e kësaj shoqërie. Më në fund, pas rreth 5 vitesh regjistrime nëpër shoqëritë amerikane, Spiridon Ilo themelon në vitin 1923, në New York, shoqërinë e parë diskografike shqiptare, të quajtur “Albanian Phonograph Records – Records and phonographs ALBANIAN – The Spiridon Record CO”. Aty Spiridoni mblodhi disa instrumentistë dhe këngëtarë shqiptarë si Pando Opingari, virtuozi në fyell, Hysen Rodenji, këngëtar i njohur i këngës popullore nga Përmeti e të tjerë. Ilo vetë, shoqëronte këngët me kitarë, një vegël të cilën e zotëronte përkryeshëm. Me anë të kësaj shoqërie, për herë të parë në ambientin shqiptar u prezantua e drejta e autorit – copyright. Në “shtëpinë” e re të farkëtimit të muzikës patriotike dhe lirike shqiptare, në këtë “inkubator” nacionalist, që fare mirë mund ta krahasojmë me ngritjen e kishës së parë ortodokse shqiptare nga Fan Noli, u emetuan 15 pllaka gramafoni. Katalogu i plotë i këngëve të ‘ALBANIA PHONOGRAPH RECORDS’, vijon më poshtë: 1. “Marsh i shoqërisë Djalëria Korçare” – këndon Spiridon Ilo 2. “Kënga e Korçës” – këndon Spiridon Ilo 3. “Oh! Nëma dashurinë” – këndon Spiridon Ilo 4. “Dëshërim i mëmëdheut” – këndon Spiridon Ilo 5. “Lamtumirë” – këndon Spiridon Ilo 6. “Muaji i majit” – këndon Spiridon Ilo 7. “Kënga e bektashinjve” – këndon Spiridon Ilo, fyell Pando Opingari 8. “Valle Beratçe” – fyell Pando Opingari, kitarë Spiridon Ilo 9. “Në plepi i Bilishtit” – ja merr Syrja Bilishti, ja pret Hysen Rodenji 10. “Kur vaditnje borziloknë” – këndon Hysen Rodenji 11. “Vemi o vemi” – këndojnë me orkestër 12. “Lul’ e bukur” – këndojnë me orkestër 13. “ Dale myzeqare dale” – violinë e santurë, këndon Hysen Rodenji 14. “Rritu moj bajame” – këndon Hysen Rodenji 15. “Valle Devolliçe” – fyell Pando Opingari 16. “Valle e Hasanajt” 17. “Valle Kasapçe” 18. “Avaz i Marenkës” – fyell Pando Opingari, kitarë Spiridon Ilo 19. “Avaz i Xhafit” – me violinë e llahutë 20. “Valle çamçe” 21. “Më të qarë” – kaba me gërnetë 22. “Polkë me Klarinetë” 23. “Polkë me orkestër” 24. “Vals me kitarë” 25. “La Paloma kolumbiane” 26. “Dy polka Ballkanike” 27. “Marsh i flamurit valo-valo” – këndon Spiridon Ilo me bandën 28. “Valle grash” – grapcharche me orkestër 29. “Matchikles Pollka” 30. “Më të qarë” – fyell Pando Opingari.
Kur kthehet përfundimisht nga Amerika, në vitin 1926, Ilo solli me vete si relike dhe në shenjë kujtimi masterat e emetimit të këtyre pllakave, të cilat në kohë turbullirash në luftë e plaçkitje, i ruajti si materiale të vyera të kulturës sonë kombëtare. I ndodhur në vitin e dytë të çlirimit të vendit, në vitin 1946 i dorëzon kallëpet – mastera pranë Komitetit Ekzekutiv të Korçës, si dhuratë dhe shërbim që mendoi se jepte studimit të notave shqiptare. Por, edhe pse në organet e shtypit të asaj kohe, kjo u quajt si “një dhuratë e vlefshme”, këto kallëpe, meqenëse kishin material bakri, u shpërdoruan duke u vendosur si bazamente në antenën e Radio Korçës. Spiridon Ilos i takon merita e regjistruesit të parë të muzikës shqiptare dhe i atribuohet vendi i nderit si kontribuuesi më i çmuar i traditës sonë muzikore, sepse ai prodhoi, interpretoi dhe promovoi Shqipërinë e shqiptarët në Amerikë e më gjerë dhe iu përkushtua artit në kohërat më kritike të zhvillimit të tij në vendin tonë.
Niko KOTHERJA