Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Alfred Kaçinari është kompozitor shqiptar. Ka lindur në Tiranë, Shqipëri, më 19 nëntor 1959. Shkollën e mesme e ka kryer me rezulate të shkëlqyera në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Ka përfunduar studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i diplomuar në degën e kompozicionit (fakulteti i muzikës). Prej vitit 1993 ka punuar në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Këtu ka mbuluar detyra të: redaktorit të muzikës, Drejtor i Departamentit të Programacionit të Radio Tiranës, Drejtor i Departamentit të Krijimtarisë muzikore, Drejtor artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH, Producent muzikor, Drejtor Artistik i festivalit “Këngët e Stinës”, festivalit “Hit Fest”, Konsulent Artistik dhe Drejtor Artistik i disa Festivaleve të Këngës në RTSH dhe prej shumë vitesh është një ndër drejtuesit kryesorë të veprimtarive më të spikatura muzikore të Radio Televizionit Publik Shqiptar, ku vazhdon të punojë dhe sot në detyrën e producentit muzikor.

Është një ndër kompozitorët dhe orkestruesit më të shquar dhe aktivë të muzikës së lehtë shqiptare, autor i shumë këngëve, qindra orkestrimeve dhe përpunimeve që janë paraqitur në festivalet e veprimtaritë më të dallueshme të muzikës së lehtë shqiptare, pjesëmarrës në shumë festivale, konkurime e veprimtari të rëndësishme të muzikës shqiptare. Është vlerësuar vazhdimisht nga kritika për profesionalizmin dhe origjinalitetin në krijimtarinë e tij.

Drejtues i shumë veprimtarive të rëndësishme të muzikës së lehtë, ku shquhen festivalet e këngës në RTSH, ciklit televiziv “Ethet” cikël i cili, i solli skenës shqiptare një brez këngëtarësh që tashmë kanë arritur nivelet më të larta të interpretimit e të suksesit, festivalet “Këngët e Stinës” në RTSH apo sezonet koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH, etj.

Në tetor të vitit 2011 është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhërin “Naim Frashëri i Artë” me motıvacıonın “për kontribute të veçanta në zhvillimin e muzikës së lehtë shqiptare në drejtimin e kompozimit e orkestrimit duke ndikuar në rritjen e cilësisë artistike dhe përafrimin me prirjet e muzikës bashkëkohore europiane”.

Në korrik 2012 është vlerësuar nga këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin “ Mirënjohja e qytetit” për kontributin e tij në zhvillimin e festivalit Kombëtar të këngës që mbahet në këtë qytet.

Në mars të vitit 2017 është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i madh" për “kontribute të veçanta në zhvillimin e muzikës së lehtë shqiptare në drejtımın e kompozımıt e orkestrimit të saj".