Alfred Papuçiu ka lindur në Tiranë, më 26 qershor 1947. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për gjuhë, letërsi shqipe dhe franceze, duke marrë në të njëjtën kohë një formim si përkthyes. Ka dhënë mësim frëngjishten në Fakultetin e Inxhinierisë së Universitetit të Tiranës. Ka punuar si gazetar në Radion e Jashtme dhe si shef redaksie. Më vonë ka punuar në diplomaci. Ka ndjekur Universitetin e Gjenevës ku ka mbrojtur “Diplomën e Studimeve të Larta Evropiane”. Ka dhënë provimin e formimit për funksionarët ndërkombëtarë në gjuhën frënge, organizuar nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe ka marrë certifikatën e aftësisë në gjuhën angleze. Ndër të tjera ka punuar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën, në UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), në Departamentin e Edukimit Punëtor dhe Departamentin e Botimeve të Byrosë Ndërkombëtare të Punës (BIT), në OMS (Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë), në një shoqëri multinacionale, përkthyes mediator kulturor, si dhe konsulent për botimet në gjuhën shqipe apo frënge të organizatave ndërkombëtare. Është anëtar i Komitetit të Shoqatës së Përkthyesve të Gjenevës - Mediatorë Kulturorë dhe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Është anëtar i Bordit të Medias së lirë shqiptare.