Hafiz Ali Riza Ulqinaku (Ulqin, 1855 – Shkodër, 23 prill 1913) ishte 'alim dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare.

Hafiz Ali Riza Ulqinaku

Biografia

Redakto

Ka lindur në Ulqin në vitin 1855, në familjen e një barkatari që jetonte në lagjen Rana.[1] Babai i tij quhej Jakub Behluli, prej fisit Usta Ali. Në Ulqin u njihte si Hafiz Ali Gjoku, sipas familjes që njihej edhe me këtë emër, ndërsa emrin Ali Ulqinaku e morri nga vendlindja.

Mësimet i filloi në Ulqin te myderrizi Sali efendi Hylja. Në Medresenë e Ulqinit mësimet i ka ndjekur deri në librin Fenari. Me rënien e Ulqinit nën Mal të Zi, më 1880 familja e tij emigroi në Shkodër bashkë me 413 familje të tjera që u shpërngulën nga Ulqini. Në kohën kur iu lehtësua pikëllimi dhe mjerimi i madh, që e dërrmoi moralisht e materialisht familjen e tij, Hafiz Aliu vendosi të vazhdonte mësimet në Medresenë e Shkodrës dhe aty e mori ixhazetin (diplomën e medresesë). Pas kryerjes së Medresesë në Shkodër, Hafiz Aliu në vitin 1882 emërohet mësues i shkollës fillore në lagjen Dudas të Shkodrës.

Ishte djalosh në moshë 27- vjeçare. Diskutabil duhet të jetë edhe transferimi i Hafiz Aliut nga Shkodra për në Lezhë. Në disa burime thuhet se, me kërkesën e popullit të qytetit të Lezhës, në vitin 1889 emërohet imam dhe mësues në shkollën fillore e këtij qyteti, si dhe myfti pranë Babu-Meshihatit. Mirëpo gjuhëtari dhe orientalisti i njohur Tahit N. Dizdari (tani i ndjerë), autor i veprës madhore Orientalizmat në gjuhën shqipe pohon se prej disa ulemave regresistë u përgatit një mazbatë kundër tij, çka i kushtoi edhe transferimin për në Lezhë.

Sidoqoftë, në Lezhë Ali Ulqinaku do të vendoset familjarisht e do të qëndrojë 24 vjet radhazi, deri në fund të jetës së vet. Ky qytet do ti bëhet si një vendlindje e dytë. Këtu do të njohë kulmin e karrierës së tij, do të realizojë prodhimtarinë më të rëndësishme kulturore dhe dotë lërë pasardhësit që të jetojnë edhe sot e kësaj dite Hafiz Aliu vdiq në Shkodër më 23 prill 1913. Është varrosur në xhaminë e Shaban-efendisë në Mahallë të Re. Varri i tij sot nuk gjendet.

  • Mevludi, 1873–74, (Përkthim nga turqishtja),
  • Terxheme i Mevlud ala Lisani Arnaud, përkthimi i Mevludit të Sulejman Çelebiut në gjuhën shqipe – 1889,[2]
  • Huda Rabim, vargje të përkthyera në gjuhën shqipe të dijetarit Haki Erzurum,[2]
  • Ferrëfenjësi ( Mexhmuat-ul aval),
  • Fjalori turqisht – shqip (në vargje),
  • Fjalori turqisht – shqip (me renditje alfabetike),
  • Fjalori shqip – turqisht (me renditje alfabetike),[3]

Mirënjohje

Redakto
  • Mësues i Popullit, me motivacionin "Klerik dhe intelektual i shquar, studjues i apasionuar, mësues dhe edukator i nderuar i rinisë dhe i masave popullore, hartues e përkthyes i veprave fetare e shkencore"[4] (pas vdekjes)
  • Qytetar Nderi i Lezhës, me motivacionin “Për kontribut të shquar si intelektual e klerik me formim të gjithanshëm, autor i një alfabeti të gjuhës shqipe (me shkronja arabe) e të një fjalori, si dhe përkthyes i Mevludit” (pas vdekjes)

Referime

Redakto
  1. ^ Buda, Aleks (1985). Fjalor enciklopedik shqiptar. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH.
  2. ^ a b Zenepe Dibra (2019). "Kontributi i disa autorëve shkodranë në përkthimet në gjuhën shqipe" (PDF). Gegnia (8): 203–209. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 3 shkurt 2022. Marrë më 31 janar 2021.
  3. ^ Hajrullah Koliqi:Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 302 - 305
  4. ^ Dekreti nr. 999, datë 27.12.1994 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha