Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Jeta dhe veprimtaria e Ali Perashi-t

Redakto

Ali Perashi (i lindur më 5 maj në fshatin Ostros të Krajës) si shumica e kranjanëve, vinte nga një familje e varfër por e ndershme. Qysh në fëmijëri e kanë tërhequr bisedat që bënin të moshuarit, të cilët tregonin për trimëritë e kranjanëve në betejat për mbrojtjen e Krajës dhe Shkodrës. Gjatë viteve rinore nuk ka pranuar të vihej në shërbim të regjimit komunist jugosllav sepse nuk pajtohej me gjendjen e shqiptarëve nën këtë regjim.

Në vitin 1979, për të mbajtur familjen punoi në Prishtinë me një kamion të vogël, me të cilin kryesisht transportonte material ndërtimor nga Kosova në Krajë. Në këtë kohë pati mundësi të kontaktojë disa veprimtarë kosovarë, të cilët në mënyrë ilegale punonin për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për realizimin e të drejtave të tyre. Në mesin e tyre kishte edhe veprimtarë, që kishin lindur e ishin rritur në Krajë, të cilët ai i njihte qysh në fëmijëri dhe për këtë arsye u besonte edhe më shumë.

Aliu qysh herët kishte menduar se duhej bërë diçka edhe në Krajë në mënyrë që të sensibilizohej gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi, e të njëjtat bindje i kishin edhe shumë veprimtarë kosovarë dhe ata që vinin nga trevat shqiptare në Mal të Zi.

Demostratat e studentëve të vitit 1981 përbënin një ngjarje për thirrjen e ndërgjegjjes së çdo shqiptari të ndershëm. Ato ishin paralajmërim se ishte sosur durimi dhe kishte ardhur koha që shqiptarët ta merrnin fatin ne duart e veta dhe të bëheshin të paktën të barabartë me kombet tjera që jetonin në Federatën Jugosllave. Ngjarjet të cilat pasuan demostratat dhe persekutimet që iu bënë shqiptarëve në këtë kohë, u bënë brengë e madhe për Aliun, i cili i vuri vetes detyrë të gjente forma dhe mënyra për të treguar se edhe shqiptarët në Mal të Zi trajtoheshin njëlloj si ata në Kosovë, pavarësisht se regjimi përmes disa "shpirtshiturve" nga këto treva tentonte t'i paraqiste shqiptarët në Mal të Zi të ndryshëm nga ata të Kosovës. Gjoja shqiptarët e këtyre trevave ishin besnik ndaj regjimit dhe përkrahës të "vëllazërim-bashkimit" jugosllav apo siç i quanin ata "shqiptarë të ndershëm".

Duke u nisur nga njohja dhe besimi që kishte te disa shokë nga Kraja, ai vendosi që të marrë iniciativën për të krijuar një grup e për të vepruar së bashku. Qëllimi i këtij grupi ishte të bashkonte forcat dhe të gjendeshin mënyra për t'i treguar regjimit e kujtdo tjetër se kranjanët jo vetëm që i përkrahnin kërkesat e studentëve kosovarë, por kërkojnë të drejta edhe për veten e tyre, pasi që gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi ishte e mjerueshme. Për këtë arsye, ata shkruanin disa letra, të cilat iu dërguan organeve kompetente, ku shpreheshin kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi e në të njejtën kohë i paralajmëronin disa shqiptarë nga Kraja, të cilët në atë kohë bashkëpunonin me sigurimin jugosllav.

Më 28 Nëntor 1982, grupi "Jehona e Krajës" shpërndau disa pamfletë nëpër vende të dukshme nëpër Krajë, në të cilat shkruhej se i përkrahnin kërkesat e studentëve të Prishtinës. Aliu edhe pas publikimit të emrit të grupit, megjithëse ishte i bindur se me siguri do të zbulohej, nuk u tërhoq, por vazhdoi aktivitetin duke u lidhur edhe më ngushtë me disa veprimtarë nga Kosova me të cilët tanimë i koordinonin aktivitetet.

Parashihej tanimë dhe kishte shenja se UDB-ja kishte rënë në gjurmë të grupit, e cila u tregua e saktë pasi që më 4 Nëntor 1985 Aliu u arrestua nën akuzën për veprimtari armiqësore në grup, për të cilën sipas Ligjit Penal Jugosllav mund të dënohej me 10-20 vite burg. Ai edhe në këto momente të vështira nuk u përkul, megjithëqë situatën familjare e kishte të vështirë sepse bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij të mitur i la në mëshirë të fatit. Aktakuza ndaj Aliut ishte e mbushur më shumë me gënjeshtra sesa të vërteta, ku disa prej tzre ishin vërtet qesharake. Aliun dhe anëtarët e tjerë të grupit "Jehona e Krajës", aktakuza i trajtonte si kriminelë të cilët gjoja kishin vepruar kundër "vëllazërim-bashkimit" jugosllav, por edhe kundër popullit të Krajës.

Vendimi për dënimin e Aliut me 13 vite burg u bazua kryesisht në një deklaratë, të cilën gjoja e kishte dhënë Nazire Zogaj në polici. Nazirja nuk dëshmoi në procesin gjyqësor pasi që në atë kohë ajo gjendej e sëmurë si pasojë e torturave çnjerëzore.


Kjo biografi u mor nga libri "Pishtarët e lirisë" me autor Gjylaver Avdiun.[1]

  1. ^ Avdiu, Gjylaver. Pishtarët e lirisë. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)