Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure :

  • a) 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë ;
  • b) subjektet propozuese, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura. Subjektet propozuese përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini ;
  • c) kandidaturat e përzgjedhura i paraqiten Kuvendit për miratim ;
  • ç) anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse.

Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.

Kriteret për emërimin e anëtarit të KQZ Redakto

Anëtari i KQZ duhet të plotësojë edhe kriteret e mëposhtme :

  • a) të jetë me moshë mbi 30 vjeç ;
  • b) të jetë me arsim të lartë ;
  • c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 5 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme :
    • i) në fushën e së drejtës ;
    • ii) në administratën publike ;
    • iii) në administrimin e zgjedhjeve ;
    • iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike ;
  • ç) të mos jetë i dënuar penalisht ;
  • d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit ;
  • dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit ;
  • e) të mos ketë shërbyer në 5 vitet e fundit si punonjës në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror ;
  • ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.

Anëtarë të KQZ në vite Redakto

Referime Redakto

  • Ligji nr. 10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë" - Fletore Zyrtare e RSH nr. 189/2008, fq. 9305