Anton Nikë Berisha
Anton Nikë Berisha (7 gusht, 1946, Dobërdol, Kosovë). Shkollën normale e mbaroi më 1966 në Prishtinë. Më 1971 mbaroi studimet në Fakultetin filozofik, Dega gjuhë e letërsi shqipe, të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më 1976 kreu studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe mori titullin e magjistrit të filologjisë. Po në këtë Universitet (më 1981) mbrojti tezën e doktoratës shkencore.
Gjatë vitit universitar 1978/79 realizoi një qëndrim studimor në RF të Gjermanisë (Universiteti i Gëtingenit) si bursist i DAAD-së, ndërsa në vitet 1984/85 (në Universitetin e Gëtingenit) dhe 1992/93 (në Universitetin e Mynihut) ishte bursist i Fondacionit Alexander von Humboldt.
Në Institutin albanologjik të Prishtinës punoi nga viti 1973; në fillim asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor, bashkëpunëtor i lartë shkencor dhe këshilltar shkencor.
Përgjatë dy semestrave të vitit akademik 1992/93 në katedrën e albanologjisë së Universitetit të Mynihut mbajti seminaret mbi linguistikën e përgjithshme dhe indoeuropiane..
Nga nëntori i vitit 1993 punoi në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe - Dipartimenti i linguistikës, Fakulteti i letërsisë dhe i filozofisë i Universitetit të Kalabrisë, ku për vite me radhë ishte profesor i letërsisë shqipe.
Është anëtar i Sindikatës të pavarur të shkrimtarëve italianë.
Botoi një varg veprash me studime letrare si, fjala vjen, Mundësi interpretimi. Ese dhe vështrime. “Rilindja”, Prishtinë 1979. Teksti poetik. Vështrime e kritika. “Rilindja”, Prishtinë 1985; Veçanti ligjërimesh poetike. “Eurorilindja”, Tiranë 1996; Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. “Shpresa”, Prishtinë 2001; Çështje teorike të letërsisë. “Faik Konica”, Prishtinë 2005; Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare. “Shpresa” & “Faik Konica”, Prishtinë 2006; Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008; Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare. “Faik Konica”, Prishtinë 2008; Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës. Shtëpia botuese “Arbëria 07”, Tiranë 2011; Larmi vëzhgimesh letrare. “Faik Konica”, Prishtinë 2012; Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (Me Labinot Berishën). “Faik Konica”, Prishtinë 2017; Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe. “Faik Konica”, Prishtinë 2017; Estetika dhe estetika e letërsisë (me Labinot Berishën). “Faik Konica” 2018 dhe monografi (shqip dhe italisht) për Aristotelin, Buzukun, Budin, De Radën, Fishtën, Zef Skiroin, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Arshi Pipën, Mark Krasniqin, Dushko Vetmon (Francesco Solanon), Azem Shkrelin, Rifat Kukajn; romane (për të rritur e për fëmijë), poezi (për të rritur dhe për fëmijë), vëllime me materiale të letërsisë gojore, vëllime me poezi të zgjedhura të poetëve shqiptarë dhe të huaj, punime të botuara në revista të ndryshme në shqip dhe në gjuhë të tjera, si dhe mori pjesë në shumë tubime letrare e shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar.
Nga gjermanishtja përktheu Epin e Gilgameshit, “Rilindja”, Prishtinë 1984, botimi i dytë dhe i tretë në Tiranë 1990, 2008; dhe Këngën e Nibelungëve. Këngën e parë dhe të pestë. Argeta LMG Tiranë 2016; nga italishtja poemën e Domeniko Korradinit H. Brusard Lavdërimi i kryqëzuar, Faik Konica, Prishtinë 2007. Kënga e këngëve “Faik Konica”, Prishtinë 2015; Radovan Zogoviq, Këngët e Ali Binakut. Ardhësit. “Faik Konica”, Prishtinë 2016; Psalmet. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017.
Në vitin 1985 mori Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës për letërsi për veprën Teksti poetik; më 2004 shpërblimin “Hivzi Sulejmani” për romanin Nëna e dritës, shpërblimin “Asdreni” për përkthimin poetik të Epit të Gilgameshit (Korçë qershor 2009), më 2012 shpërblimin “Giorge Mangone” të Sindikatës të pavarur të shkrimtarëve italianë për Kalabrinë, më 2014 shpërblimin “Azem Shkreli” të Komunës së Pejës, më 2015 shpërblimin “Beqir Musliu” të komunës së Gjilanit dhe Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës (2017), fitues i “Muzës së Agimit” (2018) dhe çmimin tradicional “Ora e Tahir Deskut” të komunës së Klinës (2019), Shpërblimin “Din Mehmeti” të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” (2020).
Jeta profesionale
RedaktoAnton Nikë Berisha nisi shkollën në fshatin Ujmirë (Dobrovodë) të Klinës dhe më pas në Prishtinë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe përfundoi studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit, ku edhe u doktorua në vitin 1981. Më 1 korrik 1973 Berisha u emërua në departamentin e folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku ka punuar për shumë vite. Në vitin 1991 ai u zhvendos në Itali dhe një vit më vonë nisi të japë mësim letrat shqipe në Universitetin e Kalabrisë në Kozenca.