Arben Kraja
Arben Kraja është një prokuror shqiptar, i njohur për rolin e tij si drejtues i parë i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar në kuadër të reformës në Drejtësi në Shqipëri (2019).[1] Lindur në Shkodër (20 shtator 1964), ai e filloi karrierën në organin e akuzës në vitin 1987 dhe ka një përvojë mbi dy dekadash në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë. Gjatë drejtimit të SPAK, Kraja ka hetuar dhe mbikëqyrur hetime të rëndësishme, që përfshijnë figura të larta politike në Shqipëri. [2]
Edukimi
RedaktoArben Kraja ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, ku është diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin e Ekonomisë (1987) dhe më pas për Juridik në Fakultetin e Drejtësisë (1992).
Karriera
RedaktoKarriera e Arben Krajës nisi si hetues në Hetuesinë e Rrethit Shkodër në vitin 1987, ku shërbeu deri në mars të vitit 1992. Pas kësaj periudhe, ai ka punuar si hetues në Drejtorinë e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme nga marsi i vitit 1993 deri në janar të vitit 1995. Nga shtatori 1997 deri në shtator 2000, Arben Kraja ka shërbyer si Zëvendëskryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë. Kraja ka qenë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme nga qershori i vitit 2002 deri në shtator të vitit 2007, kur është emëruar Drejtues i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në këtë prokurori, pozicion që ka mbajtur deri në qershor të vitit 2013. Pas kësaj periudhe, Kraja ka shërbyer si Prokuror dhe Drejtues Seksioni në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, nga shtatori i vitit 2014 deri në janar të vitit 2015.[3]
Në dhjetor të vitit 2019, Arben Kraja është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe që nga ajo kohë ai ka udhëhequr hetime të rëndësishme. Aktualisht Kraja është prokuror i posaçëm në SPAK dhe Drejtues i Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta.[4]
Kontribute ndërkombëtare dhe akademike
RedaktoArben Kraja ka përfaqësuar Shqipërinë në disa forume ndërkombëtare, duke qenë pjesë e Komitetit Moneyval të Këshillit të Europës dhe projekteve të tjera si PACA, PROSECO dhe MCC.
Për më shumë se 10 vjet, Arben Kraja ka qenë trajner në Shkollën e Magjistraturës, duke ofruar trajnime vazhduese për prokurorët dhe gjyqtarët në detyrë.
Përvoja e tij si pedagog i jashtëm në disa universitete të Tiranës ka pasur gjithashtu një ndikim në formimin e profesionistëve të rinj të fushës së drejtësisë, duke mësuar lëndët “Procedura Penale” dhe “Penale e Posaçme”.
Vettingu
RedaktoArben Kraja ka kaluar me sukses procesin e Vetting-ut në kuadër të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke u konfirmuar në detyrë (2018). Gjatë procesit, u vlerësuan pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale, duke konkluduar se ai i plotësonte të gjitha kriteret e kërkuara nga Reforma në Drejtësi.[5]
Çmime dhe nderime
RedaktoArben Kraja është nderuar me titullin “Cavaliere dell'Ordine al Merito della Repubblica Italiana” (Kalorës i Urdhrit të Meritës i Republikës Italiane), një nga dekoratat më të larta të dhëna nga Presidenti Italian (7 Mars 2024). Ky titull i është akorduar nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe iu dorëzua nga ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Në motivimin për këtë nderim thuhet se Arben Kraja ka kontribuar në mënyrë vendimtare për arritjen e objektivave të përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë. Kontributi i tij është vlerësuar si kyç në rezultatet e arritura përmes bashkëpunimit mes drejtësisë italiane dhe shqiptare, duke forcuar marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe luftën kundër krimit të organizuar.[6]
Referimet
Redakto- ^ "Kush është Arben Kraja, prokurori që do të drejtojë SPAK-un - Shqiptarja.com". shqiptarja.com. Marrë më 2024-12-28.
- ^ "Arben Kraja kërkon arrestimin e Sali Berishës: Vendimi është firmosur nga dy prokurorë". www.panorama.com.al. 2024-12-28. Marrë më 2024-12-28.
- ^ "Arben Kraja | AID". www.aksesdrejtesi.al. Marrë më 2024-12-29.
- ^ "Kush është Arben Kraja, prokurori që do të drejtojë SPAK-un - Top Channel". top-channel.tv (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-12-29.
- ^ "Vettingu, KPK konfirmon në detyrë prokurorin, Arben Kraja". www.balkanweb.com. Marrë më 2024-12-29.
- ^ "Prokurori që po heton Sali Berishën nderohet me titullin e lartë nga Presidenti italian! Arben Kraja 'Kalorës i Urdhrit të Meritës i Republikës Italiane' - Shqiptarja.com". shqiptarja.com. Marrë më 2024-12-29.