Arbjan Mazniku
Arbjan Mazniku, që prej shtatorit 2023 mban postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.
Zoti Mazniku ka ushtruar funksionin e Nënkryetarit të Bashkisë Tiranë nga viti 2015 – 2023.
Më herët, ai ka mbajtur detyrën e Zv. Ministrit të Arsimit dhe Sportit, nga viti 2013 deri në vitin 2015.
Para se të angazhohej në detyra publike, Arbjan Mazniku ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit AGENDA, organizatë e specializuar në analizën e politikave publike në Shqipëri, me një fokus të veçantë në çështjet e qeverisjes, integrimin europian dhe zhvillimin ekonomik dhe social.
Midis 2003 dhe 2007, Arbjani ka qenë i angazhuar në Lëvizjen MJAFT, lëvizje që ka patur si qëllim aktivizimin e rinisë dhe promovimin e një qeverisje të efektshme në Shqipëri.
Para 2003 Z.Mazniku ka drejtuar Shoqatën Kombëtare të Debatit, duke koordinuar programet e debatit për Gjimnazet dhe Universitetet.
Arbjan Mazniku ka përfunduar studimet në fushën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe Studimet e nivelit Master, për Komunikim Politik në Universitetin e Sheffield në Britaninë e Madhe.
Në vitin 2014 ai ka përfunduar programin e edukimit ekzekutiv nga Universiteti i Harvardit “Leading Economic Growth” dhe në vitin 2017-2018 programin “Bloomberg Harvard City Leadership Initiative”.