Arsimi në Kosovë gjatë Luftës së Parë Botërore
Arsimi në Kosovë gjatë Luftës së Parë Botërore kaloi nëpër një periudhë të ndërlikuar dhe të ndryshueme në varësi të zonës së pushtimit. Me ndarjen e territorit midis dy fuqive të huaja, Austro-Hungarisë dhe Bullgarisë, popullsia e këtyre treva u përball me sfida dhe mundësi të ndryshme në aspektin arsimor dhe kulturor. Ndërsa në zonat e pushtuara nga Austro-Hungaria arsimi shqip gëzoi një mbështetje të rëndësishme, në zonat e pushtuara nga Bullgaria, gjendja e arsimit shqip ishte shumë më e vështirë. Kjo periudhë historike nxjerr në pah ndikimin e fuqive të huaja në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare në Kosovë dhe trevat përreth, duke reflektuar politikën e tyre ndaj popullatës vendase dhe aspiratave kombëtare të shqiptarëve.[1]
Historia
RedaktoGjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, trevat shqiptare në Kosovë dhe jashtë Shqipërisë u pushtuan nga dy fuqi të huaja: Austro-Hungaria dhe Bullgaria. Këto dy pushtime sollën pasoja të ndryshme për popullatën shqiptare, veçanërisht në aspektin arsimor dhe kulturor.[2]
Në zonën e pushtimit austro-hungarez, që përfshinte qytete si Mitrovica, Peja, Gjakova, Istogu dhe trevat shqiptare në Mal të Zi, gjendja politike dhe arsimore ishte më e favorshme për shqiptarët. Vjena, duke e parë rëndësinë e mbështetjes së shqiptarëve si pjesë e politikës së saj të jashtme, lejoi dhe ndihmoi hapjen e shkollave shqipe. Gjatë kësaj periudhe, u hapën më shumë se 50 shkolla shqipe, ku shërbenin rreth 100 mësues dhe ku mësonin afërsisht 4,000 nxënës. Ndihma austro-hungareze nuk kufizohej vetëm në arsim, por përfshinte gjithashtu edhe mbështetjen e aktiviteteve kulturore dhe fetare të shqiptarëve.
Përpjeket për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë gjatë kësaj kohe kishin bërë shumë atdhetar por mes tyre dallohen sidomos, Bajram Curri në Gjakovë me rrethinë dhe Hasan Prishtina në Vushtrri dhe Mitrovicë me zonat përreth. Këta dy përndryshe ishin idhtar të mëdhej të shkollës dhe arsimit shqip në Kosovë. Shkolla e parë shqipe në Gjakovë është hapur me angazhimin e Bajram Currit, kjo kishte ndodhur pak ditë para ardhjes së ushtrisë austro-hungareze. Mësuesit klasorë dhe mësimdhënësit e lëndëve të ndryshme të shkollave të rrethit të Gjakovës kanë qenë kryesisht nga Normalja e Beratit, por ka pas edhe nga të cilët kishin kryer shkollën Idadije të Shkupit. Përveç shkollës shqipe që ishte hapur në Gjakovë, suksese të dalluar kishin pasur edhe shkollat e Pejës dhe të Mitrovicës, kurse në Prizren nuk kishte ndonje aktivitet të dalluar, sepse ajo ishte zonë e pushtimit bullgar, sipas marrëveshjes së të dy pushtuesve, lejohej vetëm qarkullimi i ushtrisë austro-hungareze, vazhdimi i punës së shkollave ekzistuese, por jo dhe hapja e shkollave të reja.
Në kontrast, në zonën e pushtimit bullgar, që përfshinte qytete si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Ferizaji, Kaçaniku dhe trevat shqiptare në Maqedoni të Veriut, gjendja arsimore ishte shumë më e vështirë. Bullgarët mbyllën të gjitha shkollat serbe dhe turke, ndërsa arsimi shqip mbeti në një gjendje të rënduar. Vetëm disa shkolla katolike, të mbështetura nga Austro-Hungaria, funksiononin në qytete si Prishtina, Prizreni, Ferizaji dhe Zymi. Bullgarët hapën disa shkolla popullore dhe një progjimnaz në Prishtinë, por arsimi në gjuhën shqipe mbeti i kufizuar dhe i margjinalizuar.
Megjithatë, entuziazmi i shqiptarëve për praninë austro-hungareze në Kosovë ishte i dukshëm. Përveç hapjes së shkollave shqipe dhe mbështetjes së aktiviteteve kulturore, austro-hungarezët punësuan zyrtarë shqiptarë në administratë dhe lejuan përdorimin e simboleve kombëtare. Kjo mbështetje krijoi një ndjenjë mirënjohjeje ndaj Perandorisë austro-hungareze, që çoi në mobilizimin e rreth 1,000 vullnetarëve shqiptarë për të shërbyer në frontin austriak kundër Rusisë, si dhe të dy mijë të tjerëve që iu bashkuan trupave austro-hungareze në Shqipëri.[3]
Kjo periudhë e Luftës së Parë Botërore dëshmon për ndikimin e pushtimeve të huaja në jetën politike, arsimore dhe kulturore të shqiptarëve, në Kosovë dhe trojet përreth, duke nxjerrë në pah diferencat midis politikave të Austro-Hungarisë dhe Bullgarisë ndaj shqiptarëve dhe aspiratave të tyre kombëtare në fushën e arsimit dhe kulturës.[4]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ "Monografi për Kosovën gjatë Luftës së Parë Botërore". Bota Sot (në anglisht). Marrë më 2024-08-10.
- ^ Elsie, Robert (2004). Historical Dictionary of Kosova (në anglisht). The Scarecrow Press. fq. 190–191. ISBN 0-8108-5309-4.
- ^ Rifati, Fitim (2019). Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918. Instituti i Historisë "Ali Hadri". ISBN 978-9951-409-76-6.
- ^ https://filozofiku.uni-pr.edu/desk/inc/media/E4AE73B1-C9C6-4C40-B0EA-C93BC34E37A2.pdf