Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare
Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare me Autor: Bardhosh Gaçe. Shtëpia Botuese: "TOENA". Faqet e librit 416.
Botimi i librit Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare i autorit B. Gaçe ka karakter enciklopedik dhe ndriçon një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare, Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912, dhe ngritjen e flamurit kombëtar.
Nëpërmjet dokumenteve, dorëshkrimeve të delegatëve të huaj, krijohet tabloja historike e veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, 1912-1914, në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, si dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga synimet e monarkive të Ballkanit për copëtimin e tyre.
Në faqet e këtij botimi do të gjeni edhe kujtimet e disa prej atyre që ishin protagonistë në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, në gjurmët e flamurit dhe të himnit kombëtar.
Fragment nga libri:
Fjalimi i Ismail Qemalit përpara popullit të Vlorës më 28 nëntor 1912
...Oh sa të lumtur e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra shqiptarë të mbledhur tok duke pritur me kureshtje dhe padurim përfundimet e kësaj mbledhje historike për fatin e Atdheut tonë të dashur.
Plot me gaz e me lotë në sy nga mallëngjimi, p a, po dal këtu para jush që të ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi shpalli Mëvetësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua Kryesinë e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Posi një ëndërr më duket ky ndryshim i madh në vendin tonë që hoqi e vojti të zezat e ullirit pesëqind vjet me radhë ndën sundimin Turk, po që tani në kohët e fundit ishte gati të jepte shpirt, për gjithnjë, të shëmbej e të shfarosej krejtësisht nga faqia e dheut kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pa shoqe e bijve të saj, kjo Shqipëri që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndën kryetrimin e saj të pavdekshëm Skënderbeun, u bë porta e hekurt kundër sulmeve të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia.