Avni Alcani
Ky artikull në lidhje me një biografi individi është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
Avni Alcani është restaurator në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë.
Jetëshkrimi
RedaktoAvni Sh. Alcani ka lindur në qytetin e Elbasanit më 14 gusht 1953. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare i ka kryer në qytetin e Librazhdit, shkollën e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” (Dega skulpturë) në Tiranë dhe shkollën e lartë në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Histori-Filologjisë (Dega gjuhë-letërsi shqipe).
Në vitin 1973 ka filluar punë në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Librazhdit, si skenograf, dhe në vitin 1977 ka punuar mësues në qytetin e Librazhdit. Pas një një viti, më 1978, është emëruar mësues vizatimi në Stravaj. Po atë vit, më 1 qershor të vitit 1978, ka filluar punë në Muzeun Historik të qytetit të Librazhdit, me detyrë: spjegues muzeu (ciceron). Në vitin 1980 emërohet drejtor i këtij Muzeu. Sëbashku me ekipin e muzeut ka punuar për ngritjen e Muzeut Etnografike të rrethit të Librazhdit (1979), një nga muzetë e parë të këtij lloi në Shqipëri, Ekspozitën e Kulturës Popullore (1980, 1986), Pavionin e Arkeologjisë, Pavionin e Periudhës bashkëkohore etj. Ka punuar pranë këtij muzeu deri në vitin 1986. Që nga viti 1987 punon si restaurator në Institutin e Arkeologjisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Ka marrë pjesë në dhjetëra ekspedita shkencore dhe misione arkeologjike, si në Butrint, Apolloni, Dyrrah (Durrës), Kosovë etj., duke restauruar me dhjetra-mijëra objekte arkeologjike të zbuluara në këto ekspedita.
Është marrë me studime dhe hulumtime, kryesisht në fushat e historisë, kulturës tradicionale dhe publiçistikë etj. Ka botuar mbi 100 studime e artikuj në shtypin shkencor e atë periodik kushtuar ngjarjeve dhe figurave historike, traditave të kulturës tradicionale (etnografi dhe folklor) të trevave të Librazhdit, per probleme të restaurimit të objekteve arkeologjike në Shqipëri etj. Është autor i librave: "Shahin Zharri (1915-1991), Monografi (Tiranë 2006), "Librazhdi, Histori e shkurtër" (Tiranë 2008), "Librazhdi, Vështrim gjeografik, historik e kulturor", me bashkautor, (Tiranë 2009), "Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë e në vise të tjera shqiptare" (Tirane 2015), me bashkautor, "Neshta e Çermenikës" (Tiranë 2018), me bashkautor.
Është botues i disa librave me përmbledhje studimesh nga trevat e Librazhdit, si Almanaku "Librazhdi-1" (Tiranë 1985), "Çermenika-1. Përmbledhje studimesh" (Tiranë 2004), "Kadri A. Hoxha, luftëtar i paepur për liri dhe demokraci. Artikuj, intervista dhe shkrime të tjera" (Tiranë 2006), "Çermenika-2. Përmbledhje studimesh" (Tiranë 2016), "Aranitët në Librazhd" (Tiranë 2019) etj.