Bathë të njoma jahni
Bathët pastrohen nga bishti, maja e fijet, vendosen në enë me ujë, kripë e limontoz që të mos nxihen, shpëlahen, zihen 8-10 minuta dhe kullohen.
Në enë me yndyrë kaurdiset qepa sa të zverdhet, hidhen bathët pjesë e kaurdisen. Shtohet pak salcë, kopër, ujë sa të mbulohen, vihet kapaku dhe zihen në zjarr të ngadaltë. Gjatë shërbimit sipër i hidhet kos i thartë.
Bathët bëhen të shijshme kur gjatë zierjes u hidhen disa kokrra kumbulla të papjekura. Gjellës në fund i hidhet sipër kopër e grirë hollë.
Shënim: Gjatë kaurdisjes bathëve mund t'u hidhet dhe pak miell.
Për 4-5 veta :
- Bathë 1,5 kg,
- vaj 3 filxhanë kafeje,
- qepë 2-3 kokrra mesatare,
- salcë 1 lugë gjelle,
- kopër 1 tufë,
- kos 2-3 lugë gjelle për çdo person,
- miell 1 lugë gjelle.