Beqir Ndou
Beqir Ndou ose Beqir Ndue Sokoli (Shëngjergj-Mërtur 19 janar 1919 - Gri 17 dhjetor 1995), ishte një atdhetar shqiptar, Komisar i Malësisë së Gjakovës gjatë LDB.
Biografia
RedaktoLindi më 19 janar 1919 në Shëngjergj të Merturit (sot në Tropojë) djali i madh i Ndue Sokolit dhe Mri Maceljes të cilët patën edhe dy djem të tjerë, Baftinë dhe Mirashin. Beqiri rrjedh nga linja e famshme mërturase e Nik Mengjës i cili në fundshekullin XVII u priu njerëzve të tij në kalimin në veri të Lumit Drin, nga Puka në Mërturin aktual, fjala mençur e së cilit në shumë raste konsiderohet ligj mbi vetë Lek Dukagjinin në disa raste të veçanta në Kanun.
Beqiri, i cili shquhej për mprehtësi, e shoqëronte të atin Ndue Sokolin që në moshë të njomë në kuvende burrash ku u mbrujt me mësimet e Kanunit të Lek Dukagjinit dhe zhvilloi një karakter tepër të ekuilibruar, njerëzor e pajtues. Njohja e Ndues me Ernest Koliqin, gjatë hulumtimeve folklorike që ky i fundit bënte në Mërtur, bëri që Koliqit t'i binte në sy zgjuarësia e spikatur e Beqirit. Në vitin 1936 Koliqi e nxiti Beqirin të hynte në Gjimnazin e Shkodrës dhe u përkujdes që t'i lidhej një bursë. Beqiri u tërhoq nga idetë përparimtare komuniste që qarkullonin në gjimnaz dhe për shkak të dallimit të tij, si një element i spikatur në bartjen e këtyre ideve, u përjashtua nga shkolla pak para mbarimit të gjimnazit në vitin 1940.
Beqiri, komunist i Grupit të Shkodrës, u pranua në rradhët e PKSH, që në nëntor 1941, fill pas themelimit të saj. Ai qe i pari komunist në historinë e Malësisë së Gjakovës. Si i tillë u emërua dhe Komisar i saj. Beqiri shihte te fitorja e komunizmit shansin historike të bashkimit të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi me Shqipërinë, si një e drejtë e mohuar, një gabim që do ndreqej nga fryma e re e luftës nazifashiste, duke mos i besuar farsës fashiste të Shqipërisë së Madhe të sajuar nga italo-gjermanët ; por historia vendosi ndryshe. Sidoqoftë, si organizues i Konferencës së Bujanit, Beqiri i propozoi bajraktarit në zë të Krasniqes Sali Manit, atdhetarit nacionalist të lidhur me LNçSH, që të thirrej në kullën e këtij të fundit Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944) në fund të së cilës delegatë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova por edhe delegatë serbo-malazezë votuan unanimisht që pas luftës Kosova të kishte të drejtën e vetëvendosjes. Beqiri pati veprimtari të dendur në bashkërendimin e luftës partizane me komunistët kosovarë kundër pushtuesve italo-gjermanë, sidomos në Gjakovë ku preferoi të mbetej i afërt me figura të pastra e heroike si Emin Duraku etj e të mbajë njëfarë rezerve për elementë me shumë dritëhije si Fadil Hoxha.
Në vitet 1945-1947 mori drejtimin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tropojë e në Kukës. Gjatë këtyre viteve të vështira Beqir Ndou tregoi anën më të mirë të karakterit të tij : "respektin ndaj jetës së tjetrit." Edhe pse ofiqi i tij i jepte shumë pushtet, kurrë nuk e përdori për të shtypur njerëzit e këtyre krahinave, përkundrazi janë me dhjetëra e dhjetëra raste ku Beqiri ka lehtësuar situatën e njerëzve që regjimi i ri i kishte vënë në rreth të kuq për arësye krejtësisht të padrejta, nuk mungojnë rastet kur ka shpëtuar persona nacionalistë nga burgu i sigurtë dhe ka shpëtuar madje dhe shumë jetë njerëzish të caktuar nga partia për t'u asgjësuar : pasardhësit e tyre dëshmojnë ende sot e kësaj dite për këto akte të larta të një njeriu i cili nuk bëri kurrë pazar me ndërgjegjen e tij.
Në vitin 1945 Beqir Ndue Sokoli martohet me Shpresa Tepelenën, vajzën e vogël të firmëtarit të Pavarësisë Fehmi Tepelenës. Nga kjo martesë lindën dy fëmijë Sokoli (1946) dhe Lida (1948).
Në nëntor 1948 Beqiri, që sapo qe zgjedhur anëtar i Komitetit Qëndror të PKSH, u emërua zëvendësministër i brendshëm i ngarkuar me Sigurimin, një post që e mbajti më pak se një vit. Një paradoks i këtij qëndrimi të shkurtër në këtë organ ka qenë kërkesa që Beqir Ndou dhe disa oficerë të tjerë i parashtruan ministrit të brendshëm të asaj kohe Mehmet Shehut për heqjen e torturës nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme pas rasteve të pafund ku personat e ndaluar pranonin gjëra të pallogjikshme e të paqena nën tmerrin e torturave çnjerëzore. Kërkesa u pranua çuditërisht nga Mehmet Shehu edhe pse thjesht formalisht.
Në mars të vitit 1951 Beqir Ndou, tashmë epror i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, merrte pjesë në një manovër ushtarake që organizohej në bashkërendim me sovjetikët në Krastë (Elbasan). Gjatë zhvillimeve të manovrës në shtab erdhi për vizitë miku i Beqirit Sali Ormeni, zëvendësministër i brendshëm për policinë dhe kufirin. Saliu dukej se pati dëshirë t'i thonte diçka konfidenciale Beqirit por prania e ushtarakëve të tjerë e pengoi dhe biseda u zhvillua e shkurtër në baza përshëndetjesh familjare formale, pas të cilave ai u largua për në Tiranë. Të nesërmen me 2 mars u shpall lajmi i dyshimtë se Sali Ormeni kish kërcënuar shoferin e tij me pistoletë dhe në një një gjendje psiqike të rënduar kish marrë automjetin i vetëm dhe ish përpjekur të arratisej. Më pas ish gjetur i vrarë (vetvrarë sipas versionit zyrtar) në Papër të Elbasanit. Për shkak të miqësisë që e lidhte me Sali Ormenin, Beqir Ndou u mor në pyetje në Komitetin Qëndror ku vetë Enver Hoxha e akuzon (Vepra 9) se po i fshihte partisë rrëfimet armiqësore që sipas Enverit Saliu i kish bërë Beqirit, para se të ikte e të vetvritej. Beqir Ndou ia ktheu me një shpoti të hollë se Sali Ormeni i kish thënë gjatë bisedës që, sipas këshillave të mjekut, sapo kish lënë duhanin ; një njeri që lë duhanin për të përmirësuar shëndetin, tha Beqiri, nuk vret veten. Pa mbaruar mbledhja Beqir Ndou u thotë kolegëve "bëni ç'keni ndërmend të bëni", ngrihet dhe largohet qetësisht e pa u marrë leje.
Arrestohet, merret në hetim dhe 18 dhjetor 1951 Gjykata e Lartë e dënon me 3 vjet burg. Mes akuzave përmendet dhe fakti që "Beqir Ndou mbron armiqtë nëpër proçese", aludim për qëndrimin e tij njerëzor ndaj të ndaluarve në organet e hetuesisë dhe për neverinë e tij ndaj torturës si metodë poshtëruese dhe rrënuese për qenien njerëzore. Beqir Ndou ish një njeri gati vetmitar dhe pa kurrfarë klani pas vetes në brendësi të sistemit. Kjo rrethanë jo arriviste, e cila përjashtonte çdo dyshim për komplot nga ana e tij, si edhe karakteri i tij që impononte besueshmëri, bënë që t'i shpëtonte ndonjë dënimi më të rëndë.
Por partia nuk do mjaftohej vetëm me këtë dënim dhe internimin që pasoi. Me 12 korrik 1980 Beqiri, tashmë pensionist, ndalohet sërish ; kësaj here për për agjitacion e propagandë. Në akuzat e ndryshme që iu bënë spikat ajo që "ai fajësonte Enver Hoxhën për mbetjen e Kosovës nën Jugosllavinë e Titos." Dënohet e lirohet në 1982.
Pas rënies së komunizmit Beqir Ndue Sokoli shkonte e rrinte gjithnjë e më shpesh në Tropojë, vendlindjen me të cilën ndjehej aq i lidhur shpirtërisht. Vdiq gjatë qëndrimit në fshatin Gri me 17 dhjetor 1995 me brengën e tij të kahershme që nuk e pa Kosovën t'i bashkohej Shqipërisë.