Bernard Zotaj
Bernard Zotaj ushtarak shqiptar, ka lindur më 8 qershor 1955 në Ramicë të rrethit Vlorë. Në shtator 1970 -qershor 1974, Bernardi ka kryer shkollën e mesme të përgjithshme “Hasan Pulo” në Orikum të Vlorës. Në shtator 1975 -maj 1979 ka përfunduar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave në Tiranë. Në shtator 1980 -maj 1983 ka përfunduar Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë. Në shtator 1987 -korrik 1989 ka përfunduar studimet në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Ka bërë dhe disa kurse kualifikimi në fushën e historisë ushtarake dhe të sigurisë. Gjatë karrierës së gjatë ushtarake ai ka kryer detyra të ndryshme që nga roli bazë, deri në drejtues njësie e deri shef inspeksioni në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, specialist në Qendrën e Taktikës, pedagog, shef dege në Qendrën e Doktrinës, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe kryeredaktor i “Revistës Ushtarake”, Drejtor i Qendrës së Librit dhe Mbështetjes me Informacion në KDS etj…
Por aktivitetin më të madh në karrierën 40- vjeçare në Forcat e armatosura, Bernardi e ka në fushën e historisë ushtarake, mbrojtjes e sigurisë si dhe në publicistikë. Në fushën e shkencës mund të përmendim: bashkëautor i tekstit të Historisë së Shqipërisë për Klasën e 9 dhe të 12 (2011-2012), të aprovuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve; autor dhe bashkëautor në librat “Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër -Mallakastër 1943-1944” (2003); “Armed Forces in Photos the History” (2005); “Manuali i Ushtarit” (2006); “Guidë e Historisë Ushtarake” (2008); “Shqipëria dhe Luftërat Ballkanike” (2008); “Figurat kryesore të Luftës së Dytë Botërore” (2009); “Teori të Luftës dhe Strategjisë” (2011); “Dëshmorët e Atdheut” (2012); “Arti Ushtarak në Luftën e Vlorës të vitit 1920” (2016); “Agresion ‘49” (2019); “Antifashisti në xhandarmëri” (2020) etj.
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj është autor dhe i 19 monografive, përkatësisht: “Oxhaku i Zote në Smokthinë” (2000); “Malli për Nënën” (2001); “Nderim Eqerem Sinanit” (2001); “Rrëfimet e Nënë Zybës” (2002); “Konaku i Habil Laçes në Tragjas” (2002); “Dreri i bukur i Ramicës” (2003); “Biseda me babain vazhdon …” (2005); “Thëllëza e Mesaplikut” (2005); “Këshilltar nderi i Kuçit” (2006); “Së bashku …” (2006, 2009); “Baladë për birin e tokës” (2009); “Njeriu i hapësirave të gjelbërta” (2010); “Njeriu i bukur” (2012); “Shpirti i brezit të gurtë” (2012); “Prushi i Labërisë” (2016); “Poeti i Labërisë Lirim Deda” (2017); “Xhenieri i martirizuar” (2018); “Yjet e Ramicës” (2019); “Arseni Stroka, Mjeshtër i taktikës dhe komandant i rangut të lartë” dhe “Epopeja e fitimtarëve” (2020).