Bleta Shqiptare është një libër i botuar në Aleksandri, Egjipt1878 dhe ka për autor Thimi Mitkon. Libri[1] është një koleksion me qëllim të sigurojë lulëzimin e komunitetit shqiptar të Egjiptit me informacion në lidhje me zakonet shqiptare. Puna u përmirësua me editime nga Gjergj PekmeziVjenë1924 nën titullin Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos.[2][3] Vepra e përmbedhur e Mitkos është botuar më 1981 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore "Thimi Mitko, Vepra", nën kujdesin e Qemal Haxhihasanit. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar në dy vëllime librin e Dhori Q. Qiriazit “Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente”. Kjo vepër vjen si rezultat i një pune më të hershme të Dhori Qiriazit, aktualisht profesor i gjuhësisë historike në Universitetin Aristotelian të Selanikut, i cili prej vitesh i ka hyrë studimit të thelluar të veprimtarisë mbledhëse e krijuese të rilindasit të shquar Thimi Mitko, ku bëhet fjalë për zbulimin e një një fondi të passur me dorëshkrime, i ruajtur nga pasardhësit e Mitkos në Aleksandri të Egjiptit, për të cilat prof. Qiriazi ka bërë një punë shumëvjeçare dhe ka nxjerrë në dritën e botimit dorëshkrimin e “Fjalorit shqip-greqisht e greqisht-shqip” bashkë me ndihmesa të tjera leksikografike të Mitkos. Dhori Qiriazi ka bërë një punë madhe përgatitore me botimin e 5 mijë skedave me dorëshkrime dhe studimin hyrës për historikun e parateksteve. Prof. dr. Anila Omari shkruan në recesionin kushtuar librit “Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente”, botuar nga ASH, që “prof. Dhori Qiriazi është studiuesi i rrallë, në mos i vetmi albanolog në kohën e sotme, i cili ka përgatitjen dhe formimin e duhur gjuhësor e filologjik për t’u marrë me studimin, transkriptimin, përkthimin dhe përgatitjen për botim të një vepre si ajo e Mitkos, e shkruar me alfabetin grek dhe pjesërisht e shkruar në gjuhën greke. Puna me studimin e dorëshkrimeve të Mitkos i ka hapur horizonte të reja autorit për të sjellë në vëmendjen e publikut fakte të panjohura lidhur me punën paraprake të Mitkos për realizimin e botimit të Bletës Shqyptare, me rrethanat e përgatitjes së veprës, me përmbajtjen e një versioni të parë që do të botohej në Athinë në vitin 1875 që autori e la disa kohë pa botuar për shkak të gabimeve të shumta, e me materiale të tjera me interes për figurën dhe personalitetin e Thimi Mitkos.” Sipas prof. dr. Anila Omarit “në gjurmët e hartimit të veprës së Mitkos, autori mendon se Mitkoja e ka konceptuar veprën si një botim dygjuhësh shqip-greqisht, një ide është në vazhdën e botimeve dygjuhëshe që fillojnë që me librin e parë shqip, Mesharin e Gjon Buzukut, por për arsye ekonomike e ka pakësuar vëllimin e veprës duke botuar vetëm parathënien greqisht. Por me interes është shpjegimi i Mitkos për arsyen e shoqërimit të përrallave shqip me përkthimin greqisht, për t’u ardhur në ndihmë albanologëve.” Libri lidhet me një ngjarje të rëndëshme, siç është Revolucionit grek i vitit 1821, i cili u dha shtysë lëvizjeve kombëtare në Ballkan dhe frymëzoi figura të shquara të Rilindjes shqiptare si Naum Veqilharxhi e Thimi Mitkoja, që ëndërronin çlirimin nga sundimi osman dhe mëvetësimin e kombit te shqiptarëve. Studimi hyrës i Dhori Qiriazit shoqërohet me shtojcën e dokumenteve të panjohura deri tani, që lidhen me botimin e “Bletës Shqyptare”, të riprodhuara në mënyrë fototipike, në transkriptimin e tyre në gjuhën greke dhe në përkthimin shqip. Vepra e Dhori Qiriazit “Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente” në dy vëllime u botua nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pasi u njoh me vlerat dokumentare, albanologjike e historike që përmbajnë të gjitha dorëshkrimet e Mitkos, që dalin në dritë pas afro 150 vjetësh. Për rëndësinë e librit dhe punën e vyer të autorit akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave ka shkruar në parathënien e këtij botimi si më poshtë: Shenjim i shkurtër për rikthimin e “Bletës shqiptare” Vleresimi i Shaban Sinanit per botimin e përmbledhejs "Bleta Shqiptare" botuar në dhjetor 2020. Ky vit që po mbyllet ishte parashikuar dhe duhej të ishte kushtim jubilar për 200-vjetorin e lindjes së Thimi Mitkos. Një kushtim i merituar, për rolin që ka luajtur jo vetëm Bleta shqiptare, por e gjithë veprimtaria diturore e Mitkos, që po vjen e ndriçohet gati në mënyrë tërësore, falë punës së jashtëzakonshme të studiuesit Dhori Q. Qirjazi, i cili përfundimisht e ka identifikuar veten, përmes kërkimeve të gjata, duke filluar që nga viti 2005, në mos edhe më herët, me veprën e këtij protagonisti që pret me modesti t’i njihen punët dhe veprat. Botimi anastatik i Bletës shqiptare, i dokumenteve të panjohura që lidhen me historinë e saj, i trashëgimisë tjetër të Mitkos gjithaq të panjohur (letërkëmbim, shkrime letrare), pas Fjalëtores shqip-gërqisht e gërqisht shqip, përgatitur për botim po nga Dhori Q. Qirjazi, është ngjarje shkencore me rëndësi për trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, në kuadër të së cilës përfshihet. Është ngjarje edhe për filologjinë shqiptare, e cila, me punën e gjatë dhe të palodhshme të Eqrem Çabejt, Namik Ressulit, Viktor Volajt, Martin Camajt, Titos Jochalas-it, Francesco Altimarit, Matteo Mandalàsë, Rexhep Ismajlit, Anila Omarit, Bardhyl Demirajt, po konfirmon statusin e saj epistemologjik si një disiplinë që ndërmjetëson me besnikëri autorin me lexuesit, pavarësisht se kur kanë shkruar, cili ka qenë rendi i gjuhës shqipe, me çfarë sistemesh grafematike është shkruar. Dhori Q. Qirjazi ka një vend të posaçëm në gjithë këtë rritje të ndërlikuar, sidomos për shkrimet që vijnë shqip përmes një procesi tejshkrimi që është shumë e vështirë të përfytyrohet. Hapi tjetër, që mundësohet prej këtij botimi, është transliterim besnik dhe përkthimi tërësor i pjesëve greqisht të Bletës siç u botua më 1878, punë që mbeten për t’u kryer në të ardhmen. Po e quajmë rikthim këtë vepër të përgatitur me kujdesje të lartë prej tij duke qenë se në vitin 1924 gjuhëtari Gjergj Pekmezi pati bërë një përpjekje për ta latinizuar Bletën, me një botim të përkujdesur prej tij, që është kthyer prej shumë dekadash në një rrallësi librore; për më tepër që në botimin e tij Pekmezi i pati dhënë vetes të drejtën të qortonte mbledhësin për përfshirje të copave letrare si krijimtari popullore dhe t’ia hiqte ato Bletës së autorit. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dy studiues meritojnë veçim: Qemal Haxhihasani si autor i një monografie kushtuar Mitkos dhe përgatitës i botimit të Bletës në serinë Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar dhe Jorgo Bulo si njeriu që zbuloi dhe solli në Shqipëri arkivin e dorëshkrimeve të tij, mbi 5000 mijë skeda, që mundësuan botimin e Fjalëtores gjashtë vite të shkuara. Sa i takon Dhori Q. Qirjazit, vlerësimi për punën e tij do të kërkonte shqyrtime të thelluara, sepse është një punë që ndërthur shumë kompetenca, jo vetëm në njohje të gjuhëve dhe sistemeve shkrimorë, jo vetëm në pikëpamje të zotërimit të parimeve të filologjisë së tekstit, jo vetëm në histori shkrimesh dhe alfabetesh, arkeografi dhe në paleografi, por edhe në historinë e mendimit dhe të kulturave, sidomos të raporteve ndërballkanike në një periudhë kur të gjithë popujt e Rumelisë qëndronin krah për krah njëri-tjetrit, me një dëshirë e një qëllim, për të shpëtuar nga perandoria e selçukëve. I gjori Mitko, më i përuluri ndër mëmëdhetarët korçarë, siç e cilëson Dhori Q. Qirjazi, më në fund qëlloi me fat, që vepra e tij ra në duart e këtij studiuesi të zot, që i kushtoi asaj mend e zemër, shpirt e frymë. Studimi hyrës i botimit të përgatitur nga Dhori Q. Qirjazi, që barazohet për nga rëndësia me një monografi, e shqyrton Bletën e Thimi Mitkos para së gjithash së jashtmi, si produkt të një periudhe historike dhe kulturore. Ndërsa vështrimi nga brenda, që ka vend edhe në këtë studim, me sa duket mbetet të thellohet e të plotësohet kur të jetë mbledhur e shoshitur e gjithë lënda e shpërhapur e Bletës / Bletëve, siç shkruan përmbledhtazi vetë përkujdesësi i botimit, duke përshkruar ribuitjen e Bletës. Në botimin dyvëllimësh që marrin tani në dorë lexuesi dhe studiuesi do të kenë thuajse gjithçka që i takon dorës së Thimi Mitkos. Do të takojnë për herë të parë Parabletën, apo Bletën e vitit 1875, që mbeti dorëshkrim dhe e bëri mbledhësin e saj të vuajë, deri sa erdhi koha e Bletës së Aleksandrisë. Ashtu si Canti premilosaici që botuan Francesco Altimari e Matteo Mandalà në 200-vjetorin e lindjes së De Radës patën ndikim për të kuptuar jo vetëm portretin e një artisti në rini, por edhe gjithë udhën krijuese të tij, ashtu edhe të dhënat rreth dorëshkrimit të Parabletës do të jenë me një ndikim ndriçues për Mitkon si mbledhës dhe si mendimtar, për mënyrën si funksiononin shoqëritë atdhetare kombëtare (kësaj radhe pa romantizëm e idealizim), për të mbarët dhe të prapët e periudhës së Rilindjes, mbi të gjitha për nyjat më të rëndësishme të kalendarit të zhvillimit të mendimit shqiptar. Pa idealizim edhe për vetë Mitkon, i cili nuk lindi kryekrejet siç e kemi njohur, pati ngurrimet dhe mëdyshjet e tij, shpresoi dhe u zhgënjye, deri sa u kthye në një orientues për lëvizjen e shqiptarëve për t’u homogjenizuar në pikëpamjen kombëtare. Dhe vetë Mitko u shndërrua në një pikë përbashkuese të arbëreshëve nga njëra anë, të arvanitëve nga ana tjetër, të veprimtarëve shqiptarë në Misir e në Konstandinopojë, në Bukuresht e Sofje. Bleta shqiptare e Mitkos, siç do ta ritakojmë në këtë botim, është dëshmia më bindëse se u përgatit nga mbledhësi jo vetëm për të shpëtuar trashëgiminë gojore, por edhe për të dhënë një dëshmi themelore se qarqet kulturore me karakter lokal dhe konfesional ishin shthurur dhe ndërkomunikimi midis shkrimtarëve që më herët jetonin në nënsistemin e tyre kishte nisur shumë dekada para mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Bleta e Mitkos qe një libër i hapur edhe për trashëgiminë e arbëreshëve, edhe për këngë të shqiptarëve gegë, madje edhe për ndonjë vjershë bejtexhinjsh (një prej tyre, me autor Hasan Zyko Kamberin - Koloniotin, ai e vlerësonte shumë lart). Alfabetet pushuan së qeni kufij, dialektet pushuan së qeni kufij, ndarjet krahinore pushuan së qeni kufij, procesi homogjenizues po ecte për së mbari. Dhori Q. Qirjazi ka meritën që, duke iu kushtuar rikthimit të Bletës, nuk la arkiv e bibliotekë pa kërkuar, nuk la miq e kolegë pa i trazuar (dhe sa mirë bëri!), nuk la institucion akademik e universitar pa trokitur, nuk la koleksion shtypi pa lexuar, që Mitko të mbërrinte në këtë jubile të lindjes së tij me gjithë dinjitetin që meritonte. Dhe ia arriti qëllimit. Solli në këtë botim edhe krijimtari origjinale ose gjysmorigjinale të Mitkos, si Plakun Stathi (Plakustathi), të cilin studiuesi e vlerëson me të drejtë si alter ego të shkrimtarit, madje do të dëshironte ta pagëzonte me një titull të ri, Plaku Efthim, Plaku Thimi, një skicë me karakter autojetëshkrues. Sa i takon kësaj rrëfenje, Plakut Stathi, studiuesi nuk mjaftohet të konstatojë se, pavarësisht ngjashmërive jetëshkrimore, është një përshtatje prej një parateksti me të njëjtin titull botuar në greqisht në vitin 1858, mbështetur në një motiv prej letërsisë frënge botuar në vitin 1818. Ai me të drejtë pohon se, edhe si përshtatje a përkthim, ka rëndësi për të dëshmuar zotësitë krijuese e rikrijuese të Mitkos. Dhori Q. Qirjazi solli në këtë botim edhe krijimtari tjetër të hershme të rilindësit të shenjuar, burime e letra, që janë të dobishme për të kuptuar si Rilindja u bë me të vërtetë Rilindje, përmes hapash të vështirë e ndërlikimesh të tjera. Dhe prapë një pjesë e burimeve të trashëgimit letrar-shkrimor të Mitkos mbeten jo krejt të njohura. Por aq sa u bë është më shumë se kurdo dhe ia vlen të thuash fjalën e përgëzimit pa asnjë rezervë. Nga ky botim në dy vëllime i veprës së Thimi Mitkos në 200-vjetorin e tij të lindjes, pjesë e programit të veprimtarisë botuese të Akademisë së Shkencave për vitin 2020, na vjen këshilla për rivlerësimin dhe rishqyrtimin me përgjegjësi të burimeve arkivore të Rilindjes, duke përfshirë ato që njihen, duke krijuar sinergji pune midis specialistëve më të formuar, larg egoizmave dhe prirjeve për të punuar secili më vete, me vetëmjaftueshmëri egoiste. Nuk mund të lihet pa përmendje edhe një vlerë tjetër e këtij botimi, i cili do të na bëjë të kuptojmë se lëvizja rilindëse shqiptare nuk ishte një dukuri ishullore. Ajo kishte lidhjet dhe rezonimet e veta edhe me neohelenizmin, me zgjimin bullgar, me pavarësimin e Egjiptit, me dukuritë e ngjashme në Rumani e gjetiu. Kishte lidhje dhe rezonime edhe me Risorgimenton garibaldine italiane, jo vetëm me idetë kombëtare të arbëreshëve. Ky është një hap emancipues në studimet tona.

Referime

Redakto
  1. ^ "Bleta Shqyptare - shqipopedia". Arkivuar nga origjinali më 21 shtator 2019. Marrë më 21 shtator 2019.
  2. ^ "Shqipopedia - Bleta shqiptare". Arkivuar nga origjinali më 21 shtator 2019. Marrë më 21 shtator 2019.
  3. ^ "Bleta shqiptare në origjinal - Shqipopedia". Arkivuar nga origjinali më 21 shtator 2019. Marrë më 21 shtator 2019.

Lidhje të jashtme

Redakto